Aktualitet
“Një ish-zyrtar punon spiun” – “Çelësi” lëviz i lirë, bën si atdhetar në media
Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, ka bërë sot një deklaratë të fortë, teksa foli për spiunin shqiptar “Çelësi”. Ai tha në emisionin “Top Talk” se “Çelësi” është një ish-zyrtar i shtetit që punon si spiun dhe që vazhdon të lëvizë i lirë.
Madje, Karamuço u shpreh se në disa raste këtë person e ka parë të dalë edhe në intervista televizive, ku sipas tij ka folur si atdhetar.
“Ne do i shkojmë deri në fund ndëshkimit të të gjithë personave që brenda ose jashtë shërbimit janë të faktuar për spiunazh. Siç kemi informacion, “Çelësi” vazhdon lëviz i qetë, madje e kemi parë dy-tre herë edhe në televizione që del e flet si atdhetar i madh, këto gjëra duhet të marrin fund. Rezidenti jepte informacione të sekretit shtetëror dhe në këmbim të kësaj shkollonte fëmijën jashtë vendit.
Bëhet fjalë për një zyrtar të shtetit shqiptar, ndërsa personi i huaj që bënte pagesat në lidhje me informacionet që merrte është larguar “non-grata”, ndërsa “Çelësi” lëviz i lirë. Për disa prej personave që merren me këtë çështje dhe aludojnë se kush mund te jenë, sigurisht që dihen këto emra, në momentin që flasim nuk është në pozicion dhe mënyra se si është trajtuar nuk më pëlqen fare. SHISH nuk duhet t;i japë hapësirë për të folur kur i ka identifikuar si spiun”, deklaroi Karamuço.