Politike
Nisma e Ramës për Drejtësinë, reagon SHBA-BE: E nxituar, të jetë gjithëpërfshirëse
Në Shqipëri ambasada amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit europian këmbëngulin në nevojën e gjithëpërfshirjes në procesin përmes së cilit, shumica socialiste e kryeministrit Edi Rama, synon realizimin e një cikli të ri reformash që do të duhet të trajtojnë problemet e mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.
Dy përfaqësitë kryesore diplomatike në Tiranë, komentuan për Zërin e Amerikës hapat e hedhur në parlament për këtë nismë, ku brenda katër ditësh u miratua rezoluta e më pas dhe ngritja e një komisioni të posaçëm. Ambasada amerikane “vëren nxitimin me të cilin u kaluan në parlament rezoluta dhe vendimi”. Ndërsa Delegacioni i BE-së nga ana e tij, vë në dukje faktin që ngritja e komisionit u bë “pa mbështetjen e opozitës”. Kjo e fundit ka shprehur skepticizëm të hapur ndaj kësaj nisme dhe në të dy rastet zgjodhi të bojkotojë votimin e tyre në parlament.
Si në rezolutë ashtu dhe në objektin e punës së Komisionit të Posaçëm, flitet për një proces të thelluar reformimi “për të përmirësuar dhe konsoliduar praktikat e mirëqeverisjes në të gjitha nivelet”, për “një luftë më të thellë ndaj korrupsionit” dhe “forcimin e mëtejshëm të zbatimit të ligjit”. Komisioni do duhet të realizojë “një vlerësim dhe analizë të situatës në të tre fushat” dhe më pas të kalojë në “hartimin dhe miratimin e një Plani veprimi me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale”.
Ndonëse në dokumentat e propozuara prej saj, shumica flet për një proces gjithëpërfshirës shoqëruar me konsultime të gjera, mënyra se si ajo avancoi me shpejtësi, përballë një opozite që po i kritikonte hapat e saj, duket se ka bërë që si ambasada amerikane ashtu dhe Delegacioni i BE-së, t’i mëshojnë me forcë këtij momenti. “Besojmë se procesi i propozuar kërkon një diskutim të bashkërenduar, gjithëpërfshirës me të gjithë aktorët, çka është kyç për suksesin e punës se komisionit të posaçëm”, shprehet ambasada amerikane duke vënë në dukje se diçka e tillë do të jetë po ashtu “kyçe dhe për mbështetjen tonë për të”.
Debatet që kanë shoqëruar nismën e socialistëve kanë ushqyer shqetësime për ndërhyrje të mundshme në reformën në Drejtësi, e cila pati SHBA-të dhe BE-në si sponsorët e saj të fuqishëm. Në dokumentat e miratuara socialistët zotohen të garantojnë “pakthyeshmërinë” e kësaj reforme. E megjithatë, ambasada amerikane në komentet e saj për Zërin e Amerikës shprehet se “theksojmë angazhimet e ndërmarra brenda masave të miratuara në parlament për pakthyeshmërinë e reformës në drejtësi, angazhime të cilat njohin shtyllat dhe parimet kushtetuese që janë në themel të reformës në drejtësi të miratuar në vitin 2016. Kjo përfshin pavarësinë dhe paanësinë e institucioneve të drejtësisë dhe vetëqeverisjes së sistemit të drejtësisë. Këto parime janë kyçe për punën e komisionit të posaçëm për të çuar përpara mirëqeverisjen, luftën kundër korrupsionit dhe sundimin e ligjit”. Edhe Delegacioni i BE-së vë në dukje se “parimi kryesor duhet të jetë pakthyeshmëria e reformës në drejtësi të vitit 2016”./VOA