Bota
Një politikan-biznesmen/ Si po bën para Trump me Shtëpinë e Bardhë

Kur Hillary Clinton ishte Zonja e Parë, shpërtheu një skandal mbi një fitim 100,000 dollarë nga një investim 1,000 dollarësh në tregun e shitblerjes së kafshëve. Edhe pse kishte ndodhur 12 vjet para se burri i saj të bëhej president, çështja zgjati me javë dhe detyroi Shtëpinë e Bardhë të niste një hetim. Tridhjetë e një vjet më vonë, pas një darke në Mar-a-Lago, Jeff Bezos ra dakord të financojë një film promovues për Melania Trump, që do t’i sjellë asaj rreth 28 milionë dollarë fitim direkt – 280 herë më shumë se rasti Clinton, dhe këtë herë nga një njeri që ka interesa të drejtpërdrejta te politikat e qeverisë së burrit të saj. Ishte skandal? Pati protesta? Uashingtoni vazhdoi punën sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Trumpët nuk janë familja e parë presidenciale që përfitojnë nga pushteti, por asnjë nuk e ka monetizuar presidencën në përmasën dhe guximin që e kanë bërë ata. Familja Trump dhe partnerët e tyre të biznesit kanë përfituar 320 milionë dollarë nga një kriptomonedhë e re, kanë ndërmjetësuar marrëveshje për pasuri të paluajtshme jashtë vendit që kapin miliarda dhe po hapin një klub ekskluziv në Uashington të quajtur “Executive Branch”, me anëtarësi që kushton 500,000 dollarë për person – dhe të gjitha këto vetëm në muajt e fundit.
Javën e kaluar, Katari i dhuroi Trumpit një avion luksoz, jo vetëm për përdorim zyrtar por që më pas do të kalojë në bibliotekën e tij presidenciale. Ekspertët e kanë vlerësuar avionin, i dhuruar formalisht Forcave Ajrore, me një vlerë 200 milionë dollarë – më shumë se të gjitha dhuratat e huaja për presidentët amerikanë të mëparshëm, së bashku. Trump gjithashtu organizoi një darkë ekskluzive në klubin e tij në Virxhinia për 220 investitorë në kriptomonedhën $TRUMP që ai nisi disa ditë para se të merrte detyrën. Biletat e hyrjes u shitën haptazi në varësi të shumës së investuar – jo për një fond fushate, por për një biznes që i sjell përfitime personale presidentit.

Sipas standardeve tradicionale të Uashingtonit, administrata e dytë e Trump është një kandidate e fortë për përdorimin më të paskrupullt të pushtetit në historinë amerikane, ndoshta duke lënë pas edhe skandalet si Teapot Dome, Watergate dhe të tjerë, shkruan New York Times.
“Kam 50 vjet që studioj dhe shkruaj për korrupsionin dhe ende koka më sillet vërdallë”, tha Michael Johnston, profesor emeritus në Universitetin Colgate dhe autor i disa librave për korrupsionin në SHBA.
E megjithatë, një nga shenjat më të qarta se sa shumë Trump e ka transformuar Uashingtonin që nga rikthimi në pushtet është normalizimi i planeve për përfitime personale, që dikur do të shkaktonin hetime, dëshmi në Kongres dhe reagim të ashpër publik. Vdekja e indinjatës, ose ndryshe mungesa e indinjatës në epokën Trump është dëshmi se sa shumë i ka lëvizur presidenti vijat morale në Uashington.
Trump, presidenti i parë i dënuar për vepra penale që zgjidhet në detyrë, ka fshirë çdo kufi etik dhe ka çmontuar mjetet e llogaridhënies që frenonin më parë paraardhësit e tij në këtë post. S’ka më hetime zyrtare sepse ai është kujdesur të mos ketë. Ka shkarkuar inspektorët e qeverisë, organet e etikës, ka emëruar besnikët e tij politikë në drejtimin e Departamentit të Drejtësisë, FBI-së dhe agjencive rregullatore, dhe dominon një Kongres të kontrolluar nga republikanët që nuk ka vullnet të zhvillojë hetime.
Si rezultat, edhe pse kritikët demokratë përpiqen të nxjerrin në pah dhe të denoncojnë aktivitetet e tij, ata nuk kanë pasur mundësi të fitojnë vëmendje pa mekanizmat zyrtarë që dikur garantonin transparencë. Dhe në kohën kur Trump gjeneron një histori të re çdo ditë, si më shumë tarifa për aleatët, më shumë hakmarrje për kundërshtarët, më shumë sfida ndaj gjykatave, asnjë masë ndaj tij nuk qëndron mjaftueshëm në krye të lajmeve për të ngacmuar opinionin publik.
