Politike
“Noc Rrokun do shkrijë bufi që futi në burg Nanon”/ Rama: Jam kundër arrestimit të Veliajt…

Duke ritheksuar për të disatën herë mbështetjen ndaj SPAK dhe drejtësisë, kryeministri Edi Rama u shpreh se është kundër arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliajt dhe mbajtjes së tij në paraburgim pa gjyq.
Nga rubrika “Sy m’sy”, kryesocialisti ironizoi kreun e PD Sali Berishën ku tha se ‘Noc rrokun do shkrijë bufi i kënetës’.
Rama tha se zëri kritik është i nevojshëm aty drejtësia e pavarur tejkalon kompetencat apo ku ka parregullsi, por SPAK tha kryeministri nuk do të shkrihet.
Kreu i qeverisë tha se si politikan ka bërë detyrën për të realizuar reformën në drejtësi, dhe sipas tij ky është dallimi mes PS sot dhe PD dje e cila arrestoi ish kreun e PS-së Fatos Nanon.
Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama:
Në nisje të Episodit Kryeministri Rama bisedon në telefon me deputetin Taulant Balla, lidhur me ecurinë e procesit të regjistrimit të bashkatdhetarëve në platformën e votimit.
Taulant Balla: Tanimë nuk ka asnjë pengesë sa i përket realizimit me sukses të votimit të bashkatdhetarëve. Kështu që, deri në 4 mars kanë kohë edhe dy javë që të marrin pjesë, të regjistrohen. Unë e shoh si shumë pozitive le të themi interesimin e bashkatdhetarëve edhe pse një pjesë thonë që po shiko se janë pak. Nuk janë aspak pak, përkundrazi. Duhet të kuptojmë që është hera e parë dhe natyrshëm nuk qe një kohë e mjaftueshme për t’i shpjeguar procesin sepse jo të gjithë e njohin si duhet procesin e regjistrimit, por besoj se këto dy javë do të ketë një numër të konsiderueshëm që do vazhdojnë të regjistrohen dhe ka dhe një fakt që është një fakt i bukur që duhet ta themi. Që numri i madh i shteteve nga të cilët shqiptarët janë regjistruar, po t’i hidhni një sy shteteve nga të cilat janë regjistruar pothuajse në çdo cep të botës janë regjistruar bashkatdhetarët.
Kryeministri Edi Rama: KQZ po bën publicitet për regjistrimin? Se kam përshtypjen që akoma ka njerëz që nuk e dinë.
Taulant Balla: Ajo që unë do t’i kërkoja KQZ është që duke patur parasysh numrin e madh të aplikimeve të cilat janë refuzuar për shkaqe që natyrshëm qëndrojnë në bazë të parashikimit që ka ligji, do duhet që të bëjnë më shumë publicitet dhe shpjegim të procesit. Madje edhe me persona, të cilëve iu është refuzuar, duhet të ketë një asistencë ndaj tyre sepse e vërteta është që bashkatdhetari ka shprehur interes. Pra ai është munduar ta bëjë këtë detyrë ndaj atdheut, por nuk ka rritur dot për shkaqe se nuk e ka kuptuar mirë ose le të themi ka nevojë për një lloj shpjegimi më të detajuar.
Kryeministri Edi Rama: Domethënë, kjo e djeshmja, e fiksoi që e para të gjitha shpenzimet e votimit me postë i merr qeveria, që do të thotë zarfi shkon i paguar dhe kthehet i paguar. E dyta, deri në 4 Mars të gjithë duhet të regjistrohen në platformën e KQZ ata që duan të votojnë se në 4 Mars mbyllet afati i regjistrimeve.
Taulant Balla: Po dhe vendimi i kuvendit i dha mundësi dhe 10 ditë të tjera KQZ-së për procesin e dërgimit sepse regjistrimi i partive politike dhe i koalicioneve dhe kandidatëve u spostua. Partitë politike kandidatët janë të detyruar t’i çojnë 60 ditë para, jo 50 ditë sa ishte dhe kjo i jep më shumë kohë KQZ që të përgatisë fletën e votimit, tua u dërgojë bashkatdhetarëve dhe po ashtu tua u kthej.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Ndoshta e ndoqët pak me drejtuesin politik për Diasporën. Dje, më në fund Kuvendi i Shqipërisë e ka marrë më në fund atë vendim që duhet ta merrte prej disa kohësh, por më mirë vonë sesa kurrë, dhe në këtë rast, është në rregull sepse tani është përcaktuar qeveria si përgjegjëse për të mbuluar të gjitha shpenzimet e votimit e votimit me postë. Pra, të gjithë ata që do të votojnë nga jashtë, do të marrin zarfin “rekomande” dhe të parapaguar dhe do duhet thjesht që me kujdes ta hapin, të nxjerrin zarfin tjetër që ka fletën e votimit, të shënojnë preferencën, të fusin fletën e votimit në zarfin që do të kthehet dhe ta kthejnë mbrapsht me postë, kjo është e fiksuar. Në datën 4 mars, mbaron regjistrimi. Kështu që, regjistrohuni, regjistrohuni, regjistrohuni sepse kjo është jo vetëm historike për të gjithë ju që jeni jashtë, pasi është hera e parë që do mund të votoni pa qenë e nevojshme të ktheheni këtu në Shqipëri për të votuar dhe pa pasur brengën që nuk votoni dot, dhe nga ana tjetër, 11 maji është vendimtar për Shqipërinë 2030. Është vendimtar për ecurinë e procesit të anëtarësimit. Të gjithë ata që e kanë ndjekur konferencën e sigurisë në Mynih, ku kishte një panel të posaçëm në sallën qendrore, për herë të parë për Ballkanin Perëndimor, me siguri kanë dëgjuar prononcimin e qartë më shumë se një herë të Komisioneres për Zgjerimin, Marta Kos, Shqipëria dhe Mali i Zi janë në pararojë të këtij procesi, dhe për Shqipërinë plani është që brenda 2027, të mbyllet krejtësisht negociata dhe pastaj t’i jepet kohë parlamenteve të vendeve anëtare për të ratifikuar anëtaren e re të Bashkimit Europian, Shqipërinë tonë. Kështu brenda mandatit të 4, në fund të mandatit të 4, brenda 2030 të ngremë flamurin kuq e zi në majën e shumë ëndërruar dhe të shumë dëshiruar të Bashkimit Europian.
