Bota
Nuk e duam Amerikën me mbret, miliona amerikanë protestojnë në 50 shtete kundër Trump

Të shtunën janë planifikuar protesta masive kundër presidentit amerikan, Donald Trump në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të cilat, sipas organizatorëve, pritet të marrin pjesë miliona njerëz.
Protestat me emrin “Dita pa mbretër” (No Kings Day) do të mbahen në më shumë se 1500 qytete në të 50 shtetet amerikane, si dhe në disa vende jashtë SHBA-së.
“Në Amerikë nuk kemi mbretër”, thuhet në faqen zyrtare të ngjarjes dhe shtohet “ata po minojnë gjykatat tona, po deportojnë amerikanë, njerëzit po zhduken nga rrugët, po sulmojnë të drejtat tona civile dhe po kufizojnë shërbimet publike. Korrupsioni ka shkuar shumë larg”.
Ezra Levin, bashkëthemelues i organizatës joqeveritare Indivisible, që qëndron pas “Ditës pa mbretër”, deklaroi të hënën për MSNBC se protestat, të planifikuara që para një muaji, kanë ngjallur “interes të madh”. Në këtë ka ndikuar edhe situata aktuale në Los Angeles, ku qytetarët po protestojnë kundër aksioneve të Trumpit për imigracionin.
Trump deklaroi të martën se gjatë paradës do të marrë masa të rrepta ndaj protestuesve. Ai theksoi se do të urdhërojë përdorimin e Gardës Kombëtare dhe marinsave. Garda tashmë është vendosur në Los Angeles dhe, sipas guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, kjo po ndodh në mënyrë të paligjshme.
“Njerëzit që duan të protestojnë do të përballen me një rezistencë shumë të fuqishme. As që kam dëgjuar për ndonjë protestë, por e dini, këta janë njerëz që e urrejnë vendin tonë. Dhe do të përballen me një rezistencë shumë të fortë”, deklaroi Trump.