Paul Rosenzweig, ish-këshilltar në hetimin e Ken Starr ndaj Bill Clinton dhe më pas zyrtar në administratën e George W. Bush, tha se mungesa e reagimeve ndaj shkeljeve-norma të Trump e ka bërë të dyshojë nëse publiku ndonjëherë e ka pasur me të vërtetë problem korrupsionin.
“Ose publikut nuk i ka interesuar kurrë, ose i ka interesuar por nuk i intereson më”, tha ai. “Për mua, 80% nuk i ka interesuar kurrë, dhe 20% janë të lodhur dhe të tejmbushur.”
“Indinjata s’ka vdekur,” shtoi Rosenzweig. “Ajo ka qenë gjithmonë një fantazi e elitave.” – Shtëpia e Bardhë e mbron veprimtarinë e Trump duke thënë se ai është aq i pasur sa s’ka nevojë për më shumë para. – “Presidenti po respekton të gjitha ligjet mbi konfliktin e interesit që i aplikohen presidentit,” tha zëdhënësja Karoline Leavitt. “Publiku amerikan mendon se është absurde të sugjerohet se ky president po përfiton nga presidenca. Ai ishte i suksesshëm përpara se të linte gjithçka për t’i shërbyer publikisht vendit.”
Por të thuash se po respekton ligjet mbi konfliktin e interesit nuk do të thotë asgjë – sepse siç ka pranuar vetë Trump, këto ligje nuk zbatohen për presidentin. Dhe në fakt, ai nuk e ka lënë biznesin. Ai vazhdon të fitojë nga interesat private që administrohen nga djemtë e tij, dhe sipas vlerësimeve të pavarura, nuk ka bërë asnjë sakrificë financiare duke hyrë në politikë. Revista Forbes e vlerësoi pasurinë neto të Trump në mars në 5.1 miliardë dollarë, 1.2 miliardë më shumë se një vit më parë. Dhe më shumë se kurrë më parë.
Djemtë e presidentit nuk e fshehin përbuzjen ndaj ideve për kufizimin e aktiviteteve të tyre. Donald Trump Jr. tha se familja ishte përmbajtur gjatë mandatit të parë dhe gjithsesi u kritikua, ndaj tani “nuk ka kuptim të përmbahemi më.” “Do të të godasin çfarëdo që të bësh,” tha javën e kaluar në një forum biznesi në Katar. “Kështu që ne thjesht do luajmë lojën.”

Ka shenja të lehta pakënaqësie publike. Dhurata e avionit nga Katari u duk se tërhoqi vëmendje më shumë se ngjarjet e tjera. Një sondazh i Harvard/CAPS Harris tregoi se 62% e amerikanëve besojnë se dhurata “ngre shqetësime etike për korrupsionin”, dhe madje figura të djathta si Ben Shapiro dhe Laura Loomer e kritikuan.
Tucker Carlson, ish-prezantues i Fox News dhe mbështetës i Trump, shprehu shqetësim në një podcast me influencuesin e djathtë Shawn Ryan: “Kjo gjë më shqetëson,” tha Ryan. – “Duket si korrupsion, po,” pranoi Carlson.
Ndërsa disa dhjetëra protestues u mblodhën para klubit të golfit të Trump, demokratët janë të ndarë nëse duhet të përqendrohen te përfitimet financiare të Trump apo tek ekonomia. Senatori Chris Murphy nga Connecticut ka zgjedhur të flasë hapur për “korrupsionin e paskrupullt”.
“Ka pak gjasa që ai të mbajë përgjegjësi me mjete tradicionale,” tha Murphy. “Nuk do të ketë prokurorë të pavarur. Nuk do të ketë veprim të Departamentit të Drejtësisë. Kështu që gjithçka varet nga mobilizimi publik. Nëse republikanët vazhdojnë të humbasin zgjedhjet për shkak të kësaj, ndoshta do ta mendojnë ndryshe bashkëpunimin e tyre.”
