Connect with us

Shkrime

Ngazëllim në Shqipëri, Nikola Maduro ra, tani rradhën e ka Edi Rama

Nga Alfred Lela

Kapja e Nicola Maduros nga forcat amerikane, dhe shoqërimi i tij drejt Nju Jorkut ku pritet të dalë në gjyq, u prit në Shqipëri me ngazëllimin e kalimit të një komete ngjitur me Kepin e Palit.

Më shumë se kërshëria e zakonshme për spektaklin hollivudian të kapjes së kaudiljos latino-amerikan, kjo erdhi për shkak të disa ngjashmërive dhe pritshmërive. Gossipi mediatik e urban, shoqëruar edhe me rrethana, fakte apo analitikë, e sheh Kryeministrin Rama të tëhuajësuar me administratën Trump, pavarësisht përpjekjeve për të përdorur aleatë në Europën Qendrore apo në Lindjen e Mesme për të siguruar akses në Shtëpinë e Bardhë.

Kjo ftohtësi amerikane i ka rrënjët në tri arsye: dosja McGonigal, ku Rama është i pranishëm në rol aspak episodik; përqeshja që Kryeministri i bëri një lapsusi të Presidentit Trump në një samit të liderëve europianë; dhe, këmbëngulja e administratës Trump në luftën kundër drogës, përballë një appeasement të Edi Ramës në raport me fenomenin.

Ajo që duket më qartë, edhe pse nuk thuhet zyrtarisht, është Edi Rama që ka instaluar në Tiranë një qeveri me akses të gjerë të narkotrafikut, siç dëshmohet, më së paku, në rastet e Luftar Hysës që u dizajnua nga administrata Trump si ‘llogaritari’ i kartelit Sinaloa, dhe dosjen e sapodalë e Ergys Agasit, mikut të Kryeministrit dhe koordinatorit informal të tij me botën e krimit.

I dukshëm, edhe pse nëntekstual, ka qenë edhe qëndrimi amerikan për zgjedhjet e 11 majit. Në urimin përkatës të Departamentit të Shtetit urohej ‘populli shqiptar’, jo qeveria. Një dallim total nga raste të tjera, të asokohe dhe më vonë, të disa vendeve në Amerikën e Jugut, ku krerët e qeverive përmendeshin me emër dhe uroheshin për zgjedhjet.

Megjithatë, më i qarti ndër të gjithë qëndrimet amerikane ka qenë ai që mund të konsiderohet edhe si “Doktrina Trump”, një paradigmë politiko-shoqërore, shtyrë me gjasë sa nga besimi i Presidentit, edhe nga baza konservatore e koaliconit që e mbështet, lufta e pakompromis kundër drogës, e cila është bërë mediatike si ‘lufta kundër karteleve’.

Nëse bëni një kërkim në qëndrimet e Ambasadës amerikane, të ngarkuarës me punë Nancy van Horn, apo të emisarëve nga Uashingtoni zbritur në Tiranë që nga ardhja e Presidentit Trump në pushtet, do të vini re se lufta kundër narcos, trafikut të drogës, karteleve dhe krimit të organizuar shfaqet e pandërprerë dhe e pakompromis me një këmbëngulje pelegrine.

Ky profil, edhe pse nuk e bën tekstualisht të ngjashëm Ramën me Maduron, ka ndërtuar për shërbimet dhe administratën e re amerikane portretin e një partneri që i shmanget trashë asaj që ata quajnë ‘rules based order’. Edhe pse ky term i referohet rendit ndërkombëtar, pra mardhënies mes shteteve, vlen edhe për politikën e brendshme dhe si ajo reflektohet te e jashtmja, sidomos në këto kohë kur tregjet, politikat dhe ideologjitë janë të ndërfutura dhe të ndërlidhura globalisht.

Në një shënim që mund të shihet si footnote, për krahasim të profileve Rama-Maduro, jo dhe aq si shqetësim amerikan, të dy udhëheqësit mund të konsiderohen si përzënës të popullatave të tyre. Nga Venezula, nën Maduron, kanë ikur 8 milion njerëz, në një popullatë prej 28 milion. Nga Shqipëria, nën Ramën, rreth 1.1 milion, në një popullatë prej 3.5 milion. Në terma të numrave Maduro kryeson, por në terma të raportit me popullsinë, Rama është kampion pasi ka larguar 1/3 e popullit që ka qeverisur.

Kështu që, në Tiranë, edhe pse disa prej reagimeve të opozitarëve ngjanin patetike, duhen kuptuar. Në shtete të kapura, në vende ku vija e kuqe mes krimit dhe qeverisë është hijezuar ose zhdukur, në procese zgjedhore të shndërruara në farsa, ku rezutati vendoset pa shkuar në kutitë e votimit, njerëzve u mbetet shpresa si instrument i parafundit, dhe pritja për një zgjidhje Deus ex machina (ndërhyrje nga Zoti).

Ngazëllimi i shqiptarëve sot nuk ishte me aktin ala Rambo të forcave amerikane, por me atë se, te Presidenti Trump ata njohën zgjidhjen e vetme me shpresë, një deus ex machina, për t’u hequr qafe një njeri që, duke përmbysur rendin e rregullave dhe standardeve demokratike, duke futur në tempull tregtarët e çdo gjëje dhe banditët, ka vrarë kodet dhe frikën nga Zoti.

Kapja e Maduros në zgripin e së shtunës dhe ngazëllimi shqiptar, bazohej te besimi se, pa frikën nga Zoti shoqëritë janë të prira për kah kaosi dhe rënia. Është dëshpërimi i një vendi, i cili, për shkak të pafuqisë mund të ngjajë dhe patetik.

Advertisement