Aktualitet
‘Një mision që vazhdon’, Elisabeta Katiaj dhe rrugëtimi i ‘Fjala e Diasporës’
Si themeluese e platformës Fjala e Diasporës, Elisabeta Katiaj ndërtoi një hapësirë mediatike që shkoi përtej informimit. Ajo krijoi një urë komunikimi mes diasporës dhe atdheut, duke promovuar histori suksesi, iniciativa ekonomike, projekte kulturore dhe modele të reja bashkëpunimi ndërkombëtar.
Vetëm pak ditë më parë, Elisabeta Katiaj u nda nga jeta, duke lënë pas dhimbje të thellë, por edhe një përgjegjësi të madhe për të vazhduar rrugën që ajo ndërtoi. Misioni i saj do të vazhdojë, sepse ishte më shumë se një ide personale ishte një vizion i përbashkët për diasporën dhe për ndërkombëtarizimin e vlerave “Made in Albania”.
Një ndër shtyllat kryesore të misionit të saj ishte ndërkombëtarizimi i shërbimeve dhe produkteve “Made in Albania”. Elisabeta besonte se vlerat shqiptare profesionale, kulturore dhe sipërmarrëse meritonin të ishin të pranishme dhe konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Përmes nismave konkrete, rrjetëzimit të bizneseve dhe mbështetjes së sipërmarrësve shqiptarë në diasporë, ajo kontribuoi në hapjen e rrugëve të reja për promovimin e Shqipërisë përtej kufijve.
Angazhimi i saj u shtri edhe në fuqizimin e grave sipërmarrëse, në krijimin e platformave të dialogut mes institucioneve dhe diasporës, si dhe në mbështetjen e iniciativave që synonin zhvillim të qëndrueshëm dhe bashkëpunim afatgjatë. Çdo projekt që ajo mbështeste mbante një filozofi të qartë: profesionalizëm, etikë dhe vizion ndërkombëtar.
Sot, trashëgimia që Elisabeta Katiaj la pas nuk është vetëm një platformë apo shumë iniciativa të suksesshme.
Është një rrugë e hapur, një mision që vazhdon përmes atyre që besojnë se diaspora shqiptare ka një rol kyç në zhvillimin ekonomik, kulturor dhe shoqëror të vendit.
Fjala e Diasporës do të vazhdojë këtë mision, duke ruajtur parimet dhe vizionin që Elisabeta Katiaj e ndërtoi me përkushtim dhe dashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen.
Mirënjohje për një jetë në shërbim të një ideali që nuk ndalet.