Trump premtoi dikur se do ta “thante kënetën” e Uashingtonit nga korrupsioni i politikanëve të tjerë. Në vitin 2016 kur kandidoi për president, ai kritikoi Clintonët për pranimin e parave nga Arabia Saudite dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme – megjithëse këto para shkonin për fondacionin e tyre bamirës. Ndërkohë, paratë që tani familja Trump po sjell nga Lindja e Mesme shkojnë direkt në xhepat e tyre, përmes marrëveshjeve që janë dokumentuar nga The New York Times. Profesori Johnston e përshkroi familjen Trump si “rast ekstrem, jo vetëm për nga termat financiare, por edhe për mungesën e turpit” në lidhje me standartet e së shkuarës. “Ne mund të mos biem dakort për përmbajtjen e politikave të ndryshme, por presidenti dhe zyrtarët duhet të shërbejnë interesin publik, jo atë personal,” tha ai.
Gjatë mandatit të parë, Trump premtoi t’i respektonte këto standarte duke mos bërë marrëveshje jashtë vendit. Por që atëherë është dënuar për 34 vepra penale mes të cilave falsifikim të bilanceve të biznesit, është gjetur fajtor në gjykatë civile për mashtrim, dhe Gjykata e Lartë i ka dhënë imunitet për veprime zyrtare. Në mandatin e dytë, ai e ka hequr çdo fasadë të etikës.
“Ai as nuk përpiqet më të duket sikur po bën gjënë e duhur,” tha Fred Wertheimer, nga organizata Democracy 21, një avokat i vazhdueshëm i etikës shtetërore. “S’ka asgjë në historinë amerikane që të krahasohet me përdorimin e presidencës për përfitime personale. Asgjë.”
Republikanët në Kongres harxhuan vite të tëra duke hetuar Hunter Biden për tregtinë që bëri duke shfrytëzuar mbiemrin e tij, duke e quajtur madje “Familja Kriminale Biden”. Por ndërkohë që fitimet e Hunter ishin një fraksion i vogël krahasuar me ato të Trumpëve, republikanët nuk kanë asnjë interes të hetojnë financat e familjes presidenciale aktuale.
“Publiku amerikan është mësuar me korrupsionin e Donald Trump, sepse Partia Republikane dhe presidenti nuk i ka dhënë një zgjidhje tjetër,” tha J. Michael Luttig, ish-gjyqtar konservator i apelit dhe tani kritik i Trump.
Trump nuk shfaq asnjë shqetësim për faktin që njerëzit që i japin para familjes së tij kanë interesa në politikat qeveritare. Disa nga investitorët e kriptos që morën pjesë në darkën e së enjtes, e pranuan se po përfitonin për të kërkuar një rregullim më të favorshëm për industrinë. Sipas një videoje të siguruar nga The Times, Trump i premtoi se nuk do të jetë aq i ashpër sa administrata Biden.
Një nga të ftuarit në “Trump National Golf Club” ishte Justin Sun, miliarder kinez, që bleu mbi 40 milionë dollarë të $TRUMP, duke siguruar akses në një pritje VIP me presidentin. Komisioni i Letrave me Vlerë e akuzoi për mashtrim në vitin 2023, por pas marrjes së detyrës nga Trump, çështja u pezullua.
Ndërsa si Bezos, ashtu edhe Katari, të dy kanë arsye për të qenë në anën e Trump. Në mandatin e parë, Trump, i irrituar nga Washington Post (në pronësi të Bezos), urdhëroi disa herë gjobitjen e kompanisë së tij kryesore, Amazon, duke i rritur tarifat postare dhe duke i refuzuar një kontratë të majme me Pentagonin. Ai gjithashtu e quajti Katarin “financues të terrorizmit” dhe e izoloi nga ana diplomatike. Por në mandatin e dytë, s’ka më asnjë kritikë për ta.
Trump gjithashtu ka emëruar aleatë me konflikte interesi në pozita kyçe: administratorin e NASA-s, mikun e ngushtë të Elon Musk që e furnizon me biliona dollarë në kontrata dhe Pam Bondi, ish-lobiste për Katarin, që firmosi ligjshmërinë e dhuratës së avionit.

Zach Witkoff, bashkëthemelues i firmës së kriptomonedhave të familjes Trump, World Liberty Financial, dhe bir i Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i presidentit, njoftoi një marrëveshje prej 2 miliardë dollarësh në Emiratet e Bashkuara Arabe, vetëm pak javë përpara se i ati dhe Presidenti Trump të udhëtonin atje për një vizitë presidenciale. “Trump i ka 10 vendet e para në listën e korrupsionit presidencial,” tha Wertheimer. “Ai ka hyrë tashmë në “korridorin e famës” për përdorim personal të presidencës”. Por sipas tij publiku do të zgjohet. “Do të duhen kohë, por do t’i dalë për hundësh.”

