Kronike
Njohja e Gentjan Bejtjas me të vrarin e dy viteve më parë, pse ish-efektivi nuk i shkoi në varrim
Gentjan Bejtja i ekzekutuar me breshëri kallashnikovi pasditen e sotme në banesën e tij në Fushë Krujë, kishte pasur miqësi me Iljaz Çalin, i ekzekutuar gjithashtu me armë zjarri më 4 prill të vitit 2022.
Madje, Bejtja ishte personi i fundit me të cilin kontaktoi viktima. Përveç njohjeve midis tyre, nuk dihen fijet që i lidhin në prapaskenë dhe që kanë sjellë deri më tani disa viktima. Emisioni “Në Shënjestër”, nga Klodiana Lala ka zbardhur kohë më parë dosjen hetimore dhe dëshminë e Gentjan Bejtjas për vrasjen e Iljaz Çalit.
“Tri apo katër ditë përpara se të vritej, kam qenë në shtëpinë e Iljas Çalit për vizitë bashkë me gruan dhe fëmijët. Flisja me të vazhdimisht. Për herë të fundit kam shkëmbyer mesazhe me të, një orë përpara se të vritej. Iljasi me dërgoi një video fetare dhe më shkroi: ‘Dëgjoji se janë fjalë të mëdha’. Unë i shkrova: “Jam tu nejt në shtëpi” dhe i dërgova një foto nga telenovela e Ertugrulit”. Siç do të pohonte edhe Gentjan Bejtja, Iljas Çali i ishte shprehur se minierën e kishte marrë sërish në zotërim, por nuk kishin biseduar më gjatë. “Më tha që ‘e kam marrë vetë minierën’. Lajmin e vrasjes e mësova nga televizori. Në varrimin e Iljasit nuk shkova, sepse unë nuk kisha miqësi me të dhe nuk kisha lidhje aq të forta me familjen”.
Alibia e tij për të mos shkuar në varrimin e mikut, me të cilin kishin hyrje dalje familjare nuk iu është dukur e besueshme hetuesve. Duket se ai nuk shkoi për t’i dhënë lamtumirën e fundit Iljas Calit, për të shmangur kontaktet me disa personazhe të tjera nga Nikla, që gjendeshin në atë varrim, Ku siç thuhet Bejtja ka konflikte dhe përplasje të lindura kohët e fundit. Po ndërsa familja po i jepte lamtumirën e fundit të afërmit të saj, nga ana tjetër policia vijonte me marrjen e dëshmive. Personi i fundit që e kishte lënë për t’u takuar me Çalin natën e vrasjes ishte një i njohuri i tij i fëmijërisë, por takimi nuk u krye. Ndërsa Çali u qëllua nga një makinë në lëvizje në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës, vetëm pak çaste kishte shkëputur komunikimin me mikun e tij, ku autorët thuhet se e kishin ndjekur nga pas dhe 3 gëzhoja u gjetën në vendin e ngjarjes.
“Iljasi nuk ruhej. Ai nuk kishte shfaqur as shqetësime. Unë lëvizja vazhdimisht me të. Madje e kishim lenë të takoheshin bashkë atë dhe mbrëmje, por unë duhet të çoja fëmijët te gjyshja”.
Edhe pse nuk ka ende një autor të dyshuar mbi ngjarjen, policia po vazhdon të hetojë disa pista lidhur mbi ekzekutimin e Iljas Çalit, ku pista më e fortë mbi krimit mbetet lufta për kromin. Një luftë e përgjakshme që duhet thënë se ka marrë shumë jetë njerëzish jo vetëm brenda por mbi të gjitha jashtë galerive. Aty ku interesat janë edhe më pranishme dhe kanë çuar në eliminime të kohë pas kohshme dhe rivalitet që po prodhon gjak dhe dhunë të përzier me krom.
Një tjetër pistë, është konflikt për një pronë, për të cilën siç thuhet nga hetuesit kishte interes një personazh i shumëpërfolur i botës së krimit. Kontaktet telefonike të viktimës janë duke u verifikuar nga hetuesit, por siç thuhet në dosje, ai fliste pak dhe rrallë. Por pavarësisht kësaj në celularin e Iljas Calit janë zbuluar kontakte me njerëz të botës së krimit, të cilët janë duke u hetuar si të dyshuar për vrasjen.