Këtu jemi për të bërë pyetje-përgjigje, por kini parasysh na kanë ardhur dy letra. Njëra në fund të janarit dhe tjetra në fillim të shkurtit për të hapur 2 grup kapituj të tjerë. Është një shpejtësi e jashtëzakonshme e ecurisë së negociatave dhe pse? Sepse Shqipëria po përmbush ato që duhet të përmbushë me hapa shumë të shpejtë, ndërkohë që këtu zien kazani me ujin e kënetës dhe me bufin plak të kënetës aty në buzë të kazanit duke u fryrë të gjithë zjarreve të mundshme të të shkuarës që do të shuhen që të gjitha dhe 11 maji do të jetë fundi, fundi i fundit të historisë së një kënete me një buf që ka marrë peng opozitë shqiptare dhe faktikisht në një farë mënyre, i rri si një hije e mallkimit qysh prej 1912 Shqipërisë mbi kokë.
Për tu lidhur me ju dhe me pyetjet tuaja, kam këtu Ardianin, ju the që bonusi u jepet në shkurt. Rastësisht e pashë një postim nga disa portale anonim dhe the që bonusi i shkurtit jepet në mars. Për këtë arsye unë them është e kotë të të jap votën ty. Kush të jep votën ty është tradhtar, armik e ‘shpiun’.
Uff! Ardian unë nuk kam thënë kurrë që bonusi, nëse e ke fjalën për bonusin e pensionistëve, jepet në shkurt, sepse unë kam thënë do të kemi një bonus pranvere dhe unë mendoj që, nuk ka nevojë të ta them unë që pranvera nuk ka ardhur asnjëherë në shkurt dhe nuk ka sesi vjen edhe këtë vit në shkurt. Bonusi do të jepet në pranverë. Është i depozituar në bankën e Shqipërisë dhe do të lëvrohet të pranverë. Kur fillon pranvera, pyet se ta thonë dhe pastaj nuk e kuptoj ku lidhet bonusi me ‘’shpiunët’’ armikun dhe tradhtarin. Po sikur gjithë ‘shpiunët’, armikët dhe tradhtarët të ishin si unë, atëherë shqiptarët do kishin shpëtuar një herë e mirë nga tradhtia, ‘shpiunimi’ dhe armiqësia.
Përshëndetje Edi Rama, thotë Anili. I ke dëgjuar ato fjalët, dardha e ka bishtin mbrapa. Çfarë ke bërë ti për Shqipërinë. Ti dhe politikanët e tjerë nuk keni bërë pothuajse asgjë për Shqipërinë. Turp të kesh ti dhe kolegët e tu. Çfarë të mbjellësh, do korrësh. Do vijë dhe koha jote. Nuk shpëton as ti. Zoti shikon dhe regjistron gjithçka, mbaji mend këto fjalë.
