Connect with us

Shkrime

Një vit pasigurie deri në zgjedhjet amerikane

Dragan Bisenić

“Jepini një shans luftës”. Kështu titullohej një artikull i publikuar shumë kohë më parë nga eksperti i famshëm amerikan i strategjisë ushtarake, Edward Lutwak, i cili shkruan se lufta është një e keqe e madhe, por që edhe pse e tillë, lufta mund të ketë vlera të mëdha – mund të zgjidhë konfliktet politike dhe të çojë në paqe.

Lutvak është një strateg i vjetër cinik. Titulli në fakt lind nga satira. Teksti u botua në vitin 1999 në mes të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, kur klithma lufte u dëgjuan nga të gjitha anët dhe nuk ishte e arsyeshme të flitej për paqe. NATO hodhi poshtë mundësinë e ndërprerjes së bombardimeve qoftë edhe për një Pashkë afatshkurtër. Kjo është arsyeja pse ishte logjike të mbështetej lufta, sepse pashmangshmëria e saj në mendjet e atyre që e udhëhoqën atë, ishte e dukshme për të gjithë. Ne mund të bëjmë të njëjtën gjë sot, pa shumë frikë se mos gabojmë.

Dy vjet më parë nisi një luftë e madhe, ajo e Ukrainës, tani kemi dy luftëra të mëdha, asnjëra prej të cilave, me sa duket, nuk do të përfundojë së shpejti. Përkundrazi, metastazat e këtyre konflikteve janë të mundshme dhe mund të marrin forma të papritura. Ky është pikërisht mjedisi ndërkombëtar që do të ndikojë në formësimin dhe përpjekjet e mëtejshme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në vitin e ardhshëm. Midis tyre, disa ngjarje ndoshta do të luajnë një rol më të madh se të tjerat.

Një fjalë e urtë arabe thotë se ekzistojnë dy lloje profecie – ajo e lirë që tregon se çfarë do të ndodhë pas disa muajsh dhe vitesh dhe ajo e shtrenjta që tregon se çfarë do të ndodhë nesër.

Një vit më parë, ARD gjermane konsideroi se ishte pikërisht koha për të ndryshuar kursin në Serbi.

“Themelimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është i sigurt dhe është arritur me presion të madh të BE-së dhe SHBA-së ndaj Kurtit, kështu që është edhe sukses i politikës që duhet t’u sigurojë serbëve të Kosovës në veri dhe jug, të drejta të gjera dhe autonomi të konsiderueshme” –  vlerësonte radio gjermane.

Tani shohim se nuk ka siguri, sidomos kur është fjala për Asociacionin e Komunave Serbe, I cili ne fakt është diskutuar me vite dhe nuk ka asnjë progres.

NATO këtë vit do të festojë 75 vjetorin e saj pothuajse në të njëjtin vend, në Uashington, siç festoi 50 vjetorin e saj 25 vjet më parë, sërish mes tensioneve mes Kosoves dhe Serbisë.

Por festimi i këtij viti, sipas profesorit të Harvardit, Stephen Walt, do të ketë “dy hije”. E para është se lufta në Ukrainë nuk ka gjasa të shkojë mirë – dhe ka gjasa të shihet si një dështim i aleancës. Një tjetër re e errët është rizgjedhja e mundshme e Donald Trump, i cili dyshon për të ardhmen e NATO-s dhe nuk e pëlqen atë, si dhe Bashkimin Evropian.

Festimi i këtij viti në fakt korrigjon neglizhencën e 70-vjetorit të NATO-s, që u krye nga Donald Trump gjatë mandatit të tij. Nuk kishte asnjë takim të madh në Uashington atëherë dhe asnjë samit me presidentin. Përvjetori u shënua në Britaninë e Madhe dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s mbajti një fjalim para Kongresit. Gjithçka ishte ndryshe edhe në festën e 50 vjetorit të themelimit të NATO-s, me një festë spektakolare ku morën pjesë 2500 të ftuar, me thirrje lufte që jehonin nëpër Ballkan, së bashku me fishkëllimat e raketave dhe bombave.

Disa muaj më parë, ish-ambasadori amerikan në NATO, Robert Hunter, më tha se 50-vjetori është një arsye e përshtatshme që NATO të bombardojë Serbinë, nëse në Kosovë nuk do sillej ashtu sic di kerkohej. Një çerek shekulli më vonë, megjithëse NATO nuk është bartësi kryesor i dialogut dhe as zyrtarisht nuk është i përfshirë në të, është e qartë se ajo ka rolin më të rëndësishëm në Kosovë. Tani, për shembull, për këtë përvjetor të NATO-s, ndoshta do të ishte e shkëlqyeshme të shpallej se Kosova është “de facto” e pavarur dhe se është e mundur të merret parasysh pjesëmarrja e saj në NATO dhe programet e saj, madje edhe anëtarësimi i Kosovës në Aleancë. Kjo do të largonte të gjitha dyshimet që u shfaqën 25 vjet më parë. Qeveria e Kosovës para dy vitesh kishte paralajmëruar se do të dorëzonte aplikacionin për pjesëmarrje në Partneritetin për Paqe, por kjo nuk ndodhi. Kryesia e Kosovës para këtij viti të ri vlerësoi se ende “nuk ka vullnet për ta pranuar Kosovën anëtare të NATO-s”.

Nëse Trump zgjidhet president, lëvizja për t’u distancuar nga Ukraina dhe në thelb për t’i detyruar ata të bëjnë çdo marrëveshje që munden do të jetë pothuajse e menjëhershme. Evropa është një rajon që duhet të shqetësohet vërtet. Trumpit nuk i ka mbetur shumë dashuri për Bashkimin Evropian.  Ai beson se NATO mund të jetë gjithashtu e plakur.

Në këtë kontekst, Kosova do ketë një perspektivë krejtësisht të re. Si president, Trump tregoi ambicie të madhe për ta zgjidhur çështjen e Kosovës në një mënyrë kompromisi. Duke vepruar kështu, ai e përfshiu atë në një projekt shumë më të gjerë të “Marrëveshjeve të Abrahamit” që synonte normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me shtetet arabe. Në kuadrin e marrëdhënieve të reja me Evropën, ka të ngjarë që Trump të pezullojë dialogun. Por jo vetëm kaq. Kujtojmë se administrata Biden e ka braktisur plotësisht Marrëveshjen e nënshkruar të Uashingtonit që Beogradi dhe Prishtina kanë nënshkruar me SHBA-në në kohën e Trump. Kjo do të thotë se nënshkrimet nuk kanë shumë domethënie, nëse Uashingtoni nuk dëshiron t’i njohë ato. Prandaj çështja e Kosovës është e paqartë, derisa votuesit amerikanë të vendosin se kush do ta udhëheqë Amerikën nga viti 2025.

Advertisement