Aktualitet
Instituti i Shëndetit Publik apelon për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit
Instituti i Shëndetit Publik ka rikthyer apelin për vaksinimin në kohë të fëmijëve kundër fruthit, duke theksuar se sëmundja mbetet e rrezikshme dhe mund të ketë pasoja serioze, veçanërisht për të pavaksinuarit.
Sipas ISHP-së, në Shqipëri vijojnë të regjistrohen raste sporadike të fruthit. Edhe gjatë muajit janar janë identifikuar raste te fëmijë të pavaksinuar, çka rrit rrezikun për përhapje dhe komplikacione të rënda shëndetësore. Ekspertët paralajmërojnë se fruthi mund të rezultojë edhe vdekjeprurës për të vegjlit në mungesë të mbrojtjes përmes vaksinimit.
Gjatë pandemisë së COVID-19, në të gjithë Evropën, përfshirë edhe Shqipërinë, u vu re një rënie e mbulesës vaksinale, situatë që u pasua me shtim të rasteve të infeksioneve të parandalueshme.
Sipas raportit të fundit të Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), rastet e fruthit në Shqipëri në vitin 2025 kanë rënë me afro 60% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, ekspertët theksojnë se mbulesa vaksinale duhet të jetë mbi 95% për të garantuar mbrojtje kolektive dhe për të parandaluar shpërthime të reja.
Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje prindërve që të respektojnë kalendarin kombëtar të vaksinimit, duke e konsideruar imunizimin si mbrojtjen më të sigurt ndaj fruthit dhe komplikacioneve të tij.