Anil, këtë çështjen e punëve të Zotit, unë them më mirë ta marrim me rezervë se punët e Zotit, i di vetëm Zoti. Ndërkohë që çfarë kam bërë unë për Shqipërinë, nuk ka nevojë të të lodh unë ty duke ta thënë, mjafton që ti të fërkosh pak sytë dhe t’i kthesh mbrapa dhe të shohësh se nga e kemi nisur këtë rrugë, kur shqiptarët vendosën që të ma japin mua dhe Partisë Socialiste barrën e udhëheqjes së këtij vendi, për të kuptuar se çfarë kam bërë unë me Partinë Socialiste në një dekadë të vetme. Nuk e di nëse ke qenë në këtë planet, apo ke qenë në një planet tjetër, por nëse ke qenë në këtë planet, edhe nëse nuk ke qenë në Shqipëri, me siguri do ta kesh dëgjuar dhe do ta kesh parë nëpërmjet ekraneve apo nëpërmjet kanaleve të tjera të informacionit se Shqipëria kur ne morëm detyrën, ishte pa drita. Nuk kishte drita, a më kupton. Dhe kishte një borxh katastrofik vetëm ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike. Vetëm ndaj asaj, pa llogaritur borxhet e tjera. Shqipëria nuk kishte një makineri që ndizej në kantiere, sepse ishin fikur të gjitha nga borxhet sepse nuk i paguante më askush. Të gjitha rrugët ishin lënë rrugëve. Ishin prerë shirita me daulle, por nuk kishte një kantier në punë sepse nuk kishte më para. Spitalet nuk kishin më mundësi të furnizoheshin sepse kompanitë e furnizimit të ilaçeve nuk bënin më furnizim për shkak se shteti nuk u paguante më paratë. Çfarë do të të them më, se është habi e madhe që duhet të kujtojmë gjëra të tilla për disa që nuk e di çfarë kanë parasysh kur të vënë shenjën e barazimit mes shkatërruesve dhe ndërtuesve. Ne mbase nuk kemi ndërtuar gjithçka që kemi dashur të ndërtojmë sepse kjo jetë nuk është kaq e thjeshtë. Raporti mes dëshirave, mundësive dhe pastaj rrethanave që krijohen. Mos harro që na ndali rrugës një pandemi që gjunjëzoi gjithë botën, një tërmet që do të kishte gjunjëzuar një elefant, jo më Shqipërinë që nuk është sa një elefant mes vendeve dhe ja ku jemi sot këtu me të gjithë parametrat të pakrahasueshëm me çfarë ishim dhe ka lavdi Zotit, meqë ti e ke me merak t’i referohesh Zotit, një provë të pakontestueshme nga askush që është ecuria e procesit të anëtarësimit në BE. BE nuk i hap asnjë derë askujt që nuk është gati për të kapërcyer pragun dhe ne kemi hapur disa dyer tanimë dhe dy dyer të reja vetëm në fund të janarit dhe në fillim të shkurtit dhe kemi marrë letrën dhe do te hapen në mars dhe në prill, kështu që ça mund të të them unë më shumë, se nuk dua te hyj tek turizmi, s’dua të hyj tek një sërë të dhënash të tjera që tregojnë që Shqipëria sot me Shqipërinë dje është si dita me natën; Shqipëria sot me Shqipërinë e 2030 është thjesht dhe vetëm si dita që sapo ka aguar.
Ja Kristi, Krist Murati; Edi Rama o pasha qetësohu se bëra shaka. Krist Murati nga Elbasani.
Shaka nuk bëre po unë i qetë jam, s’ka asnjë problem. E di që ti ke të tjera opinione por di gjithashtu që je një djalë që jeton me punën tënde dhe e vetmja gjë që mua mu duk pak e çuditshme, është që ndërkohë që ti merresh me evente dhe bën biznes eventesh dhe të ecën goxha mirë, ankohesh se s’ka bukë të hajë. Këtë s’e kuptova unë ,si e lidhe ti, bukën me eventet e tua që të ecin shumë mirë dhe paç vetëm të mira, Krist Murati.
Aurela Qarllia: Ja me çfarë shteti kemi të bëjmë ne me një shtet të korruptuar ku dhe njerëz të pafajshëm vriten ditë për dit dhe më dërgon një link të dy mjeteve që janë përplasur, ku ka humbur jetën një çoban dhe delet e tij; dhe çfarë shteti jemi ne kur patentat blihen lekë dhe ku 14-vjeçarë ngasin sikur kujtojnë se po lozin.
Shiko, unë nuk e di nga i këto informacione po e para njëherë, më vjen shumë keq për humbjen e jetës së një njeriu që me delet e tij ishte fatalisht në rrugë, pastaj hapa dhe linkun që më ke çuar dhe sipas, të paktën lajmit që më ke çuar, i referohesh pikërisht delet janë bërë shkak i atij aksidenti, në mbrëmje mesa kuptova, në një rrugë, në një zonë rurale, fatkeqësi patjetër, por nuk më duket se këtu ka lidhje me korrupsionin shtetëror apo ka lidhje me patentat që shiten e blihen se ka ikur koha, ka vdekur koha kur shiten e blihen patenta dhe sa për dijeninë tënde, patentat tona janë njohur në vendin më të vështirë për njohjen e patentave, që është Republika Federale e Gjermanisë dhe jo tani, po prej disa vitesh, falë transformimit kolosal që është bërë pikërisht në gjithë sistemin e marrjes së lejeve të automjeteve, të kontrollit të drejtuesve të automjeteve e kështu me radhë, kështu që dakord, mund të jetë një mënyrë për t’u shfryrë, që hap facebookun e fut e bjer, por kam përshtypjen që ia ke fut pak kot me pak fjalë.
-Sy m’sy, thotë Vlashi, jeni duke rrejt tërë ditën ju dhe media që shkon nga shkon pushteti..Shpëlarje truri sepse, më fal, pas politikës vrapojnë sot servilat dhe budallenjtë..Edhe unë sy m’sy po ta them, boll me këtë se të ka votuar populli, se u bëre bajat, se e dimë si i blini vota nga ju dhe shokët e PD.
