Connect with us

Kosova

“Nuk ka paqe”/ Nis protesta në Prishtinë, marrin pjesë edhe familjarët e Liridona Ademajt

Ka nisur në Prishtinë protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist me moton “nuk ka paqe pa sigurinë e grave”.

Protesta e nxitur nga vrasja mizore e 30-vjeçares Liridona Ademaj me porosi të bashkëshortit të saj, Naim Murselit të mërkurën e 29 nëntorit, nisi sot në me thirrjet “liri barazi, solidaritet”.

Protestuesit përmendën emrat e grave të vrara përgjatë viteve në Kosovë, duke kërkuar drejtësi për secilën prej tyre.

“Poshtë patriarkati” dhe “nuk ka paqe pa çlirimin e grave”, ishin disa nga thirrjet tjera në protestë.

 

 

Gazetarja e T7, Shaha Thaçi tha në një lidhje direkte në Frontal në T7 se protestës pritet t’i bashkohet edhe kryeministri Albin Kurti, ndërsa të pranishëm janë parë deputetë dhe përfaqësues të institucioneve.

“Një numër i madh edhe i familjarëve të Liridona Ademajt janë të pranishëm”, tha Shaha Thaçi. “Ata kanë veshur bluza me fotografinë e Liridonës”.

Naim Murseli të dielën doli për herë të parë para gjykatës, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, dy të pandehurit tjerë me të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë se e organizoi vrasjen e bashkëshortes së tij.

Gjykata Themelore e Prishtinës ua caktoi nga një muaj paraburgim të treve, pasi sipas gjykatëses së procedurës paraprake, “ekzistojnë bazat dhe arsyet për caktimin e masës së paraburgimit, ngase ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale”.

Naim Murseli akuzohet për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, Granit Plava për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa Kushtrim Kokalla për marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

Advertisement