Bota
Nuk guxonin të dilnin nga shtëpia pa hixhab, tërmeti u merr jetën grave afgane
Detaje të reja janë zbuluar pas tërmetit të 7 tetorit që goditiAfganistanin. Gratë afgane u varrosën të gjalla në shtëpitë e tyre pas një tërmeti me magnitudë 6.3 pasi kishin frikë të dilnin jashtë pa hixhabet e tyre, shkruan Dailymail.
Përpjekjet e shpëtimit pas tërmetit të 7 tetorit, i cili goditi Afganistanin perëndimor dhe vrau më shumë se 2,000 persona, u penguan gjithashtu edhe nga një direktivë talebane që ndalon gratë dhe burrat që nuk e njohin njëri-tjetrin të përzihen.
Një grua e paidentifikuar, punonjëse e organizatave të shpëtimit tha për Telegrafin se rregullat e paimagjinueshme i penguan burrat të ndihmonin gratë e bllokuara ose të plagosura, sepse nuk i njihnin ato. Rezultati ishte rritja e numrit të vdekjeve në mesin e grave.
Agjencitë e OKB-së thanë se 90 për qind e viktimave në një qytet të madh, Herat, ishin gra dhe fëmijë. OKB-ja zbuloi se disa gra të prekura nga tërmeti nuk ishin në gjendje të merrnin ndihmë pa kartën e identitetit kombëtar të një të afërmi mashkull. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare raportoi në fillim të këtij muaji se tërmeti, i cili u pasua nga disa lëkundje të tjera më të vogla, shkatërroi më shumë se 21,500 shtëpi dhe dëmtoi rëndë mbi 17,000.