Shiko, e para e punës njëherë, shokëve të mi, Vlash po deshe mos ua ngarko edhe këtë njollë të madhe që janë të PD se është shumë njollë e madhe në aspektin që i bie të jesh qorr, e bie të jesh shurdh, e i bie të mos duash të shikosh edhe pse Zoti t’i ka dhënë sytë, edhe pse Zoti t’i ka dhënë veshët, e para. E dyta, unë nuk e di ku janë këto mediat që shkojnë nga shkon pushteti se mua nuk më rezulton kështu, s’kam parë deri më sot ndonjë media që shkon nga shkon pushteti, të paktën e kam fjalën në raport me periudhën e qeverisjes sime, përkundrazi. Ndërsa përsa i përket blerjes së votave, bajat janë të gjithë ata që e lidhin votën e popullit për PS dhe për mua me blerje e me shitje, se 800 mijë njerëz nuk ka perëndi që i blen; 800 mijë njerëz janë vullnet popullor dhe këtë nuk e luan topi kështu që kjo është thjesht alibia idiote e humbësave kronikë që nuk fitojnë edhe sepse nuk arrijnë të kuptojnë se pse humbasin dhe duke ia mohuar të vërtetën vetes, mbetem po humbësa, ngelësa dhe fatkeq deri në fund për shkak se nuk duan të pranojnë të vërtetën që humbin se ne jemi më të fortë, jemi më të zotë, jemi më të mirë dhe jemi të duhurit për këtë vend, kështu që përsa i përket rrenave, unë nuk di se ku e ke fjalën dhe për çfarë e ke fjalën. Unë di që nuk kam as arsye por as edhe edukatën e njeriut që të rren për të përfituar qoftë edhe një votë të vetme. Nuk e kam këtë kështu që mos.., ke gabuar, shikoje se do të ndihmoj ty, se për mua një më shumë , një më pak që mendon se jam kështu nuk përbën ndonjë diferencë të madhe.
Zoti Kryeministër- thotë Silvana, mandatin tjetër mundohuni të rregulloni legjislacionin për të vënë në emër të ligjit të shprehjes, kanë shkelur të drejtën e informimit po s’kemi ça i bëjmë. Gazetarët nuk bëjnë punën e tyre, janë bërë analista, japin mendime sipas fryrjes së erës. Nuk mund të shohim dot asnjë kanal televiziv.
Nuk kemi çfarë i bëjmë kësaj. E vetmja gjë që mund të bësh, është me telekomandë shko diku tjetër, shiko një fil, ndiq një koncert, shiko sport, emisione kuzhine, nuk si se çfarë të të them, por përsa i përket atyre që thonë, është liria dhe e drejta e tyre t’i thonë dhe është liria dhe e drejta e tyre të jenë tërësisht në mospërputhje me të vërtetën por është një zgjedhje që ne nuk e frenojmë dot dhe nuk e ndryshojmë dot. Ça të të them?
-Ne mezi presim o kryetar –thotë Xhevdeti, dëgjojmë xhevahiret e rradhës. Jepi se e ke në rregull, viktimat pa gjumë dhe fukarallëk mezi të presin.
Edhe ndërkohë në fotografi ti aty ke dalë në një vilë dykatëshe dhe flet për viktima pa gjumë, fukarallëk ekstrem edhe bën edhe humor kaps. Xhevo zgjohu, zgjohu, Xhevo.
-Po pse, ça ka bërë ai SPAK-u yt?
E para e punës një herë SPAK nuk është i imi, SPAK është i Kushtetutës dhe i reformës në drejtësi. Për reformën në drejtësi po, aty marr përsipër autorësinë bashkë me PS. Besoj që tani jeni shumë më të qartë se ç ‘ishit se tani edhe Amerika është tërhequr siç e keni parë, nga kjo punë dhe nëse SPAK-un do ta kishte sjellë Amerika, tani që Amerika është tërhequr nga kjo punë, do ta kishte marrë me vete në Amerikë, po jo. SPAK është këtu dhe SPAK ka vetëm një garanci dhe ua u kam thënë, po ia u them dhe do t’iua u them: e vetmja garanci për mbijetesën dhe shkuarjen përpara SPAK-ut në kushtet e kësaj lufte të gjithanshme që i bëhet nga këneta politike dhe mediatike me në krye bufin, bufin plak të kënetës është Partia Socialiste e Shqipërisë dhe unë në krye të saj. Kështu që, rrotulloheni nga të doni, reformën në drejtësi e kam bërë unë me PS dhe e garantojmë unë me PS, nuk e garanton askush tjetër
“Po pastron politikanët e tu të korruptuar. Çfarë ka bërë zoti Rama, që mburresh e mburresh me atë SPAK leshi, i ka marrë ndonjërit pasurinë e më pas t’ia japë popullit fukara apo i dënon”
Kjo është logjika e 1946-ës, ndërkohë që ne jemi në 2025. Në 2025 sfida jonë është të ndërtojmë një sistem drejtësie të drejtë dhe të barabartë dhe pjesa e parë ë sfidës që mua më duket tanimë është e fituar, pavarësisht kostove pavarësisht gjera që nuk shkojnë, se ka plot gjëra që nuk shkojnë edhe me SPAK që të jemi të qartë, se nuk ka rënë nga qielli, është një strukturë e re, është një institucion i ri me shumë probleme. Është sidoqoftë se ka krijuar vetëbesimin e pavarësisë. Pra askush nuk mund të thotë sot se SPAK është i kapur nga unë, SPAK është i kontrolluar nga unë, “SPAK di da di, SPAK da da da”. SPAK është një institucion i pavarur, por sfida është që pavarësia të jetë garanci edhe për profesionalizëm edhe për standardet e demokratike sepse historia na i ka mësuar të tëra. Ne nuk duam dhe nuk do ta tolerojmë një sistem drejtësie të njëanshëm thjeshtë dhe vetëm të pavarur por jo profesional dhe në shkelje të standardeve demokratike, që do të thotë të të gjitha atyre kritereve të lirisë, të lirive dhe të drejtave që bëjnë diferencën mes një drejtësie në diktaturë apo në autokraci dhe një drejtësie në demokraci.
