Aktualitet
Një lojë me domino kthehet në një plagosje me thikë/ Arrestohet autori që goditi 70 vjeçarin

Plagosi rëndë me thikë, një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërhyrja e menjëhershme e Policisë vë në pranga autorin e dyshuar.
Pas plagosjes, autori u largua, por u kap pas disa minutash ndjekjeje nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës.
Në momentin e kapjes, autori kishte me vete mjetin prerës (thikë) me të cilin kreu plagosjen.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik me përdorim të mjetit prerës, në zonën pranë sheshit “Pranvera”, shkuan në adresën e dhënë dhe ndërhynë në kohë reale.
Si rezultat i ndërhyrjes profesionale, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. Sh., 67 vjeç, banues në lagjen nr.11, Durrës.
Arrestimi i tij u bë pasi dje, në lagjen nr. 11, Durrës, në zonën e njohur si “Lulishtja”, pranë sheshit “Pranvera”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dhe një debati verbal me fjalë fyese, ai goditi me mjet prerës (thikë) shtetasin F. T., 70 vjeç, banues në të njëjtën lagje, duke e plagosur rëndë.
I dëmtuari ndodhet në Spitalin Rajonal Durrës, në kujdesin e mjekëve.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua mjeti prerës (thikë) me të cilin u krye plagosja.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

