Politike
Nga Meta, Mediu, Idrizi e Dule tek Selami Jenisheri e Kujtim Gjuzi, cilët janë 25 aleatët e Berishës për koalicionin

Partia Demokratike nuk do të ketë koalicionin më të madh që ka realizuar ndonjëherë para zgjedhjeve, megjithatë ka arritur që të fusë në një listë gjysmën e partive për zgjedhjet e 11 majit.
Në limitet kohore, rreth 20 minuta para skadimit të afatit të vendosur nga KQZ, demokratët kanë marrë edhe firmën e fundit në dokumentin prej 34 faqesh të dorëzuar pranë zyrës së Ilirjan Celibashit: atë të Shpëti Idrizit.
Emri i koalicionit do të jetë “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, në ndryshim nga emërtimi “Aleanca për Ndryshim” në 2021 dhe “Aleanca për Shqipërinë Europiane” në 2013.
PL e Ilir Metës do të marrë 4 deputetë në lista të sigurta, ndërsa nga 1 do të marrin Fatmir Mediu, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Agron Duka. Kështu çamët dhe grekët bashkohen rreth Berishës i cili ka lënë në këtë mënyrë 8 mandate të sigurta për aleatët.
Koalicioni përmban 26 parti dhe drejtues i saj do të jetë Sali Berisha.
“Numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti pjesë e koalicionit, do të specifikohet në momentin e depozitimit të listës shumëemërore të kandidatëve, sipas formatit të fletës së votimit të përcakuar nga KQZ në këto zgjedhje. Në listën shumëemërore të koalicionit do të përfshihen, për çdo parti të Koalicionit, numri i kandidatëve dhe renditja e tyre, bazuar në peshën elektorale dhe negociatat e zhvilluara nga secila parti”, thuhet në marrëveshjen e depozituar në KQZ.