Kështu që, të jemi shumë të qartë për këtë. Prandaj dhe ne kemi hyrë në një fazë tjetër siç ka hyrë dhe SPAK dhe drejtësia në një fazë tjetër, ka krijuar vetëbesimin tek pavarësia e vet. Dhe ne kemi hyrë në një fazë tjetër sepse na duhet që të kemi një pozicion kritik për të gjitha gjerat që nuk shkojnë. Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të shkelen liritë dhe të drejtat e njerëzve. Ne nuk mund të lejojmë që në emër të pavarësisë të intimidohen njerëzit që merren në pyetje. Ne nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë të kapërcehen fazat e hetimit dhe të gjykimit dhe as nuk mund të pranojmë që në emër të pavarësisë paraburgimi të bëhet faktikisht një normë për të kapur dhe për të kyçur brenda pa gjyq këdo qoftë. Kur kushtet e domosdoshme që duhen plotësuar për tu paraburgosur dikush janë shumë të qarta dhe praktikisht nuk kanë të bëjnë fare me një pjesë të atyre për të cilët janë konsideruar të përmbushura. Por këto janë të gjitha çështje të një diskutimi dhe një debati demokratik. Ne na duhet të arrijmë të vëmë emrin e Shqipërisë, “Albania” në tryezën e familjes së përbashkët europiane. Prandaj unë jam këtu, prandaj unë rri këtu, prandaj unë dua mandatin e katërt. Nuk kam unë asgjë tjetër përveç një fiksim, një gozhde këtu në kokë që e kam qysh ditën e parë që kam marrë të përpjetën duke sfiduar ish kryetarin e PS dhe mikun tim të kahershëm dhe të përhershëm tanimë Fatos Nano, duke marrë lidership-in e PS, duke sfiduar bufin e kënetës dhe duke e lënë me gjithë kënetën e vet në mjerimin e vet dhe duke këmbëngulur e këmbëngulur pavarësisht llumit, baltës, gurëve dhe të gjithë llojeve të poshtërsive dhe ligësive që kam përjetuar dhe mbi të gjitha që i janë bërë familjes time.
Është vetëm një fotografi me të cilën zgjohem dhe me të cilën fle. Fotografia që dua ta bëj dhe ta postoj këtu në Facebook duke thënë: misioni u përmbush, Përqafime të gjithëve, Edi Rama. Fotografia ku do të jetë e shkruar ALBANIA në tryezën e Këshillit Europian. Aty ku do të ulemi për mos tu ngritur më, aty ku do të jemi të barabartë mes të barabartësh, aty ku bijtë e shqipes do të jenë përfundimisht të pa paragjykueshëm dot nga askush dhe askush nuk do mund t’i shohë më nga lartë poshtë. Ja, kjo është arsyeja pse unë jam këtu Alban dhe këto të tjerat pastaj, “jo po tercë jo po vërci” mund t’i thonë të gjithë por nuk kanë lidhje fare me mua. Nuk më interesojnë fare. Unë këtu jam vetëm me këtë gozhdë në kokë. Dhe o e bëj unë me PS, o kjo nuk bëhet. Nuk bëhet, po ju them. Nuk bëhet, kijeni shumë të qartë. Kë do çoni të flasë me ta? Kë do çoni të ulet si i barabartë me ta? Kë do çoni që t’iu tregojë atyre se kush janë shqiptarët dhe kush është Shqipëria, bufin e kënetës që sa ta shohin të thonë: “Pu pu pu”. Apo do coni këta kua kua ua-të që e vetmja punë që dinë të bëjnë është sesi të shajnë dhe të bëjnë pis vendin e tyre. Mos mor burrë!
“Largohuni këlysh i komunizmit se shkatërrove Shqipërinë. Të erdhi fundi. Mbarime Ndreu”.
