Connect with us

Politike

“Nuk djeg jorganin për një plesht”/ Kleana Xhuveli mori mandatin, reagon Shabani: E fal Lapajn se nuk diti se ç’bëri…

Kreu i “Nismës Thurje”, Endrit Shabani ka reaguar për herë të parë pasi mandati i deputetit i kaloi kandidates së koalicionit të bashkëdrejtuar edhe prej tij, Kleana Xhuveli, me vendim të KQZ-së. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shabani ka rrëfyer ‘prapaskenat’ që fshihen pas këtij vendimi, teksa thotë se njeriu i tij i afërt, Zeqir Kordhoni dha dorëheqjen dhe si rrjedhojë mandati i kaloi Xhuvelit. Kjo e fundit, të cilën Shabani e identifikon si ‘motra’ e Lapajt, nuk do të mund të futej në Parlament pa votat e “Nismës Thurje”.

Në fund të reagimit, Shabani shprehet se e ka falur Adriatil Lapajn, për përplasjen e fortë që ka vijuar prej disa ditësh, teksa I uron atij që të ketë nxjerrë mësime.

Postimi i plotë:

U mbars mali dhe…Njëmijë akuza.

Ndërkohë sot, njeriu im më i afërt dha dorëheqjen dhe mandatin e mori Kleana Xhuveli. Kleana nuk është daja im po motra e Adriatik Lapajt!

Deri dje na akuzonte do bëheshim vota e 84 e Ramës.

Sot që mori mandatin për motrën, Adriatiku na thotë që i qenka lutur Rama për bashkëqeverisje.

Medemek Rama që mezi e përzuri LSI-në kur kishte 74, po i lutet Adriatikut fiks tani që ka 83 dhe ka gllabëruar çdo pushtet!

Me sa duket, tullumbaci i 71 mandateve që Adriatiku përbetohej se do merrte, ende nuk qenka shfryrë në kokën e tij nga gjilpëra e realitetit të 11 majit, ku pa votat tona do kishte mbetur edhe e motra pa mandat.

Nejse, kjo ishte kostoja krejt e panevojshme që ne të Nismës morëm për ndershmërinë dhe seriozitetin tonë në koalicion me një politikan të ri që më mirë se sa ne, njeh të gjitha metodat e vjetra.

Megjithatë ne nuk e djegim jorganin për një plesht, kur për më tepër kemi njohur dhe vlerësojmë plot djem e vajza në radhët e Shqipëria Bëhet.

Ndërsa Adriatikut ia kam falur se nuk diti se ç’bëri dhe uroj të nxjerrë edhe ai mësimet e veta siç kam nxjerrë unë të miat.

27-vjeçarja Kleana Xhuveli mori sot mandatin e deputetes. Pas marrjes së mandatit nga KQZ, Xhuveli tha se ky vendim është marrë në bazë të rrethanave aktuale dhe dëshirës për të mbështetur misionin e listave të hapura, të cilat përbëjnë themelin e lëvizjes së tyre politike. Por, Xhuveli njëherësh kushërira e Adriatik Lapajt tha se do ta përfaqësojë mandatin denjësisht, deri sa të shkojë tek i zoti referuar Lapajt. Për këtë ajo u shpreh se do të ndjekin betejë ligjore.

Kujtomë se “Kriza” në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik, i cili u mbyll sot në KQZ.

Advertisement