Connect with us

Shkrime

Një plan i dështuar për të futur adoleshentët shqiptarë në “karantinë”

Nga Mero Baze

Ka një histeri deri diku e kuptueshme për masat që duhet të merren pas vrasjes së tmerrshme të një adoleshenti në Tiranë nga shokët e tij me thikë. Secili ka një mendim, dhe të gjithë e kanë gjetur zgjidhjen: ta zgjidhë qeveria. Edhe qeveria, nga ana e saj, bën sikur po mendon për zgjidhjen dhe deklaron se do të mbyllë TikTok-un dhe Snapchat-in.

Kjo është thjesht histeri e një shoqërie që nuk pranon të shohë të vërtetën në sy, dhe një qeverie po ashtu si shoqeria.

Së pari, duhet të pranojmë se adoleshenca është një periudhë e rrezikshme, pavarësisht kohës, epokës apo vendit. Në SHBA, një nga vendet më demokratike dhe më të sigurt në botë, adoleshentë me devijime psikike kryejnë masakra duke hapur zjarr mbi shokët e tyre të klasës. Edhe në Evropë, ku siguria e shkollave është më e madhe, krimet midis të rinjve nuk mungojnë.

Së dyti, lufta ndaj rrjeteve sociale që propozohet si zgjidhje është një betejë e humbur. Po, rrjetet sociale mund të rrisin mundësinë për komunikim agresiv, por dhuna nuk fillon dhe nuk përfundon me to. Në epokën kur unë isha fëmijë, ishte heroizëm të kapje valët e RAI-t apo të ERT-së greke. Sot, mbyllja e TikTok-ut do të kthehej në një “sport” për të rinjtë që kërkojnë rrugë alternative për t’u lidhur.

Për më tepër, si mund të kërkojmë nga një fëmijë të largohet nga rrjetet sociale, kur prindërit e tij qëndrojnë gjithë ditën në Facebook apo Instagram? Kjo është hipokrizi. Është si të bërtasë një baba që kalon gjithë kohën në kazino, për t’i thënë të birit të mos bëhet bixhozçi.

Së treti, nostalgjia për kohët kur luanim futboll me top lecke apo hanim bukë me sheqer është thjesht një kujtim i bukur i fëmijërisë sonë, por nuk ofron zgjidhje për problemet e sotme. Nuk mund të rikthejmë komunizmin apo varfërinë si një mënyrë për të “ndëshkuar” adoleshentët e sotëm.

Zgjidhja nuk është një recetë e vetme, por një proces i gjatë që kërkon një arsim të shëndoshë, shkolla të disiplinuara dhe cilësore, si dhe familje të përgjegjshme.

Ne jetojmë në një shoqëri të hapur ku paraja dhe fitimi janë qëllimi kryesor. Intektualët dhe shkencëtarët shpesh shihen si “njerëz pa vlerë”, ndërsa personazhet boshe të ekranit glorifikohen.

Në ekranet tona, të rriturit që duhet të jenë model për fëmijët, shahen e kërcënohen me njëri-tjetrin në Parlament, djegin karrige dhe hedhin bojë në fytyrën e kolegëve. Dhe ne presim që fëmijët të mos konfliktohen për problemet e moshës së tyre?

Mos pretendoni se mund të shpëtojmë adoleshentët me plane “historike”. Në vend të kësaj, secili prej nesh duhet të përpiqet të bëhet më i mirë: një prind më i mirë, një mësues më i mirë, një qytetar më i përgjegjshëm. Ndryshimi fillon nga vetja.

Kjo është një betejë e gjatë dhe nuk ka fitues të menjëhershëm. Por nëse duam adoleshentë më të mirë, duhet të përpiqemi të bëhemi një shoqëri më e mirë.

Dhe mbi të gjitha, duhet të ndalojmë së qeni histerikë dhe të mos bëjmë tragjedinë tonë model për adoleshentë të tjerë, që tu duket kjo vrasje, si triumf i tyre mbi shoqërinë . Heshtja dhe reflektimi janë më të fuqishme se ulërimat primitive.

Advertisement