Politike
Nga udhëtimet luksoze deri te shumat e majme/ DASH zbardh dosjen hetimore ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal!

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar dosjen me hetimet ndaj ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal.
McGonigal është një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së mbi të cilin rëndojnë dy akuza, mes të tjerash, për udhëtime me shpenzime të paguara në Tiranë ku është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe për marrjen e një shume prej 225 mijë dollarësh nga një shqiptaro-amerikan.
Në konkluzionet e dosjes hetimore të publikuar nga DASH thuhet se: “Veprimet e McGonigal, ndërsa shërbente si zyrtar i lartë i FBI-së i ngarkuar me mbikëqyrjen e çështjeve të ndjeshme të kundërzbulimit dhe kriminalitetit, ishin të jashtëzakonshme dhe cenonin vlerat thelbësore të FBI-së: integritetin, përgjegjshmërinë dhe udhëheqjen që priten nga të gjithë punonjësit e saj. Përmes skemës së tij, McGonigal dëmtoi qëllimisht një çështje të rëndësishme penale, shkeli besimin e publikut dhe komprometoi integritetin e FBI-së”.
Na faqen nr 5 të dosjes, DASH ndalet te udhëtimet e McGonogal në Shqipëri dhe te takimet e ish-agjentit të FBI-së me kryeministrin Edi Rama.
“Ne e arritëm në përfundimin se McGonigal keqpërdori informacion konfidencial të një çështjeje për përfitim personal dhe për përfitimin e një personi tjetër, duke shkelur rregulloren 5 C.F.R. § 2635.703.
McGonigal gjithashtu ka shkelur Kodin e Shkeljeve të FBI-së 2.12 dhe Udhëzuesin e Politikës së Etikës dhe Integritetit të FBI-së, i cili përfshin udhëzimet dhe ndalimet etike të përcaktuara në Standardet e Sjelljes Etike”, thuhet në dosjen e DASH.
McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.
Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë.
I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë.
Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.
Akuzat që rëndojnë ndaj tij lidhen me faktin se ai ka dështuar të raportojë në sistemin e mbrojtjes së integritetit të zyrtarëve të FBI-së përfitimet në para të thata dhe në mbulime shpenzimesh udhëtimi si dhe takimet me zyrtarët e huaj, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë.

