Connect with us

Kosova

Nuk ka më kuptim/ Ja çfarë deklaroi Hartwell për asociacionin

Të gjitha institucionet e Serbisë në Kosovë – nga komunat deri te shkollat e spitalet – do të duhej të përfshiheshin në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që pritet të themelohet. Kjo është paraparë në draft-statutin e asociacionit, i hartuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe i pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Por, javëve të fundit, autoritetet e rendit në Kosovë kanë ndërmarrë disa aksione që kanë rezultuar me mbylljen e së paku shtatë komunave paralele serbe, përfshirë ato në Dragash, Pejë, Istog dhe Klinë.

Për ministrin e Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, këto veprime tregojnë se “koha e paligjshmërisë ka përfunduar” dhe se institucion i vetëm i Serbisë brenda Kosovës “do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”. Përfaqësuesit serbë, në anën tjetër, kanë reaguar me zemërim, ashtu si edhe bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se hapa te tillë vetëm sa rrisin tensionet etnike.

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në Shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, tha se “është e domosdoshme të kujtohet se qëllimi fillestar i Asociacionit ka qenë shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe jo fortifikimi i tyre”. Sipas tij, në dritën e regjimit të Aleksandër Vuçiçit në Serbi, i cili “gjithnjë e më shumë kërcënon ta përshkallëzojë konfliktin me Kosovën”, Albin Kurti duket se është fokusuar “në dy fronte”.

“Në njërën anë po ndërmerr masa “për të forcuar pavarësinë e Kosovës”, duke goditur strukturat paralele serbe, dhe në anën tjetër “po përpiqet ta pozicionojë Kosovën në rrugë drejt BE-së. Duke mandatuar përdorimin e euros për të gjithë, përfshirë serbët e Kosovës, Kurti jo vetëm që sinjalizon përkushtimin e palëkundur të Kosovës për integrim në Unionin Europian, por, gjithashtu, synon të frenojë hyrjet e paligjshme financiare nga Beogradi në veri të Kosovës” – theksoi analisti. Sipas tij, rrugë e vetme për zgjidhje të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë janë “negociatat për marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse” që do të çonin në njohje të ndërsjellë

 

Advertisement