Connect with us

Shkrime

Nga dy vota për Berishën, njëra shkon në thesin e Metës

Nga Plator Nesturi

Mbeten ende ditë për të votuar dhe konsumuar një fakt të parashikuar. Atë se çfarë do të sjellin këto zgjedhje e sa betejë vërtetë do të ketë gjatë saj. Ndërsa fushata dhe takimet elektorale vijojnë gjithësesi rezultati duket se po ravijëzohet qartazi. Sondazhet e herëpashershme dhe që për këto zgjedhje janë të shumta, arrijnë të shprehin qartë tendencën e votës së shqiptarëve në 14 maj. Anketimi i rezultateve të fundit të përcjella nga instituti Piepoli nuk sjell asnjë zhvillim të ri që mund të çojë drejt të papriturave. Kështu, në rang kombëtar PS rikonfirmohet si forcë e parë politike me rreth 52 % të votave duke ruajtur distancë të ndjeshme me kundërshtarët e saj, ku binomi i koalicionit Meta- Berisha kuotohen deri në 36 % të votave në rang kombëtar. Ndërkohë PD zyrtare, që po vuan haracin e mungesës së aksionit politik përballë goditjeve të Berishës, vijon të ketë oshilacione por që gjithësesi, aktualisht nuk shkon më lart se shifrat  11 %. Ndërkohë, partitë e tjera më të vogla janë në kuota të ulëta dhe pa peshë relevante ndikimi. Ajo çfarë bie në sy pra është që vota e shqiptarëve, ndryshe nga më parë që shkonte drejt dy poleve PS- PD, tashmë është më e ndarë, dhe kjo si rezultat i ndarjes së opozitës në fraksione ndërluftuese mes vetes. Pavarësisht se 14 maji është një garë për pushtetin lokal, kandidatët për kryebashkiakë janë më tepër pjesë e një dekori të betejës politike sesa aktorë kryesorë të një fushate zgjedhore. Madje në shumë raste, të panjohur në elektorat e të paqartë me çdo sjellin rrjedhat politike nesër, u ngjajnë më së shumti poçave zbukurues të pemës, ndërsa protagonizmin e fushatës ua kanë marrë yjet e vjetër të politikës që dinë të bëjnë atë që kanë bërë përherë në këto 30 vjet. Avazin e ndotjes akustike për veshët e rrënuar të shqiptarëve. E gjitha kjo situatë nuk ish e papritur. Madje ish e paralajmëruar prej kohësh. PS mbetet forca më e tonifikuar dhe më aktive megjithë peshën e pushtetit, përballë një opozite në krizë e në gjendje nockdauni. Ku dy pjesët e ish PD-së janë në një luftë të ashpër mbiejtese dhe ku PL është si i treti i paftuar. PD e Alibeajt, siç pritej, hyri me kuota të ulëta në bastet elektorale. Mungesa e agresivitetit përballë goditjeve të Berishës që vijojnë prej mbi një viti, krijoi mungesë koherence dhe pasiguri në vendimet qe ndërmorën. Kandidatët e paktë për kryebashkiakë u përkthyen në paaftësi dhe mbështetje e pakët, tezë të cilën e trumbetoi me forcë Foltorja për të mbetur si aktor i vetëm politik në fushë. Gjithësesi, situata duket se ka disa lëvizje. Sidomos në zonat ku PD ka kandidatë në garë, si në rastin e Tiranës. Fakti që Kolegji Zgjedhor vendosi që koalicioni “Bashkë fitojmë”, të jetë i regjistruar në emrin e Ilir Metës, ka sjellë një reagim negativ te ata demokratë që nuk e pranojnë ish LSI si një aleat të besueshëm ku mund të mbështeten. Ndaj dhe retorika e Alibeajt është rritur ndjeshëm ndërsa u bën thirrje të gjithë demokratëve që votën e tyre të mos e çojnë tek Ilir Meta por tek partia e tyre PD.

Ky hall duket i ndjeshëm dhe tek Foltorja. Madje edhe në bashkitë ku kanë kandidatë të vetëm dhe ku PD nuk ka paraqitur kundërshtarë. Pavarësisht se Meta del si stonaturë e dytë në aktivitetet e fushatës elektorale, ai është realisht fytyra zyrtare e koalicionit opozitar. Ndaj me gjithë përpjekjet për tone të ngrohta midis aleatësh, strategjistët që bëjnë fushatën e Foltores, e kanë të vështirë të bindin masën e anëtarësisë për vlefshmërinë e marrëveshjes me PL dhe të treguesve se kush është përfituesi i vërtetë i saj. Sado që operohet me faktin se kandidatët për kryebashkiakë jënë prodhim Made in Primare, kjo nuk mund të mbulojë të vërtetën kur dhe sipas shifrave dhe sondazheve, mbi treçereku i tyre janë humbës që në nisje të fushatës. Është e vështirë tu hedhësh hi syve anëtarësisë së demokratëve kur nga marrëveshja e arritur me PL, në çdo dy vota që hidhen në kuti për Berishën, njëra shkon në thesin e Metës. Në thesin elektoral të tij. E thënë ndryshe, rezultati që do të arrihet nga koalicioni do të ndahet në dy pjesë të barabarta midis PL dhe Foltores. Pasi lista e këshilltarëve për këshillat bashkiakë është një po një jo midis PL dhe Foltores dhe në zona të veçanta ky raport mund të jetë edhe më favorizues për PL. Atëherë? Ku ishim, hiç gjëkundi. Përderisa parashikimet për marrjen e bashkive janë kaq të zymta, i vetmi rezultat që mund të ndajnë aleatët e koalicionit do të jetë lista e këshilltarëve bashkiakë. Dhe ndërsa në të, pjesën e luanit do ta marrë PL dhe Meta, çfarë mund ti shtyjë militantët e anëtarësinë e ish PD-së që të votojë për një sigël që nuk e dëshiron dhe për një parti që refuzon ta pranojë si një aleate natyrale? Ndërsa kjo skemë e ndarjes së plaçkës së luftës është ende e paqartë dhe e mjegullt, vetë Berisha do e ketë vështirë në ditët në vijim, që të japë shpjegime për marrëveshjen që e gatoi vetë, ndërkohë që refuzoi çdo ofertë bashkëpunimi me pjesën e mbetur të PD-së që mbeti në rrugë e pa godinë.

Advertisement