Shkrime
Një dolli për qentë e Gjirokastrës që i shpëtuan tredhjes
Nga Agron Gjekmarkaj
Prej kohesh si re e zezë mbi qentë e Gjirokastrës vërtitej një kërcënim zhburrërues e kobzi. Lajmi se do të tredheshin tmerroi të madh e të vogël. Ata vetë e kishin ndjerë zezonën dhe me intensitet e brengë po jetonin çastet e fundit të zdërhalljes virile. Qyteti i gurtë prej disa muajsh po vajiste qëskaçet, me të cilat do kryhej akti i llahtarshëm. Në sokaqe po kaq dëgjohej mprehja e tyre.
Natën vonë të këpusnin shpirtin me kuisjet të cilat mallkonin Kryetarin e Bashkisë për vendimin e pabesë. Nuk po kuptonin ç’të keq kishin njerëzit nga mbarështimi i tyre? Punët e sevdasë po koklaviteshin për ta. Lehjet e gjata dhe shikimet e përvajshme po shënonin kalimin në fazën platonike. Përbetimet e tyre thyenin çdo cak të fantazisë. Trupin po na e marrin po shpirtin jo kurrë. Qeneshat qanin jo aq të lumtura për këtë agoni. Intelektualet e qytetit heshtën.
Zëri i tyre mungoi në mbrojtje të kafshëve. Askush nuk u doli në krah. Sakatimi fizik i hapte rruge dëlirësisë shpirtërore thonin disa ndonëse po prishej ekuilibri natyror dhe çmimi ishte gjymtues. Të tjerë kujtonin eunukët në pallatin sulltanor. Po pyetjes pse duhen qen eunuk askush me saktësi nuk i përgjigjej. Shumë nga qentë gjirokastritë pos hallit patën edhe vrarje të madhe në ndërgjegje që nuk u solidarizuan me ata të Kukësit të cilët në vetmi qenë të parët të cilët u përballen me krusmën fatale.
Ndodhi proçka dhe ata shpëtuan. Namat e tyre ranë mbi ideatorët që do këpusnin leket e buxhetit të bashkisë dhe veglat e atyre qenve malësore njëherësh. Ata jetonin me djersen e ballit. Lufta dhe betejat e tyre vunë në mendime politiken lokale të Gjirokastrës e cila hoqi dorë nga tenderi i armiqësisë së përjetshme me qentë ashik. Prej ditësh në media qarkullon lajm i bekuar se ato kafshe unike i shpëtuan satërit.
Ndoshta ky ishte ankthi e makthi më i madh i verës. Çlirimi prej tij po festohet siç i ka hije. Kudo me germa kapitale e lehje feste. I ftoj gjithë deputet e Kuvendit të ngrenë një dolli shyqyri se idera të tilla një zot e di ku e kanë fundin.