Connect with us

Aktualitet

Një përgjigje e detyruar ndaj Sali Berishës!

Nga Arian Galdini

(Doktor, ftesat me mikrofon nuk vlejnë.)

Sot, Sali Berisha deklaroi në Elbasan se ai dhe PD i kanë ftuar të gjithë të bashkohen në Koalicionin Opozitar.

Kjo është një shprehje e përgjithshme, një togfjalësh i zbrazët, një frazë që tingëllon madhështore, por që është e pavërtetë.

Sepse unë, Arian Galdini, dhe Lëvizja e Re (LRE) nuk kemi marrë asnjë ftesë.

Asnjë telefonatë.

Asnjë mesazh.

Asnjë kontakt të drejtpërdrejtë apo indirekt.

Asnjë përpjekje për komunikim, qoftë edhe protokollare.

Nëse “ftesë” quhet deklarimi nëpër foltore dhe mikrofonët e televizioneve, atëherë kjo nuk është ftesë.

Ftesat nuk bëhen me zëra që jehojnë në ajër.

Ftesat bëhen me dinjitet, me respekt, me vlerësim, me mirëkuptim.

Ftesat nuk bëhen për spektakël, por për ndërtim të mirëfilltë të një bashkëpunimi të sinqertë.

Kur një ftesë është e sinqertë, ajo nuk është një togfjalësh që shpallet para kamerave, por një telefonatë me emër dhe mbiemër.

Një ftesë e vërtetë ka një adresë të qartë, ka një vullnet real, ka një synim të mirëfilltë.

Dhe e vërteta është se PD dhe Berisha dhe askush nga PD, nuk na kanë ftuar kurrë.

Përkundrazi, kanë zbatuar strategjinë e vjetër të heshtjes, të mohimit të ekzistencës, të kodit të Omerta-s politike.

Edhe më parë, kemi analizuar qartë dhe me fakte se ne nuk kemi qenë kurrë pjesë e asnjë skeme, asnjë kalkulimi, asnjë llogarie brenda establishmentit opozitar të vjetër.

Kjo nuk është rastësi.

Kjo nuk është një harresë e pafajshme.

Kjo është një strategji e qëllimshme, një kod i vjetër politik që PD e ka përdorur gjithmonë: hesht mbi ata që nuk mund t’i kontrollojë.

Omerta është një kod mafioz

Në politikë, Omerta nuk do të thotë vetëm të mos flasësh për një çështje, por të fshish dikë nga realiteti publik.

Të mos e përmendësh emrin, të mos e njohësh ekzistencën, të mos ia japësh hapësirën që meriton.

Kjo ka ndodhur me ne.

Ata kanë përmendur me emër dhe mbiemër çdo parti, çdo individ, çdo grupim politik që kanë dashur ta ftojnë.

Ata kanë bërë thirrje publike për të gjithë.

Për të gjithë përveç nesh.

Dhe mos-përmendja është treguesi më i qartë i frikës apo bezdisë që kanë ndaj një alternative të re e të pakapur.

Ne nuk kemi asnjë iluzion

Ne nuk kemi kërkuar ftesë.

Ne nuk kemi pretenduar për një vend në këtë koalicion.

Ne nuk ndiejmë as keqardhje, as ankesë, as pakënaqësi që nuk na kanë përfshirë.

Por ne nuk mund të lejojmë që e vërteta të zëvendësohet me mashtrimin.

Ne e themi këtë jo për veten tonë, por për shqiptarët.

Për ata që na besojnë, për ata që na ndjekin, për ata që duan të kuptojnë realitetin e vërtetë politik.

Ne jemi opozitë e qartë ndaj Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

Ne jemi e djathta humane, e djathta e vlerave, e djathta e prinderimit dhe kombëtarizmit.

Ne nuk kemi asnjë lidhje me të majtën.

Ne nuk kemi asnjë dilemë përballë pushtetit të korruptuar të PS-së.

Por pse nuk na ftoi PD-ja?

Sepse ne nuk jemi pjesë e marrëveshjeve të vjetra.

Sepse ne nuk jemi të nënshtruar ndaj asnjë grupi interesi.

Sepse ne nuk jemi të blerë dhe të kontrolluar nga asnjë klan politik.

Sepse ne nuk i pranojmë rregullat e lojës së vjetër.

Ata nuk na përmendin, sepse nuk duan që shqiptarët të dinë që ekzistojmë.

Ata na heshtin, sepse nuk duan që ne të bëhemi rrezik për ta.

Ata na injorojnë, sepse nuk mund të na kontrollojnë.

Por ne jemi këtu.

Dhe ne jemi realitet politik.

Nëse dikush ka vërtet vullnet të bashkojë opozitën, ai nuk flet me mikrofon, por me telefon.

Ai nuk del në televizion e të thotë “kam ftuar të gjithë”, por i dërgon një mesazh personal, një ftesë me respekt dhe dinjitet, një kontakt të drejtpërdrejtë.

Mikrofoni është mjet i propagandës.

Telefoni është mjet i sinqeritetit.

Kur një ftesë bëhet përmes kamerave dhe jo përmes respektit të ndërsjellë, ajo nuk është ftesë është thjesht një strategji për të ndërtuar një narrativë të rreme.

Ne nuk i konsiderojmë të vlefshme ftesat e bëra me zhurmë, por pa emër dhe mbiemër.

Ne nuk e pranojmë politikën e mikrofonëve, që zhurmon, por nuk ndërton.

Ne e dimë se vlera e vërtetë e një bashkëpunimi nuk matet me deklarata publike, por me sinqeritetin e veprimit.

Sot, shqiptarët duhet ta dinë të vërtetën

Ata duhet ta dinë që LRE nuk është ftuar asnjëherë.

Ata duhet ta dinë që PD nuk ka bërë asnjë përpjekje për të na përfshirë.

Ata duhet ta dinë që mos-përmendja jonë është e qëllimshme.

Ne nuk kemi as nevojë dhe as kërkesë për një ftesë të vonuar.

Ne nuk kemi as dëshirë të jemi pjesë e lojërave të vjetra.

Ne nuk kemi asnjë interes të hyjmë në rrethet e riciklimit politik.

Por ne kemi një detyrim të madh: të themi të vërtetën.

Dhe e vërteta është kjo:

Mikrofoni nuk e zëvendëson telefonin.

Fasada nuk e zëvendëson realitetin.

Dhe ne nuk do të lejojmë që mashtrimi të mbulojë të vërtetën.

Advertisement