Politike
‘Non grata’ britanike/ Berisha sulmon Home Office: Ka manovruar dhe manipuluar procesin
Kreu demokrat Sali Berisha, nga banesa ku ndodhet në arrest me vendim të GJKKO-së, përmes një deklarate ka ripërsëritur për të tretën herë qëndrimin e tij lidhur me vendimin e fundit nga Britania e Madhe që ka lënë në fuqi sanksionin “non grata” ndaj tij.
Berisha tha se ka ndjekur rrugën ligjore lidhur me “non grata-n” britanike, duke sqaruar se ishte kjo arsyeja që ai iu drejtua Komisionit të Apelimit lidhur me vendimin e Home Office.
Një nga argumentet e përdorura në shpalljen ‘non grata” të Berishës nga Home Office janë lidhjet e tij me krimin, por Berisha thekson se për këtë nuk ka prova dhe fakte.
Berisha shprehet se “dëshmohet për lidhje me krimin ndaj Sali Berishës, duke përdorur goditjen me shkelm të një dere nga Fation Dauti, një qytetar që nuk e kam pranuar kurrë në jetën time dhe që vet e pranoi se, mund të mos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës, ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje dhe merr licencë për kazino”.
“Ankimet në këtë Komision, kërkonin që edhe Home Office të rishqyrtonte vendimin e tij. Në këtë kuadër u vendos një bashkëpunim në përputhje me marrëveshjet e arritura midis departamentit të kësaj ministrie dhe avoketëve të mi, në të cilin në mënyrë të vazhdueshme ne paraqitëm mijëra faqe, dokumente që rrëzonin të gjitha shpifjet dhe trillimet e medieve të Xhorxh Sorosit, BIRN, Balkan Insight dhe të Carlo Bollinos, mbi të cilat ishte bazuar dhe marrja e vendimit, shpifjet e Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Lulzim Bashës dhe hidhej dritë në të vërtetat e kësaj dosje.
Por SIAC zbulon në vendimin e tij, dy elementë shumë të rëndësishëm.
Së pari deklaron se ai, nuk është marrë me vërtetësinë e provave dhe fakteve të paraqitura, por thjeshtë është marrë nëse Sekretarja e Shtetit, ka patur prova të mjaftueshme, ka bërë analizë të drejtë të provave për vendimin që ka marrë.
Së dyti, SIAC na informon, se ai nuk ka marrë parasysh mijëra e mijëra faqe, të dorëzuara nga Sali Berisha, sipas tij me vonesë, në Home Office, mbasi këto faqe nuk janë shqyrtuar siç kërkon ligji nga sekretarja e Shtetit, sepse janë dorëzuar me vonesë.
Kjo është absolutisht një e pavërtetë që nuk i bën nder asnjë njeriu.
Avoketërit e mi, kanë dorëzuar në kohë, në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit, me dy qëllime.
Së pari, që ajo të mos mësonte të vërtetën.
Së dyti, që këto dokumente të mos mund të paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja e Shtetit.
Ne përfituam shumë nga ky proces.
Ne mësuam së pari se, çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë për të fshehur të vërteta, dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave.
Së dyti, mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt, dokument që të faktojë korrupsionin, apo lidhjet me krimit të Sali Berishës.
Imagjinoni, dëshmohet për lidhje me krimin ndaj Sali Berishës, duke përdorur goditjen me shkelm të një dere nga Fation Dauti, një qytetar që nuk e kam pranuar kurrë në jetën time dhe që vet e pranoi se, mund të mos jetë i lidhur me Berishën, në një kohë kur në zyrën e Edi Ramës, ulet këmbëkryq përfaqësuesi i kartelit më të rrezikshëm në botë, meksikan, Luftar Hysaj, madje dhe merr licencë për kazino.
Pëllumb Gjoka fiton statutin e investitorit strategjik.
Shqipëria thërritet tani botërisht si një narkoshtet.
A nuk janë këto akuza një përpjekje e korrupsionit transnacional për të mbrojtur, ndihmuar narkoshtetin shqiptar dhe korruptokratët shqiptarë, për të ndëshkuar Sali Berishën, që më shumë se çdo gjë tjetër në jetën e tij, pas përmbysjes së diktaturës ka bërë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Beteja jonë vazhdon, edhe njëherë, jo për heqjen e përjashtimit, por për shpifjet, trillimet, për mbrojtjen tuaj, nga korrupsioni dhe lidhjet e krimit, të cilido qoftë, të Edi Ramës, qeveritarëve, politikanëve të korruptuar prej tij, ambasadorëve, diplomatëve, zyrtarëve të huaj, të korruptuar po nga Edi Rama.
Beteja vazhdon”, thekson Berisha.