Sport
“Nuk bazohemi te ndeshja e Shqipërisë me Gjibraltarin”, trajneri i Letonisë flet para duelit me kuqezinjtë

Kombëtarja e Letonisë zhvilloi të hënën në mbrëmje stërvitjen zyrtare dhe konferencën për shtyp në Tiranë, në prag të përballjes ndaj Shqipërisë, që do të luhet më 9 shtator, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës FIFA 2026.
Trajneri i letonëve, Paolo Nicolato, tha se ekipi i tij po përqendrohet te rikuperimi dhe përmirësimi, ndërsa vlerësoi përpjekjet e fundit të skuadrës në ndeshjen ndaj Serbisë.
“Ndeshja kundër Serbisë dhe ajo kundër Shqipërisë janë dy sfida të ndryshme. Na duhet të rikuperojmë lojtarët, sepse lamë shumë energji. Por jam i kënaqur me performancën tonë të fundit. Po ecim në drejtimin e duhur dhe besoj se mund të bëjmë një ndeshje të mirë edhe kundër Shqipërisë,” – u shpreh Nicolato para gazetarëve
I pyetur për përgatitjet ndaj Shqipërisë, Nicolato tha se fokusi i skuadrës nuk është aq shumë te kundërshtari, por te vetja:
“Siç e kam thënë edhe më parë, nuk shqetësohemi aq shumë për kundërshtarët. Ne përqendrohemi te strategjia dhe përmirësimi i lojës sonë. Ndeshja kundër Serbisë tregoi një qëndrim të mirë nga ana jonë, edhe pse jemi të vetëdijshëm për diferencat në renditjen e FIFA-s dhe përvojë.”
Letonia është në dijeni të ndryshimeve taktike që Shqipëria aplikoi në miqësoren ndaj Gjibraltarit, por trajneri Nicolato tha se ekipi i tij është gati për çdo skenar:
“Po, ky është futbolli modern – duhet të përshtatesh gjatë lojës. Sylvinho është një trajner i mirë, me eksperiencë në Itali. Por për mua, ajo ndeshje me Gjibraltarin nuk është shumë e rëndësishme për analizë. Ne jemi të përqendruar te detyrat tona dhe te loja jonë.”