Mbarime, më vjen shumë keq por çfarë të të them unë tani? Se unë nuk e di a mund të jesh edhe ndonjë fillim fals, s’je fare mbarime, por unë gjithsesi unë po e marr të mirëqenë që je një zonjë që shkruan. Gjuhë shumë e rënde kjo për një zonjë por megjithatë unë nuk po përgjigjem. Këlyshët e komunizmit, shkatërrimin e Shqipërisë, ardhjen e fundit kërkoi gjetkë se ke ngatërruar komplet adresë.
O Rama, thotë ky Armando Ramaj, po si ta kishte publikuar Alex foton. Për inat të gojëve të liga, publikoje dhe ti foton me të, trego që je burrë jo ….
Armando, shiko këtu, unë Alex Sorosin e kam pasur mik. Të atin e kam mik dhe i kam pasur dhe do i kem miq dhe jam shumë krenar për atë miqësi që kemi shumë të qartë bashkë. Përrallat dhe historitë propagandistike që kërkojnë të lidhin gjëra që as nuk kanë lidhje fare, mua nuk më impresionojnë.
Dhe siç kam miq Alex-in, të atin, kam dhe miq të tjerë që nuk janë miq me ta por unë nuk bëj spekulime dhe abuzime me miqtë dhe mos u bëni qesharakë. Lërini historitë mes amerikanësh t’i zgjidhin amerikanët me njeri tjetrin. Mos gënjeni veten se këtu jemi ne kërthiza e botës etj. Kështu që, mos ma qaj hallin fare mua për miqtë e mi.
Kryeministri Edi Rama: unë kam shumë miq, të cilët mes tyre janë kundërshtarë apo janë armiq dhe nuk po filloj t’i numëroj, por merr shiko gjithë koleksionin e fotografive dhe takimeve të mia do të shohësh, jo një rast, por më shumë sesa një rast që kjo që po të them është mëse e vërtetë dhe është mëse e vërtetë në nivelet më të larta, ku kam privilegjin të jem, falë besimit dhe votës së popullit, kështu që këto historitë me kukulla e me mjeshtra kukullash mos i hani ose nëse doni t’i hani hajini, por nuk do t’ju çojnë asgjëkund.
– Po del, unë nuk ja përmend emrin këtij, por po e them për ata që na dëgjojnë, bufi mbi SPAK ju e keni frikë bufin prandaj nuk e arrestoni.
Kryeministri Edi Rama: Edhe njëherë, jetojmë në demokraci. Në demokraci pushtetet janë të ndara. Lavdi Zotit në demokraci nuk arreston qeveria, nuk arreston kryeministria, nuk arreston partia, nuk arreston politika, pavarësisht se në raste të caktuara arrestimet që bën drejtësia mund të mbajnë erë jo të mirë por kemi arritur në një fazë të re të historisë sonë. Deri dje kështu ndodhte, ti nuk ke faj sepse ish kryetarin e opozitës deri djeshme, paraardhësin tim, themeluesin e Partisë Socialiste e futi në burg ish-kryeministri, bufi i kënetës e futi në burg vetë me prokurorët e vet dhe kështu ka ndodhur që kur është krijuar shteti shqiptar dhe deri kur u bë reforma në drejtësi. Kjo ka marrë fund kështu që këto historitë “Keni frikë, nuk keni frikë” është mirë të mos ia thoni vetes se janë qesharake. Këtu nuk është as çështje frike, as çështje trimërie, këtu është çështje drejtësie dhe këto punë i di drejtësia sepse është më e qartë sa nuk ka… rasti i 21 janarit.
Çfarë mund të bënin ne për 21 janarin si parti politike, si shumicë qeverisëse? Çfarë mund të bëja unë si udhëheqës i shumicës parlamentare? Reformën në drejtësi sepse një drejtësi e kapur nuk mund dot të bëjë drejtësi për 21 janarin, shumë e thjeshtë, dhe nëse nuk do të kishte qenë reforma në drejtësi, së pari do të duhet që ne të përsërisnim të njëjtat gjëra që kanë bërë ata përpara nesh me në krye bufin e kënetës, por ne nuk jemi ata, ne nuk jemi ata. Diferenca mes nesh është e jashtëzakonshme; është diferenca mes Europës, Bashkimit Europian dhe bajraktarizmit ballkanik provincial kështu që në këto kushte të një ndryshimi tërësor në frymë dhe në filozofi, në qasjen ndaj tjetrit që nuk është një ndryshim tërësor që e kam sjellë unë, është një ndryshim tërësor që është në ADN e Partisë Socialiste.
Partia Socialiste, se po i kthehemi historisë, u rikthye në qeveri në ’97 dhe me një kryeministër që doli nga burgu politik, i cili nuk u hakmor, por përkundrazi, kaloi një tjetër fazë shumë të vështirë, gati e vranë këtu në këtë godinë ku jam unë sot pikërisht sepse nuk zgjodhi rrugën e hakmarrjes, por zgjodhi rrugën e pajtimit; rrugën e pajtimit në sensin e bashkëjetesës demokratike, jo e pajtimit në sensin e martesës me kundërshtarin.
