Connect with us

Bota

‘Njerëzit nuk janë në humor për të mbajtur zi’/ Reagime në Teheran pas vdekjes së presidentit Raisi

Lideri supremi Iranit ka njoftuar për pesë ditë zie pas vdekjes së presidentit në një aksident të papritur ajror por raportimet flasin për brohoritje e fishekzjarre pas konfirmimit të vdekjes, shkruan The Guardian.

Në aksidentin e të dielës pranë kufirit me Azerbaixhanin, bashkë me Raisi, u vra dhe ministri i jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa pasagjerë të tjerë.

Por iranianët që folën me rrjetin Guardian refuzonin të mbanin zi për vdekjen e burrit që ishte përgjegjës sipas tyre, për qindra vdekje gjatë karrierës politike të katër dekadave.

Disa orë pas ngjarjes në rrjetin Telegram qarkullonin video celebrimi me fishekzjarrë, një prej tyre nga qyteti i tij Saqqez.

Familjari i një adoleshenti të vrarë nga forcat e sigurisë gjatë protestave për Mahsa Amini tha: “Shpirti i Raisi nuk do të gjejë kurrë paqe pasi ai ka vrarë vëllanë tim dhe fëmijë të atdheut tim. Zoti bëftë drejtësi”.

Të tjerë të intervistuar nga rrjeti Guardian thonin se reagimet në vend për ngjarjen ishin ‘të përziera’.

Një gazetar nga Teheran tha: “Agjentë të shumtë ushtarakë janë vendosur nëpër rrugë e sheshe. Policia ka thënë se ata që shprehin gëzim për vdekjen e presidentit do të ndiqen penalisht, si ata që ndezin fishekzjarrë, kërcejnë apo dëgjojnë muzikë”.

Një protestuese ‘e vjetër’ anti-regjim në Iran, tha për ngjarjen e fundit: “Vdekja e Raisi nuk do të ndryshojë shtypjen me të cilën përballemi çdo ditë. Nuk jam as e lumtur as e trishtuar për vdekjen e tij. Por e konsideroj një shenjë drejtësie për vdekjet e shumë shokëve të mi”.

Aktivisti politik Taghi Rahmani, bashkëshorti i shkrimtares së burgosur Narges Mohammadi, tha: “Vdekja e Raisi nuk sjell ndryshime në strukturën e lidershipit, pasi Khamenei ka pushtetin. Por do të sjellë një betejë politike në zgjedhjet e reja që duhet të organizohen brenda 50 ditëve.”/TheGuardian/

Advertisement