Kronike
“Nuk e solla në Tiranë për të ma vrarë”/ Nëna e Leo Sadikut: M’u përvëlua shpirti

Nëna e Leos, Roveta Sadiku ka marrë pjesë në protestën e sotme që po zhvillohet para Ministrisë së Shëndetësisë. Nëna e të ndjerit falenderoi pjesëmarrësit të cilët u bashkuan me dhimbjen e saj. Nëna e Leos gjatë fjalës së saj u shpreh se djali i saj plot ëndrra luftoi shumë për jetën e tij.
Ajo shtoi se një mjeke e la djalin e saj të mitur në në mëshirë të fatit. Sipas saj mjekja e ka lënë të ndjerin 7 orë me të vjella vetëm me një serum. Ajo theksoi se nuk e solli djalin e saj të mjekohej në Tiranë për ta vrarë. Roveta tha se do të vendosë drejtësi pasi ia ka premtuar djalit të saj në momentet e fundit të tij.
“Unë jam mami i Leos dhe për Leon tim do luftoj deri në fundin e ditës sime të jetës. Ishte plot me endrra që ja ndërpretë jetën në mes. Ishte trim i vogël, luftoi shumë për jetën e tij, për një palo mjeke, që e ka emrin Jorgji, e ka lënë në mëshirë të fatit djalin tim. E ka lënë 7 orë duke vjellë, vetëm me një serum me ujë. Vetëm ma futën djalin në dhe, a ke fëmijë ti, mban përgjegjësi për atë që më ke bërë mua? Ti palo mjeke e të tjerë të Tiranës, nuk e dini çfarë krimi keni bërë, çfarë fëmije keni vrarë?!
Nuk e solla Leon në Tiranë për të ma vrarë, e kur po jepte shpirt në krahët e dajës së tij, atëherë kujtohet palo Jorgji, dhe kur Leo ishte në fund, eja më tha. Iku pa pikën e humanizmit e turpit. Ministria ku është, çfarë fëmijësh përkëdhel ti, kur ma përkedhele Leon tim, ma dogje djalin, ma përvëluat djalin.
Prokuroria të mos e neglizhojë rastin e Leos, jam e gatshme për çdo gjë për Leon tim, e kam rritur me sakrifica të mëdha. Prokuroria t’i përshpejtojë kërkesat që kemi bërë, jam një nënë e përvëluar, m’u përvëlua shpirti që ka ikur me Leon tim, me të vocklin tim…Ajo palo doktoreshë tha s’ka gjë, Leos i nxiheshin duart e ajo i thoshte e ka nga të ftohtët. E paaftë, ia them edhe në sy këto gjëra. Veshin rrobat e bardha kur si meritojnë. Me lekë i keni veshur ato rroba të bardha? Pres që drejtësia të vendosë për Leon, mami do vendosë vetë drejtësi për Leon e vet. Do luftojë për Leon e s’do lodhem kurrë, ia kam premtuar deri në momentin e fundit,” tha nëna e Leos.

