Kosova
Nis gjykimi në Hagë për ish pjesëtarin e UÇK-së
Ka nisur në dhomat e specializuara në Hagë gjykimi për ish pjesëtarin e UÇK Pjetër Shala i cili akuzohet për krime lufte. Pas leximit të aktakuzës, Pjetër Shala është deklaruar i pafajshëm, duke i konsideruar shpifje dhe trillime.
Sipas aktakuzës, Shala akuzohet se ka kryer katër vepra penale gjatë luftës, ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Versioni i parë i Aktakuzës kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar dhe e korrigjuar u dorëzua në Hagë më 1 nëntor 2021.
“Pretendohet se krimet u kryen afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se shfrytëzohej nga UÇK”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Pjetër Shala ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletë-arrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Gjykata Speciale.