Aktualitet
Një prej 6 të arrestuarve/ Zbulohen bizneset në Angli të vlonjatit të arrestuar nga SPAK

Klevis Hoxhosmani një prej 6 të arrestuarve të SPAK për trafikun e kokainës rezulton të jetë pronar i disa bizneseve në Angli.
Të dhënat e para nga Top Channel në regjistrin e bizneseve në Angli tregojnë se vlonjati, ka pasur në pronësi një lavazh me emrin “Crystal Hand Carwash Of Bournemouth Limited”.
Ky biznes ka qenë aktiv prej 2013 deri në 2015. Klevis Hoxhosmani rezulton të ketë qenë drejtor i kompanisë “Barrack Road Tyres Limited”, me qendër në qytetin bregdetar Bournemouth në jug të Anglisë nga Marsi 2014 deri në Mars 2015. Tashmë kjo kompani drejtohet nga një shtetas lituanez.
Opa Coffee Limited është themeluar në 22 Maj 2023 nga Klevis Hoxhosmani, por prej Marsit 2025 ndërroi adresën.
Në Angli vlonjati i arrestuar nga SPAK nuk ka precedentë të fortë kriminal.
Sipas medias lokale Klevis Hoxhosmani, pranoi përpara gjykatës se kishte sulmuar një person duke e rrahur atë më 24/06/2014.
Gjithashtu pranoi se kishte dëmtuar një iPhone me vlerë 300 paund, me qëllim ta shkatërronte, po në datën 24/06/2014.
Gjykata e dënoi me punë në komunitet dhe të merrte pjesë në Programin “Ndërtimi i Marrëdhënieve Më të Mira” për 29 ditë si dhe të paguante një tarifë për viktimën prej 60 paund përfshi shpenzime gjyqësore prej 85 paund.
Nga njoftimi i detajuar i SPAK për shkatërrimin e kësaj organizate kriminale thuhet se droga e ardhur në Europë nga Amerika Latine çohej edhe në Britaninë e Madhe.
Sipas hetimeve të SPAK rezulton se këtij grupi kriminal i janë kapur 250 kg kokainë në Prill 2023 e cila do të futej nga Franca përmes kanalit të Lamanshit në Britaninë e Madhe.
Për momentin SPAK është rezervuar të tregojë rolet e 16 antarëve të grupit kriminal e posaçërisht të Klevis Hoxhosmani nëse ai ishte “ambasadori” organizatës në Mbretërinë e Bashkuar.
Megjithatë sugjerohet se nga bisedat në Sky/ECC është zbuluat se Hoxhosmani ishte pjesë aktive e asaj që njihet si “Banda e Durrësit”, udhëhequr prej Lulzim Berishës dhe më pas nga i kunati Plarent Dervishi.

