Connect with us

Kosova

Nofkat më të çuditshme që VV-ja ia dha Albin Kurtit: Si kompjuter, BABAdimër, buldozer

Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, është politikan goxha i popullarizuar. Shpesh Kurti është kritikuar për ndërtimin e një kulti të personalitetit në Lëvizjen Vetëvendosje, parti që e udhëheq që nga themelimi, me përjashtim të tri viteve kur Visar Ymeri ishte kryetar i saj.

Duke qenë lider i pakontestueshëm në VV, ai ka marrë shumë lëvdata nga ana e vartësve të tij, të cilat shpesh kanë qenë edhe qesharake.

Së fundmi, Agim Bahtiri, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës nga radhët e VV-së, e krahasoi Kurtin me Isa Boletinin për kontributin për Mitrovicën.

“Ka me i fitu mbi 50%, po, se e vlerësojnë njerëzit, s’është më besueshmëria, por vlersueshmëria…Mendoj se punën më të mirë që e ka bërë ndonjëherë në historinë e këtij vendi, pas Isa Boletinit, në Mitrovicë e ka bë Albin Kurti. Pikë”, tha Bahtiri, transmeton Nacionale.

Ndërsa muajin e kaluar, Kurti u krahasua me babadimrin. Më saktë, Artan Abrashi, deputet i VV-së, duke folur për 100 eurot shtesë për pensionistë që i ndau Qeveria e Kosovës, e kishte krahasuar Kurtin me babadimër.

Në fotografinë e montazhuar, që u shpërnda nga Abrashi, shkruhej “Gëzuar vitin e ri 2024, e ka lshu doren BABAdimri”, duke u vënë theksi te baba.

“Gëzuar” – kishte shkruar mbi fotografinë e publikuar deputeti Abrashi.

Një nofkë po kaq të çuditshme ia kishte dhënë Kurtit një deputet tjetër i VV-së. Fjala është për Enver Dugollin, një ish i burgosur politik, që tash është deputet në Kuvendin e Kosovës. Në fakt, ai kishte pasur disa epitet, duke e quajtur Kurtin të “guximshëm, të zhdërvjelltë”, por edhe “bulduzer”.

“Shumë i guximshëm dhe shumë i zhdërvjelltë është zoti Kurti”, kishte thënë deputeti i VV Dugolli në RTV21.

“Dy momente tash në Kosovë nuk janë duke i kushtuar rëndësi, që Kosovës nuk i lejojnë me i zhvillu zgjedhjet serbe në Kosovë, qikjo është bonduzher”, kishte shtuar ai.

Ndërsa një episodë tjetër, tmerrësisht qesharak, kishte ndodhur me një lëvdatë të Fatmire Kollçaku-Mullhaxhës, deputete e VV-së. Ajo kishte cituar një deklaratë të shtrembëruar të Predrag Markoviqit, një përkrahës e bashkëpunëtor i Sllobodan Millosheviqit, ish-diktator i Jugosllavisë dhe i akuzuar për krime lufte në Kosovë.

Në fakt, në këtë deklaratë të keqcituar, “vlerësohej” se Kurti e ka trurin e shpejt “sikur kompjuteri”.

“Albin Kurti është Kryeministri më i rrezikshëm për Serbinë që nga mbarimi i Luftës në Kosovë, Kurti nuk është i korruptuar, nuk ka dosje kriminale nga koha e UÇK-së, Ndërkombëtarët nuk kan fakte ta kushtëzojnë me asgjë, është njohës perfekt i gjuhës angleze, truri i tijë është i shpejt sikur kompjuteri, intelegjenca e tijë e ngritur në kulminacion, mban në mend shumë shifra dhe data, shumë i rënd për dialogim, guximtar dhe i pakompromis në qëndrimet e tija, thjesht Albin Kurti është njëri nga Liderët më i kompletuari të gjeneratës së re në Diplomacinë Botërore, fjalimet e tija bindin çdo bashkëbisedues që gjindet dhe ndëgjon përballë tijë në tavolinë”, e kishte cituar Kollçaku-Mullhaxha.

Përtej VV-së zyrtare, një gazetar i afërt me VV-në në një rast e kishte mbuluar me shumë lëvdata Kurtin. Gëzim Mekuli, në një rast, e kishte quajtur Kurtin engjull, pa specifikuar se për cilin engjull e kishte fjalën. /nacionale/

Advertisement