Shkrime
Nuk ka faj natyra! Bisedë për tërmetet me Qenan K. – Nga Artan Fuga
Unë: More, bien më shumë tërmete sesa më parë, apo e kam gabim?
Qenan K.: Sigurisht e ke gabim. Natyra në mijëra vjet as behet më e mirë dhe as bëhet më e keqe, njeriu është një mizë e vogël, një insekt, përpara saj. Na duket sikur bien më shumë tërmete, ka më shumë aksidente natyrore, sepse tani me mediat e sotme ne i marrim vesh të gjitha. Më parë, fshatari shqiptar merrte vesh çfarë ndodhte në fshatin e tij. Kaq. Prandaj flinte i qetë dhe jetonte në paqe me botën. Kurse tani mediat na derdhin qysh në mëngjes të gjitha tmerret natyrore të botës, batica, zbatica, tërmete, zjarre që djegin pyje, terrene që rrëshqasin, cuname, etj. Prandaj njeriut i duket sikur ka ardhur apokalipsi. Në fakt natyra është po ajo, njeriu ndot qytetin e tij, se të ndotë natyrën, hahaha, është aq i vogël, sa mund të ndotë shtëpinë tënde një merimangë e vogël. Ndotka natyrën njeriu!? Çfarë narcistësh jeni!
Unë: Po mirë o Qenan K., si nuk është e vërtetë që vriten më shumë njerëz nga tërmetet nga më parë? Shiko tragjedinë që ndodhi në Turqi…
Qenan K.: Pa dyshim, tragjedi e madhe, e tmerrshme, por për këtë nuk e ka fajin natyra, nuk e kanë fajin ato shtresat e nëntokës që lëvizin, se ato kanë lëvizur gjithmonë. Por, njeriu që nuk respekton natyrën. Nuk është natyra që respekton njeriun, është njeriu që për të mirën e vet duhet të respektojë natyrën. Ndryshe ikën për dreq. Si një lëvozhgë që e merr dallga. Ja ndërton banesa me pesëdhjetë kate, ngjitur njëra me tjetrën,dhe pastaj, pasi bën këtë, qan se tërmeti e vrau, e shkatërroi, e dërmoi, e mbuloi. Tërmetet bëjnë shumë herë më tepër dëme se më parë sepse njeriu ka ndërtuar qytete, qendra urbane apokaliptike, pra bën vetëvrasje kolektive. Harakiri. Nuk vret tërmeti, vret njeriu njeriun, vret njeriu veten, njerëzimi vetëshkatërrohet.
Unë: Ik, mos ia fut kot, domethënë për tërmetet dhe shkatërrimet që ato sjellin fajin e paskan njerëzit?
Qenan K.: Dëgjo këtu, mos u bëj idiot dhe gjumash si disa. Ja, siç ka thënë Zhan Zhak Rusoi, tërmetet nuk vrasin lepujt, ujqit, breshkat, peshqit. As kafshët e egra, as gjarpërinjtë. Vrasin njerëzit. Sepse njeriu bën gabime. Kafshët nuk gabojnë kurrë. Kur them fajin e kanë njerëzit, nuk e kam fjalët për fëmijët e shkretë, ata janë të pafajshëm. Ata paguajnë fajet e të mëdhenjve. Por, edhe të mëdhenjtë nuk kanë faj të gjithë. Nuk vret tërmeti, vrasin ata që pasi ndërtojnë shkel e shko, i bëjnë qytetet si ferr, duke ngritur çekiçë me beton dhe hekur, ua varin mbi kokë njerëzve, që ngrysen, por nuk dinë nëse do të gdhihen. Këta vrasin, jo tërmeti. Ke vënë re ti që nga tërmetet vdesin vetëm të varfërit, të pasurit shumë rrallë. Ata jetojnë në vila, bunkerë, etj.
Unë: E po çfarë të bëjmë tani, vdiqëm vdiqëm, tërmetet nuk parashikohen…
Qenan K.: Nuk e dija që qenke kaq budalla, si ca hajvanë andej këndej që flasin pa kuptuar se çfarë thonë. Të mykur me dije të shekullit të njëzetë. Si ore nuk u parashikokan tërmetet, je në vete ti? Varet se çfarë kupton me parashikim, o idiot! Nëse me parashikim kupton që të dish paraprakisht edhe orën, minutën që do të bjerë tërmet, nëse do të dish se sa vetë do vrasë, sa do shkatërrojë, sigurisht nuk parashikohet dot. O budalla, po kështu, as se kur vjen autobuzi i Kamzës te Ushtari i Panjohur nuk e parashikon dot!? Pse rrinë kot njerëzit në stacion? Ai niset, dihet se në parim do të vijë, pritet të vijë, sigurisht, por rrugës mund të vonohet, mund edhe të bëjë aksident, edhe të prishet fare dhe të mos vijë atë ditë, Por kjo nuk do të thotë se nuk parashikohet ardhja, përafërisht gjithmonë, me gabime. Ky është parashikimi. Pse kot ka ngritur bota sisteme alarmi për tërmete dhe cuname?
Unë: Si mund të parashikohet?
Qenan K.: Ore, kjo është puna e sizmologëve, nuk është që sizmologu, gjithë ai derr burri i botës, flet në televizion sikur është prift, apo kryetar i Bashkimeve Profesionale. Del dhe thotë: Mos u bëni merak, tërmeti ra, tani nuk ka më rrezik se lëkundje të vogla do të jenë. Mos kini merak fare. Flet kot. Kopil i madh, hiqet si shkencëtar, por është thjesht një mashtrues. Thotë me vete: Po qe se bie tërmet dhe vdesim, askush nuk do të më kërkojë llogari, se të vdekurit janë të urtë. Po qe se nuk bie, dal dhe them: E mooo e pate? Eshtë matematikë e pastër kjo. Dhe merr lekë, projekte, vuuuu xhepi plot. Ca i shpërndan, ca i mban për vete.
Ka mikroteknologji që ndiejnë dridhjet e tokës, zhurmat dhe paralajmërojnë për ardhje valësh sizmike me magnituda të ndryshme. Ka matje të lëvizjes së nënshtresave të tokës edhe llogaritje të shpejtësisë mesatare të tyre, të drejtimit të lëvizjes, dihet pak a shumë ku po shkojnë të përplasen. Ndërtimet bëhen duke futur sensorë dixhitalë në betonet e mureve, etj. Tregon sa duron ndërtesa akoma. Lexoni librat me të reja të teknologjisë o idiotë!
Unë: Mos shaj o Qenan K., nuk ka lezet!
Qenan K.: E mo se nuk të gjen gjë nga fjala. Ti vetë më ke thënë se je shurdh nga ajo anë. Parashikimi për të ardhmen bëhet duke studiuar të kaluarën. Kur një zonë ka qenë sismike dhe ti shkon ndërton dhjetra pallate me nja dyqind kate atje, dihet që ti po ndërton shkatërrimin e tyre. Çfarë të të them unë tani? Edhe i ndërton, fut lekët në xhep, edhe e di që një ditë do të shëmben dhe përsëri do të marrësh lekë nga riparimet, ose do ta kesh sheshin e ndërtimit gati, për të ndërtuar përsëri, prapë do prishen dhe kështu për mijëra vjet. Ja pse gjarpëri nuk ka frikën tërmetin, as sorra, as laraska, as qefulli, as zhapiku, kurse njeriu vetëvritet. Vetëvriten qytete të tëra nga babëzia, pastaj kur tërmeti i godet qajnë si fëmija. Njeriu ndërton qytete antropofagë, apokaliptikë. Nuk ka faj natyra!
© Artan Fuga