Connect with us

Shkrime

Një agresion që duhet të rikthejë Perëndimin në Kosovë

Nga Mero Baze

Reagimi i forcave të policisë së Kosovës është proporcional, profesional, dhe i justifikuar në çdo detaj, që nga asgjësimet e deri tek arrestimet dhe marrja nën kontroll e objektit.

Humbja e një oficeri të policisë së Kosovës, është ngjarja më e hidhur që do ta shoqërojë gjatë këtë histori agresioni kundër Kosovës. Aq më tepër që duket qartë se agresorët janë elementë terroristë të trajnuar ose vetë pjesë e strukturave ushtarake apo policore të Serbisë.

Pasojat e këtij sulmi do të jenë të rënda s ai takon të ardhmes së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe akoma më tej rreth rëndësisë së pranisë perëndimore në Kosovë.

Efekti i parë i këtij akti do të jetë kthimi i veriut të Kosovës në një “Republikë të KFOR”, ku ndërkombëtarët duhet të marrin situatën e sigurisë nën kontroll dhe të diktojnë paqen dhe bashkëjetesën mes shqiptarëve dhe serbve atje dhe mbi të gjitha të largojnë elementet kriminal që bëjnë presion mbi bashkjetesën paqësore.
Kjo është natyrisht një humbje e pjesshme e sovranitetit të Kosovës mbi Veriun, por një postbllok i sigurt kundër përshkallëzimit të konfliktit dhe krijimit të një vatre të re krize në rajon.

Efekti i dytë duhet të jetë serioziteti me të cilin bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë situatën në raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe ta nxjerr dialogun nga axhenda burokratike duke e ngritur në një axhendë politike të BE dhe SHBA, siç ka nisur vetë çështja e Kosovës.
Emisarët evropian dhe amerikanë të bisedimeve rreth Kosovës, kanë nevojë për një energji të re të presionit mbi palët, që nuk mund të jetë më kompetencë e tyre, por e liderëve të BE dhe SHBA.

Efekti i tretë por dhe më i rëndësishmi për Kosovën, është nevoja që më shumë se kurrë ata të forcojnë aleancën me Perëndimin me BE dhe SHBA, të cilët duhet t’i kenë në anën e tyre në këtë histori.

Agresioni i sotëm ndaj Republikës së Kosovës, e kalon të drejtën në anën e Kosovës dhe bashkë me këtë kalon dhe mbështetjen ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës.

Deklaratat e papërgjegjshme kundër SHBA dhe BE, duhet të marrin fund ose duhet të trajtohen si eksese personale politikanësh të frustruar. Çdokush që përpiqet të armiqësojë Kosovën me perëndimin në këtë situatë është shërbëtori më i mirë i Aleksandër Vuçiq dhe bandave paramilitare që po sulmojnë Kosovën.

Advertisement