Në këto kushte, çfarë mund të bëjë një forcë politike tjetër përveçse të bëjë një reformë dhe t’i thotë drejtësisë “Je e pavarur” dhe ta mbrojë pavarësinë e drejtësisë me trupin e vet. Si? Duke pranuar edhe koston e kafshimit në trupin e vet për shkak se korrupsioni dhe problematikat e korrupsionit nuk janë problematika që lidhen me një palë, janë problematika që lidhen me një shoqëri të tërë, janë problematika që lidhen me të gjithë pjesët e sistemit shoqëror, të sistemit administrativ, të sistemit politik të Shqipërisë dhe në këto kushte, vetëm një sakrificë e tillë politike mund ta krijonte pavarësinë e një institucioni dhe natyrisht, shoqëruar pastaj me angazhimin dhe kurajën e një sërë protagonistësh aty.
Çfarë mund të përgjigjemi ne sot, si mund të përgjigjem unë sot për 21 janarin, përveçse të them që presim nga drejtësia të bëjë drejtësi? Presim nga drejtësia të bëjë drejtësi sepse unë besoj që pavarësia është e mjaftueshme për të trajtuar çështjen e 21 janarit në mënyrë të drejtë. Nuk mund të trajtohet çështja e 21 janarit, kur kryeministri me dhunë pengoi ekzekutimin e urdhrave të ndalimit nga ana e asokohe, Prokurores së Përgjithshme. Domethënë, parafytyrojeni ju sot sikur unë të ndaloja me dhunë ekzekutimin e urdhrave të ndalimit të SPAK-ut.
Jam kundër ndalimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës, është i gabuar, është disproporcional, është i panevojshëm për të vazhduar hetimet dhe për të bërë një gjyq të drejtë, por ama, si mund të ndaloj unë ekzekutimin? E pra, në këtë vend ka ndodhur dhe nuk ka ndodhur përpara 100 vjetësh dhe këtë ndalim të ekzekutimit nuk e ka bërë dikush që është në librat e historisë, e ka bërë dikush që e shikoni që vjen vërdallë çdo ditë, një buf kënete që ulërin “Do shkrij SPAK-un”.
Do shkrijë Noc Rrokun.
Ky është dallimi i madh. Pra, ne duam një drejtësi të pavarur, në duam një drejtësi që të bëjë drejtësi pa parë majtas e djathtas por duke parë vetëm drejt ama patjetër duam një drejtësi europiane, një drejtësi ku të gjitha palët janë të garantuara, një drejtësi ku prokurori bën detyrën e vet dhe ku gjykatësi bën arbitrin e jo ortakun e prokurorit, ku i akuzuari prezumohet i pafajshëm jo me fjalë, por prezumohet i pafajshëm edhe me mënyrën sesi i krijohet mundësia gjatë gjithë hetimit, gjatë gjithë procesit gjyqësor që të sjellë të vërtetat e veta dhe në fund është gjykata që vendos, patjetër.
Kjo është parimore, kjo nuk ka të bëjë me elementët konkretë të çështjes. Kështu që….
Ja edhe ky – “SPAK nuk shkrihet vetëm kur vjedhin ata të PS-së”. – Po ama more se jua kanë bërë gojën, aman more se jua kanë bërë gojën, ju ka futur bufi llumin e kënetës në stomak, në ezofag, në plënc e në zorrë dhe e keni bërë fjalën “vjedhje” sikur këtu nuk bëhet asnjë punë tjetër në këtë vend e vetëm vidhet e vidhet. Por jo more se nuk është kështu.
-“Përse heshte kur u arrestua…” nuk po i përmend emrat se nuk dua të futem fare në këto “Dhe nuk reagove por thoje SPAK-un nuk e komandojmë ne? Të korruptuar jeni të gjithë”.
Kryeministri Edi Rama: Po të ishim të gjithë njësoj, o zotëri, nuk do të kishte as SPAK, nuk do të kishte as dyer të hapura për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, fute mirë në kokë. Po të ishim të gjithë njësoj do të ishte njësoj edhe Shqipëria sot dhe nëse ju duket se Shqipëria është njësoj, atëherë duhet të shkoni tek okulisti, duhet të vizitoheni për shikimin. Po të ishim të gjithë njësoj, nuk do të ishim sot të ulur në tryezën e negociatave me Bashkimin Europian, nuk do të ishim sot në kushtet kur Bashkimi Europian të thotë “Në 2027”, erdhi 2027, erdhi, 2 vjet “NË 2027 mbyllim negociatat me Shqipërinë”. Po të ishim të gjithë njësoj nuk do të ekzistonin këto që po ndodhin, nuk do të kishte SPAK njëherë e para punës, e dëgjoni, e thonë copë, troç, hapur, më hapur sa ska “Na jepni votën të shkrijmë SPAK-un”.
Po të ishim të gjithë njësoj nuk do të ndodhte pastrimi i gjithë atij llumi që u pastrua nga sistemi i drejtësisë nga vetting-u. Ka shumë gjëra që nuk shkojnë, patjetër, por nuk mund të bëhet dot drejtësia shqiptare drejtësi franceze, gjermane, zvicerane, angleze për 5 vjet. Do kohën e vet prandaj është e rëndësishme që të kemi edhe zërin kritik, të kemi edhe kundërshtitë konstruktive por jo -“DO të shkrij unë pse ti do të më shkrish mua”.
