Politike
Noka nga Parlamenti akuzon socialistët: DASH ka thënë për ju që jeni pjesë e karteleve kriminale

Deputeti demokrat Flamur Noka foli sot nga foltorja e Parlamentit duke iu kthyer dy çështjeve të politikës së ditës, raportit të DASH për investimet e huaja dhe biznesin në Shqipëri dhe atë të Arubës.
Ai i kujtoi anëtarëve të mazhorancës dhe kabinetit qeveritar se sipas DASH ata janë pjesë e karteleve kriminale dhe i përfaqësojnë ato. Sepse sipas tij, “Aruba është ajo që ulëret aktualisht si çështje”.
“Ky është Parlamenti i lloqeve. Ju kanë sjellë kartelet kriminale dhe të narkosit këtu. DASH ka thënë atë që kemi thënë edhe ne. Ja tek e ke parlamentin e narkosit këtu, këta e bëjnë korrupsionin që thotë edhe DASH. Këta janë pjesë e karteleve kriminale. Ndaj keni qejf që të bëni vetëm lloqe këtu”, u shpreh Noka nga foltorja e Kuvendit.
Ai vijoi të fliste edhe për çështjen “Aruba”, duke u shprehur se kjo ishte fytyra e mazhorancës.
“Këto thotë raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, konkurrencë e padrejtë, pastrimi i parave, largimi i investitorëve, rezultat edhe i asaj orës 500 mijë euro të Ramës nga Aruba. Kjo është partia juaj, kjo është fytyra juaj. Raporti i DASH thotë edhe se investitorë amerikanë janë përballur me vështirësi me entitete institucionale në Shqipëri, ja ku i ke, me këta, ja këta të Arubës këtu (tregon nga kabineti qeveritar, ministrat), ysmeqarët e narkosit”, vijoi ligjvënësi demokrat.
Në fund ai kujtoi se ajo çështje po ulëret gjithkund, duke shtuar se prezent në atë takim kanë qenë edhe dy ministrave të kabinetit qeveritar.
“Aruba është ajo që ulëret sot gjithkund. Dy ministrat tuaj kanë qenë të deleguarit e narkosit në samitin e Arubës. Aty i keni bisedat që janë bërë, ku tregohen edhe mesazhet se çfarë kanë folur e mesazhet që kanë çuar, për pastrimin e parave dhe kullat”, tha ai.

