Connect with us

Politike

Një kod i ri penal, për të ndihmuar Erion Veliajn të dalë shpejt nga burgu/ Gazetari Koka zbulon detaje

Bledian Koka ka ngritur alarmin për atë që e quan “nenin më të zi” të Kodit të ri Penal, i cili prek drejtpërdrejt gazetarët dhe lirinë e medias në Shqipëri.

Sipas Kokës, qëllimi i kryeministrit Edi Rama është i qartë: të mbyllet goja atij 10% të medias që ende guxon të flasë, të denoncojë dhe të kritikojë, ndërsa 90% e medias është tashmë nën kontroll. Ky kod i ri nuk është thjesht një ligj, por një devizë përfundimtare për të shuar zërin kritik, për të falur korrupsionin në nivelet më të larta dhe për të forcuar shtetin autoritar të Ramës. Ai u shpreh se ndryshimet që ulin ndjeshëm dënimet për shpërdorimin e detyrës dhe korrupsionin, si dhe retroaktiviteti që mund të lehtësojë edhe persona si Erion Veliaj e Beqaj, dëshmojnë se ky kod synon të mbrojë pushtetin dhe interesa të ngushta, duke u bërë një kërcënim serioz për demokracinë dhe transparencën në vend.

Pjesë nga deklarata:

Neni për gazetarët është neni më i zi. Qëllimi i Ramës ka qenë prej kohësh gjetja e një mënyre për të kufizuar edhe ato pak liri që mediat i lejojnë vetes. E gjithë kjo betejë prek vetëm 10% të asaj që quhet media në Shqipëri, sepse 90% e saj është tashmë e kontrolluar. Dhe pikërisht ky 10% i mbetur përbën një problem real për pushtetin. Ky Kod i ri Penal është një devizë përfundimtare për të shuar zërin e atij 10% të medias që ende guxon të flasë, të denoncojë dhe të kritikojë. Qëllimi është i qartë: edhe ky fraksion i vogël, i pakontrolluar nga Rama dhe që mbetet një zë bezdisës në mandatin e katërt të tij, duhet të heshtë. Sa më e madhe të jetë heshtja, aq më fort dëgjohet një zë. E kjo ndodh me denoncimet që bëhen. Shikoni deri ku shkon cinizmi i këtij neni, dhe për këtë arsye ne flasim.

Por në tërësi, kodi synon tri momente kryesore që, në praktikë, e vendosin kontrollin dhe zyrtarizojnë shtetin autoritar të Ramës: Godet zërin e lirë të atyre që kanë mbetur të pavarur. Shfajëson dhe çliron nga përgjegjësia ligjore korrupsionin dhe keqqeverisjen. Mundëson kapjen e pjesëve të biznesit privat, përmes neneve të paqarta e të abuzueshme.

Janë tre terma që ky kod i sanksionon me burgim: tarifa e papërshtatshme, mospagimi i detyrimeve tatimore, konkurrenca e padrejtë. Këto janë fenomene që, në një treg të lirë, do të vetërregulloheshin nga mekanizmat ekonomikë, por tani Rama po i vendos në kllapa për t’i zyrtarizuar si mjete kontrolli.

Thelbi i ndryshimeve në Kodin Penal ka të bëjë me mënyrën se si do të trajtohet korrupsioni dhe shpërdorimi i detyrës. Deri më tani, tre krimet që përfshijnë zyrtarët e lartë ishin:

Shpërdorimi i detyrës dënohej deri në 7 vite burg,

Shkelja e barazisë në tendera deri në 5 vite,

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë nga 4 deri në 12 vite.

Nëse një zyrtar akuzohej për të treja, ai mund të dënohej nga 20 deri në 24 vite burg. Por me Kodin e ri: Shpërdorimi i detyrës u ul në maksimum 4 vite dhe kërkon të provohet qëllimi kriminal  gjë që praktikisht e zhbën këtë vepër.

Shkelja e barazisë në tendera është kufizuar aq shumë, sa mund të hiqet fare. Korrupsioni pasiv tashmë dënohet nga 3 deri në 8 vite burg.

Për më tepër, retroaktiviteti i këtij kodi pritet të zhbëjë efektet e këtyre akuzave edhe për rastet e mëparshme, duke hapur rrugën për falje të heshtur të korrupsionit në nivelet më të larta. Me këtë retroaktivitet, i bie që edhe Erion Veliaj, në momentin që futet në fuqi ky kod, mund të lirohet. Jo vetëm ata që janë përfshirë në korrupsion agresiv nuk kanë më frikë, por edhe ai që është tashmë brenda, si Veliaj apo Beqaj, sipas parimit të këtij retroaktiviteti dhe këtij kodi, do të marrin dënimin minimal të mundshëm.

Advertisement