Connect with us

LAJMI I FUNDIT

Nuk jam pronar i serbëve në Kosovë/ Vuçiç nga Pekini: Rrethanat kanë ndryshuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një prononcim për media në kuadër të forumit të tretë “Belt and Road”, i cili po zhvillohet në Pekin të Kinës, ka përsëritur thirrjen për serbët e Kosovës që të nisin inciativën për zgjedhjet në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Leposavic, Zveçan dhe Zubin Potok – për shkak të ndryshimit të rrethanave.

“Unë do të mbështes çdo vendim të serbëve në Kosovë, pasi më duhet të jem me popullin tim kur është në vështirësi, nuk po e detyroj askënd, as nuk jam pronar i jetës dhe së ardhmes së tyre, por mendoj se rrethanat kanë ndryshuar dhe ata duhet të mendojnë për zgjedhjet” –  ka thënë presidenti serb.

Ai ka pretenduar se është i interesuar për vazhdimin e procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi nën kujdesin e BE-së, teksa dhe ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me, siç ka vlerësuar ai, mos-gatishmërinë për t’u kthyer në tryezën e negociatave diplomatike në Bruksel.

“Kurti nuk e ka dashur asnjëherë dialogun. Ne duam formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit që është nënshkruar gati 11 vjet më pare. Kam frikë se nuk kemi bashkëbisedues për këtë, por edhe biseda më e keqe është më mirë se mungesave e bisedave” – ka thënë Vuçiçi.

Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë Emisarin Special të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi, në një kohë kur tensionet mes palëve janë ngritur në nivele shpërthyese, posaçërisht pas sulmit të paramilitarëve serb ndaj Policisë së Kosovës.

Advertisement