Politike
Nga qelia/ Meta shpall luftë totale kundër Ramës: Ka shitur Shqipërinë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka përcjellë një audio-mesazh nga qelia për të gjithë qytetarët shqiptarë. Meta u ka bërë thirrje mbështetësve të votojnë më 11 maj për të në listën e hapur të Tiranës dhe për kandidatët e partisë. Kreu i PL ironizoi edhe kandidatët e Partisë Socialiste, gjithashtu edhe kryeministrin Edi Rama. Meta ka akuzuar ashpër 12 vitet e qeverisjes socialiste, duke e cilësuar fitoren e opozitës në zgjedhjet e 11 majit si të pashmangshme.
Audio – mesazhi i Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta:
Fitorja i zgjidh të gjitha! Prandaj të gjithë faktorët opozitarë tani kanë vetëm një rrugë, për t’i dhënë një zgjidhje historike së ardhmes së Shqipërisë, duke ndëshkuar përgjithmonë pengmarrësit e demokracisë, llogaridhënies, parlamentarizmit, integrimit uuropian të vendit, por edhe pengmarrësit jo vetëm të Partisë Socialiste, por edhe të opozitës në veçanti. Atij që e keqpërdori pushtetin për të blerë, korruptuar e shantazhuar drejtuesit e opozitës dhe që sot nxjerr lotë “krokodili” për primaret e PD-së, të cilat janë si dita me natën me përzgjedhjet e tij personale në errësirë si Kryetari i Organizatës me anonimët pafund, shumica të rekomanduar nga bandat e njohura. Po kështu, ai kërkon të shmangë vëmendjen nga asgjësimi përfundimtar që po u bën socialistëve të paktë që i kishte mbajtur deri tani, sa për shenjë.
Ai që në 2021–shin kandidoi i teti në Durrës dhe kishte kopsitur rezultatin me bandat dhe partnerin e tij të errësirës së 17 Majit, tani është kyçur i pari në bunkerin e listave të mbyllura bashkë me gjithë anonimët, që nesër s’mund t’i kërkojnë dot llogari për humbjen. Ai të cilit, as socialistët nuk ja njohin për fytyrë të paktën 3/4 e Ministrave, ka hallin e kontributeve të 2 apo 3 demokratëve të papërfshirë në listat e opozitës. Ai që është kyçur sy më sy me vetveten dhe e ka tmerr të dalë me gazetarë të pavarur, ka hallin e demokracisë. Ndaj opozita e ka rrugën e qartë për të korrigjuar edhe çështjen e listave të mbyllura njëherë e përgjithmonë. Ishte Edi Rama ai që kushtëzoi qëllimisht me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 listat e mbyllura, pikërisht për të shndëruar Kuvendin, siç është sot, në një “noter” të korrupsionit të tij skizofrenik.
Ndaj fitorja plotësisht e mundshme me 84 mandate e opozitës, garanton edhe hapjen e plotë të listave përgjithmonë edhe pa Ramën.Për këtë, garanci është Partia e Lirisë që ka qenë kundër këtij projekti të mbylljes së listave që në vitin 2008. Për këtë garant është edhe vet premtimi publik i Z. Berisha, i cili ka deklaruar se është pro listave të hapura. Për këtë, garant do të jenë edhe gati 40 deputetë të opozitës që do të zgjidhen nga listat e hapura më 11 Maj. Ndaj të përqëndrohemi të gjithë tek programi ynë i shkëlqyer që i jep fund Narkoekonomisë, ekonomisë klienteliste dhe kriminale në shërbim të pakicës dhe të votojmë për një Shqipëri prodhuese dhe eksportuese, në interesin e të gjithë shqiptarëve. Arritjet më të mëdha integruese nuk kanë aspak lidhje me shakaxhiun dhe penguesin e integrimit, i cili s’ka asnjë meritë në liberalizimin e vizave, arritja më e madhe në Bashkimin Europian, që u realizua nga koalicioni PD – LSI.
Dhe mos harroni që publikisht ai paralajmëronte Bashkimin Europian, se kjo do të sillte largimin e shqiptarëve drejt Bashkimit Europian dhe kjo ndodhi, por shumë vite më vonë si rezultat i programit të tij shpopullues. Asnjë kontribut nuk ka ai për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, kur besoj nuk e keni harruar dhe një miting dëshpërues që bëri pas kësaj ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Dhe po kështu të gjithë e dinë “kontributin” e tij në vizitën historike të Presidentit Bush, ku ai, në Krah të Kryeministrit Berisha në atë kohë, shpalli edhe Pavarësinë e Kosovës nga Tirana. Ah për pak harrova, i vetmi kontribut i tij është që shpiku vjedhjen e orës të Presidentit Bush që u bë lajm botëror pikërisht nga xhelozia.
Ndaj të gjithë të përqëndrohemi në programin tonë të shkëlqyer që është në interest të të gjithë shqiptarëve. Të gjithë të përqëndrohemi në një Fitore Madhështore që garanton Shqipërinë Madhështore, pikërisht Shqipërinë si fuqi eksportuese.