Në qoftë se e ke bërë veten për t’u shkrirë, do të shkrihesh. Nuk po të shkrin kush, ama do shkrihesh nëse je i korruptuar dhe nëse je provuar si i tillë. Do shkrihesh nëse je kriminel dhe nëse provohesh si i tillë, por nuk mund t’i thuash kurrë një institucioni, do shkrihesh sepse po bën punën tënde, pavarësisht se ai institucion mund të jetë duke e bërë punën e vetë, jo gjithmonë mirë dhe patjetër që ai institucion ka shumë gjëra për të rregulluar sepse në atë institucion, kanë ndodhur dhe gjera të papranueshme, patjetër.
Të papranueshme, sepse në atë institucion ndodh diçka që është e paligjshme, e dënueshme, kriminale. Ndodh bashkëpunimi me mediat dhe nxjerrja e sekretit hetimor në mënyrë të vazhdueshme për të intimiduar, për të linçuar njerëz paraprakisht.
Të gjitha këto janë problematika që duhen trajtuar, por ama një gjë është e sigurtë, që kjo punë do ecw përpara. Një gjë është e sigurtë që SPAK-u, Gjykata Speciale dhe në tërësi sistemi i drejtësisë do të kenë të gjithë mbështetjen time, do të kenë të gjithë solidaritetin tim, kur sulmohen në mënyrë agresive, personalisht, dhe patjetër do të kenë dhe gjithë mbështetjen e qeverisë dhe së bashku do të luftojmë të gjithë për të përmirësuar standardet. Këto di unë.
Këto ishin ato që kisha dhe po, në fund po e mbyll me xhaminë e Shkodrës. Është e vërtetë. Kemi një projekt të jashtëzakonshëm. Do ta, shpresoj, çojmë përpara me Komunitetin Musliman në Shkodër, ndërkohë i kam kërkuar edhe ministrisë së Financave të përgatisë dokumentacionin, për t’i dhënë mundësi Komunitetit Mysliman që të ketë zyrat e veta dinjitoze në godinën ku aktualisht është si një jabanxhi, dhe bashkërisht do të bëjmë dhe rikonstruksionin e asaj godine, e cila do t’i mbetet tërësisht e gjitha Komunitetit Mysliman edhe spostimin e institucioneve të tjera nga aty. Kështu që, ditë më të mira po vijnë edhe për Komunitetin Mysliman të Shkodrës, të rrijë pa asnjë merak. Mesa duket koha ime këtu me ju, shkoi drejt fundit.
-I është mbushur mendja se çdo gjë mund ta mbulojë duke folur. I trajton njerëzit si patronazhistë.
Patronazhistëve, kush i merr nwpër gojë, ju merr vetëm të keqen. Patronazhistët i kam si shpirt, këtu (në zemër), se që ta dish, patronazhistët janë ata që i ka çdo parti e madhe demokratike dhe fituese në botë. Patronazhistët i ka partia Republikane në Amerikë. Patronazhistët i ka Partia Demokrate në Amerikë.
Patronazhistët i ka Partia Laburiste. Patronazhistët i ka Partia Konservatore. Patronazhistët i kanë të gjitha partitë serioze. Këneta nuk ka patronazhistë. Këneta ka “shpiuna”. Dakord! Kurse ne kemi patronazhistë, patjetër. Janë njerëzit që trokasin, që flasin, që lexojnë se si është fryma dhe se si është në territor situata me mbështetjen për Parinë Socialiste. Është e qartë që ky është një insult edhe për mendjen më modeste, e pra, por mendja jote nuk është modeste. Kështu që, mos u shqetëso për mendjet modeste, se mendjet modeste, janë në fakt mendjet modeste që nuk nisen nga premisa që nuk janë modeste. Dhe prandaj, sikundër është e qartë, që çdo mendje, dhe çdo shpirt, thua ti, që shkon voton dhe mbështet akoma këtë delirant, mua domethënë, një gjysmë njeri, qënka ai që më voton mua, jo 800 mijë, jo 800 mijë. Duhet të numërosh më shumë këtë herë, dhe ata nuk janë gjysma njerëzish, ata janë populli i Shqipërisë që do të shkojë vetëm përpara. Me Partinë Socialiste, dhe me mua, kalin që tërheq gjithë këtë karrocë të madhe, dhe së bashku do të vëmë flamurin e Skënderbeut, Ismail Qemalit, aty ku e ka vendin. Dhe do të jetë dhe i pari, se e kemi me ‘Albania’, i pari. Do jetë flamuri i Shqipërisë. ALBANIA. Atë kush flet dhe kush dëgjon kur komunikojmë bashkë, kur më sheh duhet të dije që në kokën time ka vetëm një fiksim ALBANIA te tavolina ku ulen shtetet anëtare të Bashkimit Europian, pastaj fillon një histori krejt e re, por mbyllet përgjithmonë historia e një kënete të vjetër.

