Connect with us

Aktualitet

Njerku e dhunoi dhe i dogji shtëpinë, 14-vjeçari: Na mbylli brenda dhe i vuri flakën

Dy banesa u dogjën në orët e para të mëngjesit të sotëm në fshatin Llakatund të Vlorës, teksa raportohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Fatmirësisht gjithçka është mbyllur vetëm me dëme materiale, duke mos pasur asnjë të lënduar rëndë, teksa në banesë kanë qenë disa persona.

Dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë janë bërë mosmarrëveshjet mes familjarëve. Haki Bajrami nga Kosova i ka vënë flakën shtëpisë së ish-bashkëjetueses së tij. Konfliktet mes tyre kanë çuar deri në këtë ngjarje të rëndë.

Si pasojë e flakëve të rëna në shtëpinë e Lutfie Fanajt ka marrë flakë edhe shtëpia e shtetasit Petrit Izetit. Fqinjët thonë se ish-dhëndri kërcënonte ish-gruan sepse kishte ikur me djalin, e madje pak para se të digjte shtëpinë e tyre, i ka mbyllur brenda, i ndihmuar edhe nga shoku i tij, dhe u ka thënë se do t’i përvëlojë.

“Kur erdhëm neve ishte bërë dasma. Komplet ishte djegur. Ishin djali me vajzën! I vuri zjarrin i dhëndri nga Kosova. Ish-dhëndri i kishte mbyllur brenda dhe i vuri zjarrin. Ishte shoku edhe ky! Janë zënë për punën e vajzës, pasi vajza iku se i mori djalin. Erdhi bashkë me shokun e tij e i tha a po s’të përvëlova ty”, u shpreh fqinja.

Gjithashtu, 14-vjeçari Ledjon Bilo, nga spitali ka folur për mediat dhe ka treguar se njerku i tij i ka dhunuar fillimisht në banesë bashkë me shokun e tij dhe më pas i ka vënë flakën shtëpisë. Ai shprehet se nëna prej dy muajsh nëna e tij ishte ndarë me Haki Bajramin dhe për këtë qëllim ai ka ardhur edhe i ka dhunuar.

I mituri thotë se edhe gjyshen e tij e kanë dhunuar dhe se është në gjendje të rëndë në spital. Banesat janë djegur totalisht me të gjitha orenditë që kishin brenda. Si pasojë e sherrit mes familjarëve, disa prej tyre kanë përfunduar në spital.

“Kanë ardhur dy persona nga Kosova. Bashkëjetonte me mamin më para dhe ishte ish-bashkëshorti i saj. U ndanë dhe nga inati erdhi në shtëpi, na ka dhunuar edhe na ka vënë flakën. Mami më para ka jetuar me të. Bashkë kanë një djalë të vogël. Na kërcënon, na ka dhunuar!

Mua më kanë qëlluar në kokë dhe në kurriz dhe më ka rënë të fikët. I kishte vënë flakën shtëpisë dhe ishte shumë tym, e mora nënën dhe ika. Dola nga dritarja dhe ika te dajat, me janë djegur këmbët. Gjyshen po mundoheshin që ta mbysnin në shtrat”, rrëfeu i mituri.

Advertisement