Bota
Nuk e lajmëroi pezullimin e armëve në Ukrainë/ Trump zemërohet me Sekretarin e Mbrojtjes, kërkon shpjegim

Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, ndaloi papritur dërgimin e armëve amerikane në Ukrainë javën e kaluar pa informuar Shtëpinë e Bardhë, thanë për CNN pesë burime të njohura me çështjen.
Ndërprerja e papritur i zemëroi zyrtarët, të cilët nxituan t’ia shpjegonin këtë veprim Kongresit dhe qeverisë së Kievit. I pyetur nga gazetarët të martën nëse ai e kishte autorizuar pezullimin, Presidenti Donald Trump mohoi çdo përfshirje, duke thënë vetëm se SHBA-të do të vazhdonin të furnizonin armë mbrojtëse për Ukrainën.
“Nuk e di, pse nuk më tregoni se kush e autorizoi?”, u përgjigj ai, duke ia hedhur fajin në mënyrë efektive Pentagonit.
Rasti nxjerr në pah procesin shpesh të fragmentuar të vendimmarrjes në administratën Trump, veçanërisht në Departamentin e Mbrojtjes nën Hegseth. Sipas të njëjtave burime, ishte hera e dytë këtë vit që sekretari i mbrojtjes i SHBA-së bëri një veprim të tillë pa koordinim, duke habitur edhe zyrtarët e lartë të sigurisë.
I dërguari special i SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, si dhe Sekretari i Shtetit dhe këshilltari i sigurisë kombëtare të Trump, Marco Rubio, gjithashtu nuk ishin të informuar dhe mësuan për pezullimin nga raportet, siç u zbulua nga një zyrtar i lartë i administratës.
Pentagoni, përmes zëdhënësit të tij, Kingsley Wilson, pretendoi se pezullimi u bë në kontekstin e një vlerësimi të stoqeve të armëve dhe se kishte koordinim “në të gjithë qeverinë”.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë dha një version tjetër, pasi zëdhënësja, Caroline Leavitt deklaroi se presidenti Trump ka besim të plotë te Hegseth, por vendimi për të vazhduar ndihmën u mor vetëm nga vetë presidenti.
“Ngrirja” e misionit Patriot është kritike për Ukrainën
Sipas burimeve, Hegseth nuk informoi askënd në Shtëpinë e Bardhë sepse ai nuk ka një staf që do ta këshillonte atë për të koordinuar më mirë një veprim kaq të gjerë. Pezullimi kishte të bënte kryesisht me raketat interceptuese Patriot dhe municionet e artilerisë, të cilat konsiderohen kritike për mbrojtjen e civilëve në Ukrainë nga sulmet e vazhdueshme ruse.
Pas zbulimit të pezullimit të dërgesave të armëve në Ukrainë, Trump i kërkoi Hegseth të “zhbllokonte” të paktën disa nga dërgesat – veçanërisht raketat Patriot që janë tashmë në Poloni dhe mund të dërgohen menjëherë në Kiev.
Shtëpia e Bardhë u detyrua t’i ofronte “mbulim” Pentagonit, por theksoi se shpjegime të mjaftueshme duhej t’i jepeshin Kongresit, i cili gjithashtu u mbajt në errësirë.
Burime nga Kongresi thanë se nuk kishte informacion zyrtar në lidhje me mungesën e stoqeve që do të justifikonte një ngrirje të tillë. “Nëse do të kishte prova të besueshme për një mungesë kritike, Kongresi do të bashkëpunonte me Pentagonin, por nuk është paraqitur një nevojë e tillë urgjente, tha një burim.

