Connect with us

Aktualitet

Nuk është Altin Dumani: Ja kush është telashi më i madh i Ilir Metës

Nga Ylli Pata

Edhe pse është e dukshme e nuk ka nevojë për të parë thellë paranoje e Ilir Metës ndaj prokurorisë Speciale, duket se mankthi më i madh i ish-presidentit është gjetkë.

Është një mankth, që po e përjeton sapo ka dalë nga Presidenca, dhe e sheh ditë për ditë t’i rrëshqasë toka nën këmbë.

Në një video që shfaqi përpara se të hynte të Fevziu të hënën, u ndal para një fotoje të Fatos Nanos me Sali Berishën, e tha se atëherë “legjendari” siç i thotë ai, tha frazën se “politika tani po bëhet tre polare”.

Një rol që i dha Ilir Metës për vite e vite, rolin e një Kingmakeri politik në përplasjen me dy partitë e mëdha. Ishte Ilir Meta, një faktor që bëri të humbë PS-ja e 2005-s, ishte po Meta që mbajti Sali Berishën në vitin 2009, apo i dha 2/3 e votave mazhorancës së Edi Ramës në 2013.

Ndërkaq, sot, fuqia politike e tij jo vetëm është bjerrur, por ditë pas dite relevanca po humbjet edhe mundësitë e vogla për të manovruar.

Madje edhe për vulën e tij Sali Berisha nuk ka nevojë, sidomos tani që së bashku me Gaz Bardhin bëri një Pazar të fortë me mazhorancën.

“Populli i 2 marsit” siç e quan Ilir Meta, masën e radikalëve të PD-së, të cilët pretendoi se do i ketë me vete, si reagim i afërsisë ndaj Berishës, e la në baltë më 25 prill 2021. Ku LSI-në e tij nuk e votuan më ata që me një telefon të Berishës, ja dhanë votat në qershorin e 2017-s për inat të Lulzim Bashës që bëri pakt me Edi Ramën.

Në çdo sondazh që është publikuar së fundmi, pëlqyeshmëria e Ilir Metës si personazh dhe kuota e partisë së tij PL është thuajse e barabartë. Vetë 2.5 përqind.

Një rezultat i cili del në thuajse të gjithë sondazhet që kanë publikuar televizionet, e sipas gjasave edhe në ato që bën vazhdimisht Ilir Meta, i cili përgjithësisht përdor profesionistë të fushës.

Pakti me Sali Berishën, të cilin tentoi ta shpëtojë me 6 mars 2022, por që më pas e fundosi më 14 maj 2023, pikërisht nga ajo katastrofë elektorale po ridimensionohet kjo aleancë. Sipas të gjitha gjasave, sidomos me ardhjen e deputetëve që i ikën Bashës, në partinë e Berishës nuk ka kush terezi të japë vota për Ilir Metën në vitin 2025. Ata kanë hallin të zgjidhen për vete në një përplasje të egër që do të kenë me PD e Lulzim Bashës dhe njerëzit e saj në bazë.

Në monologjet e çartura këto ditë, ku sulmon pa fre kreun e SPAK, Ilir Meta në mes rreshtave ka edhe një mesazh politik për të ardhmen e tij. Duke shënjëstruar qartë atë elektorat radikal të fanatikëve të Berishës që urrejnë SPAK dhe amerikanët.

Jam unë ai që do bëhem ministri i Brendshëm i Berishës për të marrë hak, sikur u thotë radikalëve fanatikë, të cilëve u shtoj se nëse nuk ka terezi “legjenda” për tu bërë kryeministër do bëhem unë.

Përjetimi i likuidimit politik është realisht mankthi më i madh për të, sidomos kur shikon numrin e vogël të fanatikëve që bëjnë peligrinazhin te “Rrugica e Shpresës” e që nuk ndikojnë fare në vendimet e gjykatave që kanë konfirmuar sekuestron e pronave dhe statusin e arrestit në shtëpi.

E sipas gjasave, kur e imagjinon rastin homolog ka mjaft arsye për tu trishtuar edhe më shumë.

Ilir Meta hyri në politikën e madhe si një pykë mes Fatos Nanos e Sali Berishës. LSI-ja e tij që pati në fillim një grup ish-drejtuesish socialistë më radikalë majtas, i mori një fetë jo të vogël së majtës në vitin 2005. Në zgjedhjet e 2009, LSI shpëtoi për një qime, ku mori 4 mandate të dala nga 74 mijë vota në rang kombëtar. Por ato 4 mandate ishin shumë për të mbajtur edhe 4 vjet Sali Berishën në pushtet. Pushtet, me të cilin mendoi dhe ja arriti të rrisë disa fish numrin e votave në 2 zgjedhjet që pasuan në 2013 dhe 2017. Vota që ishin klienteliste dhe interesi të lidhur me pushtetin, të cilat jo vetëm nuk kanë gjasa të kthehen më, por as rezultatin e 2021-shit nuk e arrin dot.

Ndaj do të bëjë rolin e një personazhi tik-toku alla reality shovv që ta mbajë në vëmendje sa të shtyjë. E në fund do të vijnë zgjedhjet, siç ndodhi 14 majin e shkuar, ku u pa qartë se kishte humbur shumican e votave të 2021. Nuk mundet realisht asnjë rithemelim i LSI apo PL që të rikthejë një jetë një trupë politike që nuk reagon më. Ndaj edhe mankthi i Ilir Metës më shumë se një dosje e hapur në SPAK, është mungesa e një partie për ta mbrojtur.

Advertisement