Connect with us

Aktualitet

Njohja mes ish zv-ministrit Rjepaj me biznesmenin Rrapaj, detajet nga SPAK

Në ditën kur Shkalla e Parë e GJKKO-së vendosi të lërë në burg ish-zv.ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që përfitoi koncesionin 100 milionë euro të Sterlizimit, detaje të reja janë zbuluar për mënyrën se si dyshja janë njohur.

Sipas dosjes së SPAK për hetimet mbi aferën me kompaninë “SaniService”, rezulton që Rjepaj dhe Ilir Rrapaj të jenë miq, që nga koha e studimeve universitare.

Prokurorët e që po hetojnë koncesionin e sterilizimit kanë informacione të plota, që tregojnë se Rrapaj e Rjepaj përfunduan studimet në Fakultetin e Mjekësisë në 1991-1994.

Jo vetëm kaq, pasi në të njëjtat vite ka qenë student i Mjekësisë edhe shtetasi me inicialet A.LL., i cili është drejtor ne kompaninë koncesionare “Sani Service”.

Sikur të mos mjaftonin regjistrat e fakultetit, njohjen mes Rrapajt dhe Rjepajt e ka konfirmuar edhe një bashkëstudente e tyre me iniciale D.N.

Sipas dosje hetimore, organi i akuzës më 2 nëntor 2021 ka kryer në Universitetin e Mjekësisë këqyrjen e dokumenteve të mbajtura për ndjekjen e studimeve nga Klodian Rjepaj.

DOSJA HETIMORE

“Nga këqyrja rezultoi se shtetasi Klodian Rjepaj ka ndjekur vitet akademike në vitet 1990-1998, të ndara në dy periudha. Në vitet 1990-1994 dhe më pas në vitin 1994-1995 nuk ka frekuentuar studimet, për vitin 1995-1996 ka dhe shënimin “përsërit vitin”. Edhe për vitin 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër. Më pas rezulton se ku shtetas ka kryer studimet në vazhdim në vitet akademike 1996-1997, 1997-1998 kur dhe është diplomuar.

Në këto regjistra vërehet se ka ndjekur studimet akademike në mjekësi edhe shtetasi Ilir Rrapaj.

Në regjistrin 8 Mjekësi, ku ndodhet emri i shtetasit Klodian Rjepaj, dy rreshta mbi të është i shënuar emri i shtetasi Ilir Rrapaj, të cilët për vitet akademike 1991-1992, 1992- 1993, 1993-1994, kanë ndjekur bashkë vitet akademike. Për vitin akademik 1994-1995 ashtu si Klodian Rjepaj, edhe shtetasi Ilir Rrapaj nuk ka frekuentuar studimet. Për vitin akademik 1995-1996 ashtu si Klodian Rjepaj edhe shtetasi Ilir Rrapaj ka shënimin “Përsërit vitin”. Edhe për vitin akademik 1996-1997 nuk ka shënime në regjistër.

Gjithashtu, në të njëjtin regjistër në “regjistrin 7”, ku ndodhet emri i shtetasit Ilir Rrapaj, vërehet emri i shtetasi A.LL. i cili ka përfunduar studimet në vitin akademik 1994-1995.

Shtetasi A.LL. rezulton të jetë Drejtor në kompaninë Koncesionare Sani Service që nga krijimi i saj. Gjithashtu, ai është administrator i kompanisë “Gamaservice”, kompani e cila ka transaksione në shitjet e kryera nga Koncesionari Sani Service për periudhën Prill 2020-dhjetor 2021 në vlerën 116 966 534 lekë (referuar informacionit të marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve).

Nga përmbajtja e këtyre akteve rezulton se Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj kanë ndjekur bashkë studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1991-1994 (1995-1996 të dy nuk kanë frekuentuar studimet). Gjithashtu, këta të fundit kanë përfunduar studimet me shtetasin A. Ll.

Gjithashtu më 22 dhjetor 2021 është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasja D. N.

Kur është pyetur lidhur me faktin nëse ka njohje me shtetasit Ilir Rrapaj dhe Klodian Rjepaj ka deklaruar se: “Klodianin e kam pasur shok gjatë kohës së ndjekjes së studimeve universitare në Universitetin e Mjekësisë në vitet 1990-1992. Më pas unë jam larguar nga Shqipëria dhe kam vazhduar studimet në vitin 1995. Në dijeninë time edhe Klodiani është larguar një vit në Greqi dhe ka lënë studimet e i është rikthyer përsëri më vonë. Gjithashtu kam punuar me Klodianin në Institutin e Shëndetit Publik në vitet 2008-2013, ku Klodiani ka qenë menaxher i programit kombëtar të HIV-AIDS.”

Sa i përket njohjes me biznesmenin, D.N. ka deklaruar: “Po e njoh Ilir Rrapajn pasi është nga Vlora dhe kemi qenë studentë bashkë në fakultet, Iliri ka qenë në një brez me mua dhe Klodianin.”

Advertisement