Connect with us

Shkrime

Një shenjë nga Zoti, doktori i ze vendin doktorit, por PD-ja nuk është poliklinikë

Nga Endri Kajsiu

Së fundmi, Doktor Alimehmeti ka kërkuar në Kolegjin Zgjedhor rinumërimin e votave në Tiranë – pa konsultim me Partinë Demokratike dhe as me Sali Berishën. Një hap që nga disa trushkulur në PD është interpretuar si një “shkëndijë në horizont”, si fillimi i daljes në skenë të një “doktori të ri” që po sfidon doktorin historik në krye të opozitës shqiptare.

Madje, fantazitë shkojnë edhe më larg: dalja e një doktori të ri që zëvendëson një tjetër doktor në krye të PD-së na qenka një “shenjë nga Zoti”, se më në fund ka shpresë për PD-në! O pika që s’u bie…!

Dikush që e di historinë e partive të djathta në ish-vendet e Europës Lindore dhe fatin e tyre politik më mirë se Berisha, duhet t’u shpjegojë këtyre entuziastëve në PD që të mos bien nesër në dëshpërim, por të rrinë me këmbë në tokë, se partitë e djathta në përgjithësi në të gjithë botën demokratike – kanë pasur gjithmonë një ose disa “pronarë moralë”, emra me të cilët lidhet lavdia apo edhe rënia e atyre formacioneve politike. Mjafton të shohësh historinë e partive simotra në ish-Europën Lindore për të kuptuar se pa figurën që i ka mbajtur gjallë në kohë krizash, ato janë shkrirë e janë zhdukur nga harta politike.

E ndërsa kjo ndodh me të djathtat, të majtat kanë logjikë tjetër organizimi – por ky nuk është thelbi i këtij shkrimi.

Tani, të kthehemi tek “dueli i heshtur”: Alimehmeti përballë Berishës. Kjo është njësoj si t’i japësh sërish Partinë Demokratike në dorë Lulzim Bashës.

Të jesh i votuar në një zonë, nuk do të thotë se je lider kombëtar i një partie. Alimehmeti dhe Tabaku janë votuar në Tiranë por kjo është një votë lokale, një votë e “Tironës” për përfaqësuesit e saj të tabanit. Të jemi të qartë që në fillim Alimehmeti dhe askush tjetër nga figurat që ka sot PD-ja, nuk e bën dot “vezën e Sali Berishës” në atë parti. Dhe kushdo që mendon se mund të marrë timonin e PD-së pa bekimin e Berishës – qoftë Alimehmeti, Tabaku apo ndonjë tjetër – duhet ta ketë të qartë:

Dita që do të tentojnë apo tu shkojë në mendje të rrëzojnë Berishën me pahir, me intriga ambasadash siç tentoi Luli me Joridën që qante në zyrën e Yuri Kim dhe të Palmerit në WDC se grupi i malokëve në PD e kanë kërcënuar nga familja apo “grupimesh të qytetëruara”, do të jetë dita kur i pret fati i Lulit. Dhe më keq akoma: ajo do të jetë dita kur PD nuk do të ekzistojë më. Do të shkrihet, ashtu siç janë shkrirë simotrat e saj në Europën Lindore.

Nëse vërtet kanë vokacion politik, le ta provojnë të ndërtojnë një të djathtë të re. Le të ecin në gjurmët e Agron Shehajt, të Alibeajt, e të tjerëve që tentuan diçka jashtë Berishës. Por të mendojnë se do ja marrin PD-në Berishës dhe do ta çojnë në ditët e saj të lavdishme pa Berishën – është si të zbresësh të ëmën e Zeqos nga thana dhe ti thuash hajde mer drejtimin e PD.

Sepse Berisha në zgjedhjet e 11 majit, edhe në moshën 81 vjeç,bënte 7 mitingje në ditë nga veriu në jug. Ai është gjeneratori i vetëm real që ka PD sot. Ai zgjohet në 6 të mëngjesit dhe shkon në gjumë në 12 të natës – për të ringrit një PD që ishte në vdekje klinike.

Unë nuk njoh tiranas që të prishë rehatinë për të punuar me këtë ritëm. Mund të ketë – por as historia e tranzicionit deri tani nuk njeh një të tillë. Po, njoh tiranas të shkëlqyer, me mendje të ndritur, në mjekësi, arsim, kulturë, muzikë,biznes, media. Por në politikë, për fat të keq, jo. Ndoshta sepse natyra e tyre e butë, dhe paqësore i ka mbajtur larg këtij sporti që luhet me intriga dhe me thika në brez .

I vetmi tiranas që arriti në majë të pushtetit, si President i Republikës, ishte Bamir Topi. Por edhe ai nuk mbahet mend për ndonjë kontribut vendimtar në historinë e trazuar të Shqipërisë.

Sepse lidershipi nuk është as shkollë, as titull, as votë vendore. Është një dhunti – dhe, siç thotë populli ynë: Këto cilësi disa njerëzve ua jep Perëndia që kur lindin./Lexo.al 

Advertisement