Connect with us

Shkrime

Nga Putini te Teleskopi Hapësinor Webb

HUFFPOST

Nga Riccardo Maggiolo

Nga Putini te Teleskopi Hapësinor Webb dhe e ardhmja

Sot dilema është, “të pezullojmë” progresin duke rrezikuar të shpërthejmë konfliktet sociale për shkak të pabarazive, apo të vazhdojmë ta ndjekim atë, duke rrezikuar shtëpinë tonë të përbashkët?
….
Vendimi i Vladimir Putin për të pezulluar furnizimet me gaz rus në Evropë nuk ngre vetëm pyetje në lidhje me afatin e shkurtër dhe të mesëm të saj por dhe si do mbijetojnë bizneset dhe me çfarë do të ngrohen njerëzit këtë dimër. Gjithashtu kjo na detyron të reflektojmë për një të ardhme më të largët, por ende të afërt, dhe se si përparimi njerëzor mund të përparojë duke ruajtur një lloj ekuilibri me Natyrën.

Rritja spektakolare ekonomike dhe, rrjedhimisht, sociale e përjetuar nga Perëndimi në dy shekujt e fundit ka qenë për shkak të disponueshmërisë së gjerë dhe të lirë të lëndëve djegëse fosile. Tani që kjo energji po bëhet gjithnjë e më e rrallë dhe e shtrenjtë, ne do të kthehemi – siç parashikoi së fundmi vetë presidenti Putin – në një ekonomi të bazuar në burime konkrete dhe materiale ose modeli kapitalist-financiar do të ketë sukses duke i dhënë jetë një të ardhmeje futuriste, por në të njëjtën kohë të qëndrueshme
Përpjekjet për t’i shpëtuar dilemës dhe për të shpëtuar “edhe dhinë, edhe lakrën”, simbolizohen te projekti “The line”, i prezantuar së fundmi nga Arabia Saudite.

Sipas këtij projekti, e ardhmja e njerëzimit do të ishte një ndërtim i madh, mbi 170 km i gjatë dhe 500 metra i lartë, por vetëm 200 metra i gjerë, pothuajse plotësisht i mbyllur në vetvete, pa hapje apo dritare me jashtë, i furnizuar plotësisht nga burimet e rinovueshme dhe do të ishte shtëpi për 9 milionë njerëz.

Ajo që të bie në sy në këtë projekt të “qytetit të së ardhmes së qëndrueshme”, përveç përmasave dhe ambicieve paroksizmale, është se ai parashikon një ndarje thuajse totale mes qenieve njerëzore dhe natyrës. Thuajse sikur qenia njerëzore tani është bërë aq e fuqishme sa duhet të mbrojë Natyrën duke e mbyllur veten në një kafaz. Nga një këndvështrim historik shumë afatgjatë, ky është një përmbysje e plotë e skenarit në krahasim me atë në të cilin u shfaqën speciet tona.

Historia e qenies njerëzore, në fakt, mund të interpretohet sipas një kriteri: aftësia e tij në rritje për të vepruar në grupe gjithnjë e më të mëdha, të organizuara dhe fleksibël për të ndryshuar mjedisin në avantazhin e tij. Falë kapacitetit tonë të jashtëzakonshëm bashkëpunues në rreth dy milionë vjet kemi kaluar nga grupe shumë të vogla të dominuara nga Natyra, në përpjekjet e para në një shoqëri globale pothuajse e aftë për të formësuar mjedisin sipas dëshirës së dikujt.

Pra, a jemi të destinuar të arrijmë një nivel të tillë përparimi sa të “skllavërojmë” mjedisin, apo të vdesim duke u përpjekur? A mund të ketë një të ardhme “pa Natyrën” apo historia do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme “kundër Natyrës” (dhe për rrjedhojë do ishte një histori humbëse)?

Ndoshta për të gjetur një përgjigje duhet të kërkojmë larg, aq sa na lejohet.
Prej disa javësh teleskopi hapësinor James Webb na ka dërguar imazhe spektakolare, me detaje të papara të universit tonë. Spektakolare, por, në të njëjtën kohë, në njëfarë kuptimi, dëshpëruese…Universi, në pafundësinë e tij të pakuptueshme, na duket krejtësisht bosh, dëshpërimisht i shkretë dhe i pabanuar. Deri më tani ne nuk kemi qenë në gjendje të shohim asgjë që mund të tregojë një qytetërim në një nivel teknologjik më të lartë se i yni, pra në gjendje, për shembull, të kontrollojmë energjinë e një ylli ose grupe planetësh. Për ta thënë pak me shaka, asnjë hapësirë ​​”The Line” nuk ka dalë ende, as nga gërmadha.

Megjithatë, universi ynë është mbi 13 miliardë vjet i vjetër. Përveç hapësirës së pamatshme, ka pasur më shumë se shumë kohë për zhvillimin e qytetërimeve të tjera. Kjo çon në disa përfundime të mundshme: ose jeta është jashtëzakonisht e rrallë në univers (por duke vëzhguar “sjelljen” e saj në Tokë, ku lind edhe në kushtet më ekstreme, duket e vështirë) ose çdo qytetërim shembet në një moment, i dërrmuar nga peshën e progresit të vet (dhe, nëse po, jemi shumë afër këtij pragu).

Megjithatë, ekziston një shpjegim i tretë i mundshëm. Në një moment të caktuar një qytetërim, pjesërisht nga nevoja, pjesërisht nga zgjedhje, “paloset në vetvete”. Në vend që të ushqejë urinë e tij për burime natyrore, ai i përkushtohet kultivimit të burimeve të tij kulturore; në vend që të eksplorojë sistematikisht hapësirën e jashtme, ai i përkushtohet asaj të brendshme. Prandaj, ai është i padukshëm për të tjerët, banor i një “universi mendor” të mundësuar nga mjetet e tij shumë të avancuara.

Por a do të jetë një qytetërim i tillë i populluar nga njerëz të urtë, të zhytur në meditim të përjetshëm, apo do jetë i banuar nga apo skllevër të droguar në një botë iluzore të mundësuar nga teknologjia? Ndoshta ne do të vazhdojmë të pyesim veten për këtë.

 

 

Advertisement