Kosova
Nga frika e një lepuri, Vuçiçi gjuetar blen armë të shtrenjta që s’i përdor dot
Sipas shkrimtarit dhe publicistit Ben Blushi, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, gjithmonë e më shumë i ngjan po një gjuetari që blen armë të shtrenjta duke e ditur që nuk do t’i përdorë dot. Sipas tij, Vucic, njëlloj si një gjuetar amator, ekspozon armët në murin e shtëpisë dhe ua tregon miqve gjithë ngazëllim, por sic tha ai, fjala në fshat është hapur dhe kaq mjafton që komshinjtë të tremben.
Blushi shkruan se, duke menduar si gjuetar, Aleksandër Vuçiç bleu këto ditë, 12 avionë luftarakë francezë Rafale për 3 miliardë dollarë, një shifër sa dyfishi i buxhetit të tij vjetor të ushtrisë.
“Nëse shumica e buxhetit prej 1.5 miliardë dollarë në vit shkon për paga, ushqime, armatime të lehta si dhe për të mbajtur të vajisur makinën e tij të luftës, kuptohet se sa të vështirë do ta ketë Serbia ta paguajë për disa vjet, faturën e lartë të avionëve francezë të cilët do t’i dorëzohen pas pesë vitesh, pra vetëm në vitin 2029” – ka shkruar Blushi duke shtruar pyetjen-Atëherë për çfarë e bëri Serbia këtë sakrificë financiare?
Sipas tij, si lëvizje diplomatike ajo ndoshta është e zgjuar, por si manovër ushtarake nuk ka shumë vlerë. Shkrimtari dhe publicist shkruan se Aleksandër Vuçiç zgjodhi t’i blejë avionët luftarakë në Francë dhe jo diku tjetër sepse për këtë shkak, Franca pranoi të bllokojë anëtarsimin e Kosovës në Këshilin e Evropës.
“Një ditë pas ketij votimi, si një gjuetar që kishte humbur rrugën, Aleksandër Vuçiç shkoi në Paris, u mbyll tre orë në zyrë me Emanuel Macron dhe kur doli, e kishte fytyrën të qeshur por xhepat bosh. Sapo kishte dalë nga dyqani më i shtrenjtë i botës. Siç vepron me rrobat dhe parfumet Franca vepron dhe me armët. Ajo shet vetëm mallra lluksi dhe avionet Rafale janë te tillë, 115 milionë dollarë copa…
Blushi shkruan se edhe pse në vitrinën militare të botës kishte armë më të lira, që mund t’ia plotësonin gjuetarit nevojën për të trembur komshinjtë, Aleksandër Vuçiç zgjodhi Francën.
Në këtë mënyrë ai nuk bleu armë por bleu mbështetjen e Francës dhe deri diku edhe të Evropës që rreshtohet pas saj.
“Duket për të qeshur, por ndoshta ngujimi katër mujor i shqiptarit Lulzim Hetemi në zyrën e një komune serbe në Leposaviq të Kosovës ia ka rritur çmimin avionëve ushtarakë. Është njëlloj sikur gjuetari të blejë armë më të shtenjta nga frika se një lepur i ka hyrë pa leje në shtëpi. Kjo do të thotë se aventurat e Kosovës në Veri, e kanë një të mirë: ato shtojnë shpenzimet e lluksit në buxhetin e Serbisë. Ky ngushëllim nuk justifikon çdo lëvizje të Kosovës në veri dhe nuk është arsye për të vazhduar, por siç ka arsye të frikësohesh kur armiku harxhon shumë, ka arsye të qeshësh kur ai harxhon kot” – ka theksuar jo pa nota ironike Ben Blushi