Politike
Njëzet vite eksperiencë: Kush fshihet pas fushatës së Roland Bejkos për Tiranën?
Njëzet vite më parë Rezart Shehu vuri re në një nga korridoret e Akademisë së Arteve një letër të bardhë, në të cilën shkruhej: Kërkohet një graphic designer! Pasi e lexoi me një vëmendje të madhe, mendimi i parë që i erdhi vrik në mendje, ishte ta griste atë. Ashtu veproi, në fakt. Si fillim e shkëputi nga muri ku ishte ngjitur, më pas e mblodhi shuk në dorë dhe pasi hodhi vështrimin nga fundi i korridorit, e hodhi menjëherë në koshin e mbeturinave, me pretendimin që askush tjetër s’e kishte parë dhe aq më tepër ta kishte lexuar atë. Ky ishte, mund të themi, fati i atij njoftimi. Ndërsa, pjesa tjetër është një histori që lidhet veçse me Rezartin dhe që nga ajo kohë ka vazhduar gjatë.
Si një freelancer, me një eksperiencë prej 19 vitesh në fushën e komunikimit vizual, Rezarti ka punuar në shumë projekte të ndryshme në fushën e marketingut, si brenda dhe jashtë vendit. Puna e tij lidhet më shumë me krijimin dhe prodhimin e imazhit, ku në mënyrë krejt të veçantë përdorimi i mesazheve për komunikimin me publikun është një prej pjesëve më të rëndësishme. Nisur nga ky fakt, pra, si një person që ka eksperiencë të madhe në prodhimin e videove publicitare, prodhimeve televizive dhe imazheve për fushatat elektorale, ai i ka parë zgjedhjet e 14 majit, si një mundësi për të kontribuar në një projekt shumë të rëndësishëm dhe në mënyrë të veçantë, duke arritur të ndikojë në një fushë ku, një mesazh i qartë dhe i besueshëm, mund t’i ndryshojë rrjedhën zgjedhjeve, për të ndikuar në të ardhmen në përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Në rolin e “creativ director” të fushatës së Roland Bejkos, kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Rezarti e ka parë, ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, edhe si një mundësi të mirë për të zhvilluar aftësitë e tij në bashkëpunimin me një grup njerëzish që janë angazhuar për të krijuar një ‘content’ efikas, lidhur me mesazhet që duan t’i tregojnë qytetarëve. Ai thotë se ishte i gatshëm për ta pranuar një rol të tillë në fushatën e Partisë Demokratike në Tiranë edhe për një arsye tjetër, ndoshta shumë më të veçantë nga sa paramendohet, pasi vetë ai është i bindur se ky subjekt politik ka një potencial të pakonsumuar dhe mbi të gjitha vetë kandidati Bejko ka një vizion të qartë dhe të besueshëm për të ardhmen e qytetit.
Rezarti ka dëshirë ta theksojë se kjo është një fushatë pa buxhet financiar, por edhe se është e tillë, për nga mënyra se si po menaxhohet, të krijon përshtypjen se kjo është një fushatë e madhe jo vetëm për kontekstin e veçantë që ka, por edhe për risitë që janë përdorur. Ai thotë se përdorimi i teknologjisë së fundit në prodhimin e videove dhe imazheve elektorale, duke përdorur grafikë dhe animacion, i ka bërë mesazhet më të qarta dhe më të kapshme për publikun.
“Përmbajtja dhe mesazhet e fushatës janë prezantuar në një mënyrë të qartë dhe të besueshme, duke përdorur statistikat dhe fakte për të mbështetur platformën e kandidatit Bejko në mënyrë që votuesit të kuptojnë sa më mirë programin e tij. Përdorimi i estetikës për të shprehur mesazhe është një pikë e rëndësishme për mua, duke përdorur ngjyrat dhe forma jo të zhurmshme për të bërë mesazhet më të ndjeshme dhe të prekshme për publikun”, tregon Rezarti.
Ai thotë se në këtë fushatë zgjodhi që ngjyrën blu tradicionale të Partisë Demokratike ta sjellë në kohë, duke i dhënë nuanca (Navy Blue) me qëllim që në syrin e publikut të perceptohet si diçka e re. Sipas tij, përdorimi i kësaj ngjyre ka disa pika të forta, ndoshta ndër më kryesoret janë: Krijon një kontrast shumë të mirë me ngjyrën e bardhë, e cila është pjesë e identitetit të Partisë Demokratike. Gjithashtu, publiku arrin të shohë një imazh të kuruar, duke qenë se janë larguar pak nga bluja standarde. Dhe, më kryesorja, ndikon në emocionet e votuesve, pasi kjo ngjyrë konsiderohet si e besueshme, profesionale dhe serioze, çka mund të ndikojë në emocionet e votuesve.
“Një pikë tjetër e fortë është ndërthurja e ngjyrës Cyan, e cila është përdorur tek fjala Frymëmarrje dhe tek Nr.6, me ngjyrën Navy Blue. Ky kombinim krijon një kontrast të këndshëm dhe tërheqës për sytë dhe një ndjesi të freskët dhe moderne. Ndërthurja e këtyre dy ngjyrave mund të krijojë një efekt interesant dhe tërheqës, duke e bërë produktin ose komunikimin vizual më të veçantë dhe të dallueshëm nga të tjerët. Kemi zgjedhur një stil të shkrimit me fontin e shkrimit të dorës, i cili rrit ndjenjën e një imazhi të personalizuar dhe autentik, duke krijuar një lidhje më të ngushtë me publikun. Gjithashtu, fonti i shkrimit të dorës në këtë kombinim krijon një ndjesi të informacionit të shpejtë dhe jo të lodhshëm për syrin, që është një element i rëndësishëm në një fushatë komunikimi vizual”, thotë ai.
Si drejtues kreativ, Rezarti, ka sugjeruar shtimin e një aspekti mjaft tërheqës dhe modern për fushatën elektorale të Partisë Demokratike që do të ishte i veçantë për të rinjtë. Ai kishte dëshirë që Partia Demokratike në Tiranë gjatë kësaj fushate elektorale të kishte një aplikacion të dedikuar, ku të rinjtë dhe jo vetëm, mund të ndiqnin ngjarjet dhe aktivitetet e kandidatit Roland Bejko, të merrnin pjesë në sondazhe dhe të komunikonin në kohë reale me të. Sipas tij, një aplikacion i tillë, mund të ofronte një platformë interaktive dhe tërheqëse për të rinjtë, duke i bërë ata pjesë të fushatës elektorale dhe duke i ndihmuar ata të kuptojnë rëndësinë e angazhimit të tyre në jetën publike të vendit.