Aktualitet
Njeriu që denoncoi Ilir Metën: E kam njohur që 16 vjeç. Në politikë hyri pa xhep fare dhe u kthye në zot të vendit
Juristi Romeo Karaj në një intervistë për Dritare TV foli lidhur me arrestimin e ish-presidentit dhe kreut të PL, Ilir Meta. Zoti Karaj e vlerësoi këtë vendim të SPAK si hap të rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarëve.
“Meta ka simbolizuar politikën më të lartë të korrupsionit në Shqipëri. Të mashtrimit politik, të vjedhjes së pasurisë publike. Organizimi i tij politik është në pozita paligjshmëri. Ai dhe të tjerë kanë qenë në garë jo për ta bërë Shqipërinë, por të rrëmbejnë copa nga pasuria publike.
Kjo është bërë duke rrënuar institucionet, duke marrë peng institucionet e drejtësisë. Shqiptarët duhet të kenë bindje se SPAK ka nisur punën kundër korrupsionit në vend. Ne si popull kemi një gabim të madh; që të zgjedhurit nuk i kemi trajtuar si shërbyes publik por si zotërit tanë.
Nuk i kërkuam kurrë llogari për punën që nuk kanë bërë. Nuk i kemi thënë asnjë qeverie që të drejtat tona janë detyrë për ta. Ne jemi në letër një shtet demokratik, por në të vërtetë ndërtuam një shtet banditësh.
Goditja e Metës, tregoi se kjo kuçedër ka disa koka. Dje nisi “prerja e një koke”. Shumë shqiptarë festuan me arrestimin e Metës, duket sikur po vjen ora e çlirimit të vendit.
Metën e kam njohur kur ka qenë 16-17 vjeç. Në politikë hyri pa xhep fare dhe u kthye në zot të vendit. Nuk dihet ku nis dhe mbaron pasuria e Metës apo Berishës.
Ka një klan mafioz që quhet Meta-Kryemadhi. Që për turp kanë garuar me njëri-tjetrin se kush do të vjedhë më shumë. Vendi nuk do të bëhet nëse nuk do të nisin ndëshkimet. SPAK duhet të kalojë këto sfida që të bëjë drejtësinë.
Shqiptarët duhet po ashtu t’i dalin zot vendit”, tha Romeo Karaj.