Aktualitet
Nuk ka paqe në dhjetor/ 8 masa sigurie për zyrtarë të Bashkisë e IMT
Prokuroria e Tiranës ka dhënë masa sigurie për tetë persona, pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe IMT-së, si dhe tre përfaqësues kompanish.
Ata akuzohen për punime fiktive në procesin e shembjes së pallateve në Kombinat, duke shkaktuar dëm financiar në buxhetin e bashkisë.
Bëhet me dije se nga hetimet nisur nga denoncimi i shtetasit A.Xh për prishjen nga IMT të pallatit të tij, pa njoftim e pa vendim zyrtar, Prokuroria Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë, provoi se në Janar 2021 janë shembur 6 objekte nga Bashkia Tiranë, duke përfshirë edhe pallatin nr.140 që ishte objekti i hetimit.
Shtetasja A.M. si përfaqësuese e subjektit “Arb&Trans-2010″sh.p.k & “KLAJGER KONSTRUKSION” sh.p.k dhe mbikqyrës i punimeve subjekti “MAGING studio” shpk, që fitoi tenderin e demolimit të objekteve, ka përfshirë edhe objektet që ishin të demoluara që në muajin Janar 2021, duke paraqitur rrethana të rreme, punime fiktive dhe shkaktuar dëm në vlerë monetare buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike për punime fiktive.
Nga shqyrtimi i plotë i materialit hetimor, rezultoi se shtetasit S.Q. dhe R.R., në cilësinë e punonjësve të IMT-së pranë Bashkisë Tiranë, kanë hartuar preventivët e punimeve.
Ata kanë vepruar në kundërshtim me detyrën dhe rregullat profesionale dhe vetë e deklarojnë se nuk kanë dalë asnjëherë në terren për të verifikuar gjendjen reale të objekteve, se preventivat i kanë hartuar duke u bazuar vetëm në “projektin ekzistues” të përcjellë nga Drejtoria e Emergjencave Civile dhe se nuk mbajnë mend nëse konkretisht pallati nr.140 ka qenë ose jo në listë.
Referuar aktit të ekspertimit grafik, provohet gjithashtu se nga shtetasit A.Ç., Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, A.B., Drejtor i Drejtorisë së Emergjencave Civile, E.G., Përgjegjëse sektori i Politikave të Kompensimit të Fatkeqësive Natyrore, janë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të dokumenteve’ dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Të tre kanë pasur detyrimin ligjor të nënshkruajnë dokumente që lidhen me procedurat e demolimit dhe evadimit të mbetjeve ndërtimore.
Prokuroria Tiranë kërkoi caktimin e masave të sigurisë ndaj personave nën hetim:
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Çuko., Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Boriçi., Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Eleana Guçe, Përgjegjese e Sektorit të Politikave të Kompesimit nga Fatkeqësitë natyrore të Drejtorisë së Emergjencave Civile për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Rexhina Rakipi., Specialiste e IMT, për kryerjen e veprës penale “Shperdorimi detyre”;
“Arrest në shtëpi” për shtetasin Sokol Qehajaj. Specialist i IMT, bashkia Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;
“Detyrim paraqitje” për shtetasen Aleksandra Mahmutllari., mbikëqyrëse e punimeve, përfaqësuese e BOE “Maging shpk & Imes-D shpk” për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shume se nje herë;
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Shyqyri Maloku., përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk dhe Adminstrator i Subjektit “Arb & Trans -2000” shpk, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë; dhe
‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Fatmir Firi, përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans -2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë.