Aktualitet
Ngrihet “Task Forca” për zgjedhjet/ Prokurorët e SPAK shpërndahen, Dumani ‘qëndron’ në Tiranë
Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka hartuar një plan masash për të hetuar krimet zgjedhore që (mund) të ndodhin para dhe gjatë procesit të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Për të monitoruar terrein, SPAK ka ngritur një “Task Forcë” që do të drejtohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani dhe do të ketë disa grupe hetimore në terren të ndarë sipas qarqeve të vendit. Aktualisht ka dalë një listë paraprakë se ku do të jenë të vendosur task-forcat dhe se cilët qarqe do të hetojnë prokurorët.
Vetëm qarku i Tiranës dhe ai i Vlorës ka nga 3 prokurorë, ndërsa të tjerët të gjithë nga një. Në Tiranë, do të vëzhgojnë Altin Dumani, Adnan Xholi dhe Klodian Braho. Të tjerët janë të ndarë kështu: Arben Kraja në Gjirokastër; Ols Dado në Elbasan; Dritan Prençi në Shkodër; Anita Jella në Kukës; Behar Dibra në Berat; Edvin Kondili në Durrës; Doloreza Musabelliu në Fier; Sotir Kllapi në Fier; Ervin Gokaj në Dibër; Vladimir Mara në Korçë; Elida Kaçkini, Bledar Maksuti dhe Manjola Kajana janë caktuar në Vlorë.
Dje, Prokuroria e Posaçme bëri me dije ka ngritur një task forcë, e cila do të përfshijë prokurorë, hetues të BKH-së, hetues financiarë, ekspertë dhe staf administrativ mbështetës, të cilët do të fokusohen në parandalimin dhe hetimin e veprave penale që lidhen me përdorimin e administratës publike, infrastrukturës shtetërore, dhe përfshirjen e grupeve kriminale në procesin zgjedhor.
Po ashtu, do të ngrihet një grup pune më përbërje hetues të hetimit financiar dhe ekspertë të tjerë të fushës në Prokurorinë e Posaçme do të monitorojnë përdorimin e buxhetit dhe investimet publike të cilët nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme. Pjesë e planit strategjik është edhe një platformë e posaçme për denoncime nga qytetarët dhe institucionet, duke përfshirë një numër emergjent, raportime online dhe adresë email-i. SPAK ka paralajmëruar edhe 4 veprat penale që rrezikojnë kundravajtësit, të parashikuara në ligj nga korrupsioni në zgjedhje tek veprat penale në kuadër të krimit zgjedhor e kryer nga zyrtarë të lartë publikë.