Ish-presidenti sirian Bashar al-Assad ndodhet në Moskë dhe ka marrë azil në Rusi. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se presidenti rus Vladimir Putin miratoi personalisht azilin për Assadin.

“Sigurisht që vendime të tilla nuk mund të merren pa kreun e shtetit. Ky është vendimi i tij”, tha Peskov.

Përveç familjes Assad, Rusia është kujdesur edhe për familjen e ish-presidentit të Serbisë, Slobodan Millosheviç, i cili u padit në vitin 1999 për krime lufte, përfshirë gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.

Mirjana Markoviç, gruaja e Millosheviçit, u largua nga Serbia pasi ky i fundit u ekstradua në Gjykatën Penale Ndërkombëtare në Hagë, ku u gjykua për krime lufte dhe gjenocid të kryera gjatë luftërave në Ballkan në vitet 1990.

Ajo nuk ishte në dispozicion të autoriteteve gjyqësore të Serbisë dhe në vitin 2005 për të ishte lëshuar një flet-arrest ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse ajo nuk mori pjesë në funeralin e Millosheviçit në oborrin e shtëpisë së familjes në vitin 2006.

Ajo jetoi në Rusi që nga viti 2003, ku ajo dhe djali i saj Marko morën azil dhe vdiq në vitin 2019, pas 16 vitesh shmangie nga drejtësia në Serbi, ku dyshohej për korrupsion dhe krim të organizuar.

Askar Akayev, presidenti i rrëzuar i Kirgistanit, erdhi në Rusi pasi iku nga protestat në rrugë të njohura si Revolucioni i Tulipanëve në 2005.

Ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych shkoi në mërgim në Rusi, duke pretenduar se ishte ende kreu legjitim i shtetit. Më 18 qershor 2015, Yanukovych iu hoq zyrtarisht titulli i presidentit nga parlamenti. Më 24 janar 2019, ai u dënua në mungesë me trembëdhjetë vjet burg për tradhti të lartë nga një gjykatë ukrainase.

Yanukovych u largua nga Kievi gjatë natës së 21–22 shkurt 2014 dhe fillimisht u zhvendos në Kharkiv. Në një konferencë shtypi disa ditë pasi u largua nga Kievi, Yanukovych pretendoi se në atë kohë ai nuk “iku askund”, por se makina e tij u qëllua “me pushkë automatike ” ndërsa ai u largua nga Kievi për në Kharkiv “për të takuar përfaqësuesit e partive lokale. Dhe më pas ai u detyrua të lëvizte nëpër Ukrainë mes frikës për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Sipas Shërbimit Kufitar Shtetëror të Ukrainës, Yanukovych u përpoq të largohej nga Ukraina nëpërmjet një fluturimi çarter nga Donetsk, por u ndalua nga rojet kufitare. Putin dhe Yanukovych më vonë deklaruan se forcat ruse ndihmuan Yanukovych të fluturonte për në Rusi nëpërmjet Krimesë më 24 shkurt 2014.

Reputacioni i Moskës si një qytet që mirëpret autokratët e rrëzuar u rrit në vitin 2004, kur kryebashkiaku i atëhershëm Yuri Lushkov i dha një avion privat Aslan Abashidze , udhëheqësit separatist të rajonit Adjara të Gjeorgjisë. Abashidze gjithashtu dyshohet se jeton në Moskë.

Megjithatë, Moska nuk i pranoi të gjithë ata që kërkuan strehim.

Pasi humbi pushtetin në Gjermaninë Lindore, Erich Honecker dhe gruaja e tij Margot Honecker, e njohur si “Shtriga e purpurt” sepse ajo i lyente flokët në ngjyrë vjollcë dhe mbështeti politikat represive, ikën në Moskë nga një bazë ajrore sovjetike në Gjermani.

Ata u strehuan në ambasadën e Kilit, por presidenti Boris Yeltsin i ktheu në Gjermani.

Në vitin 1998, lideri i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, Abdullah Öcalan, u arratis nga Siria në Moskë. Megjithatë, rusët nuk e donin dhe avioni u dërgua në Afrikë, ku u arrestua.

Dy vjet më parë, Putin nënshkroi personalisht një dekret që i jepte nënshtetësinë ish-bashkëpunëtorit të shërbimeve të inteligjencës amerikane, Edward Snowden, i cili zbuloi informacione rreth operacioneve sekrete të SHBA-së.

Snowden ka jetuar në mërgim në Rusi që nga viti 2013, kur ai zbuloi informacione në lidhje me programin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA-së (NSA) që vuri në rrezik miliona qytetarë amerikanë.

Në fund të gushtit, TASS shkroi, duke iu referuar deklaratës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, se më shumë se 400 shtetas të huaj nga “vendet armike që ndajnë vlerat shpirtërore dhe kulturore ruse dhe që paraqitën një kërkesë iu dha azil në Rusi”.

Shumica e qytetarëve të kësaj kategorie kanë ardhur në Rusi nga Gjermania, Letonia, Lituania, Estonia dhe Kanadaja.