Kronike
Ngre në këmbë FNSH-në natën e Krishtlindjeve, u shfaqën gjurmë të tij?
KURBIN – Teksa fati i Ervis Martinajt ende mbetet mister, policia, RENEA dhe FNSH kanë bastisur orët e para të mëngjesit banesën e tij në Fushë Kuqe. Deri më tani nuk dihen se çfarë ka gjetur policia në banesën e Ervis Martinajt, ndërtesë kjo e fortifikuar me mure të larta me hekura dhe me kamera sigurie. Për fatin e Ervis Martinajt është aluduar në dy versione që ende nuk konfirmohen nga autoritetet. E para është që ai mund të jetë rrëmbyer dhe më pas zhdukur, ndërsa versioni i dytë është ajo i inskenimit nga vetë Martinaj të zhdukjes së tij. Edhe vetë Martinaj për shkak të të shkuarës që e lidhte gjerësisht me krimin, është cilësuar edhe si mjeshtri i rrëmbimeve, ndaj dyshimet janë të forta edhe për një inseknim të mundshëm. Ndërkohë burime bëjnë të ditur se aksioni në Fushë Kuqe ka ardhur pas disa informacioneve se në banesën e Ervis Martinajt në Fushë Kuqe ka lëvizje. Duke qenë edhe dita e shënuar e Krishtlindjeve, mësohet se ka pasur informacion se Ervis Martinaj mund të shfaqej në zonë apo pranë familjes së tij pas 5 muajsh i shpallur si i zhdukur. Megjithatë deri më tani autoritetet janë treguar hermetike dhe nuk kanë konfirmuar nëse kanë rënë në gjurmët e Ervis Martinajt pas aksionit të zhvilluar. Kujtojmë se dy ditë më parë FNSH dhe RENEA zbarkuan në Vlorë ku u ngritën disa postblloqe. Të njëjtat burime bëjnë të ditur për Abcnews.al, se edhe për aksionin në Vlorë kishte informacion se mund të gjendeshin gjurmë të Ervis Martinajt. Babai i 4 fëmijëve, Ervis Martinaj, bëri një pasuri marramendëse në botën e lojrave të fatit dhe të krimit. Ekspertët kanë theksuar se gjeja kryesore që ai investonte ishte në teknologji. Kjo vihet re edhe në banesën e Ervis Martinajt, e cila vijon të ruhet me kamera të sigurisë së lartë. Burime raportojnë se Martinaj dhe grupi i tij kishte instaluar kamera përgjatë bazës së tyre në Fushë Kuqe. Madje kamera sigurie të fshehura sipas të njëjtit burim ka pasur edhe në kryeqëzimin e Patakut. Pra Ervis Martinaj donte që të ishte një hapa para rrezikut, duke vëzhguar çdo lëvizje në rrugë. Ervis Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Në harkun kohor të 5 muajve, policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete, ndërsa disa edhe janë zbuluar për mediat. Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Dumani akuzonte Martinajn se i ka ofruar 500 mijë euro për të eliminuar fizikisht Endrit Doklen, ish anëtarin famëkeq të Bandës së Durrësit. Një efektiv policie Jeton Lami, u la në në burg me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe agjent i forcave operacionale në Policinë e Shtetit, Jeton Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës. Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.