Politike
“Nuk kërkojmë falje”/ The Guardian: Tension mes qeverive të Tiranës dhe Londrës
Deklarata e kryeministrit shqiptar Edi Rama kundër sekretares së Brendshme Britanike, Shabana Mahmood ka shkaktuar reagime në Londër. Fillimisht ishte ministrja britanike që në prezantimin e planit për emigracionin në parlament mori si shembull 700 familje shqiptare që u është refuzuar azili dhe vazhdojnë të qëndrojnë në vend duke u mbajtur me paratë e taksapaguesve.
“The Guardian” shkruan duke cituar një burim nga qeveria shqiptare se ka pasur një tension në rritje midis qeverive të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht bashkëpunimit të suksesshëm mbi politikat e imigracionit.
Sipas të përditshmes britanike “sulmi i Ramës ka shkaktuar gjithashtu shqetësim në Whitehall (qeverinë britanike), sepse Ballkani Perëndimor shihet si një rrugë kryesore tranziti për azilkërkuesit që përpiqen të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar”.
Pas deklaratave të Ramës ka reaguar një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike që tha: “Ne e mirëpresim partneritetin me Shqipërinë për riatdhesimet. Megjithatë, sot mijëra familje që nuk kanë marrë azil, janë të bllokuara të akomoduara dhe të mbështetura me shpenzimet e taksapaguesve, pavarësisht se vendi i tyre i origjinës është plotësisht i sigurt. Qeveria nuk kërkon falje që ka filluar të largojë familjet në shtëpi” – tha ai.
Ndërsa “The Telegraph” shkruan se Rama ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh kthimi me Mbretërinë e Bashkuar për të riatdhesuar jo vetëm emigrantët e paligjshëm, por edhe të dënuarit.
Shqiptarët përbëjnë rreth 1 200, ose 13% të të dënuarve të huaj në burgjet në Angli dhe Uells.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka arritur një marrëveshje transferimi të të burgosurve për të kthyer disa nga shkelësit më të dhunshëm dhe të rrezikshëm shqiptarë për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit të tyre në Shqipëri, duke i kursyer potencialisht qeverisë miliona paund.
Që nga një marrëveshje dëbimi e vitit 2022 e nënshkruar nga Priti Patel, atëherë sekretare e brendshme, numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin ka rënë nga 12 301 në vitin 2022 në 616 vitin e kaluar.
Oficerë të sigurisë kufitare të Mbretërisë së Bashkuar u dërguan në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë e Hercegovinë gjatë verës për të ndërtuar lidhje dhe për të mbledhur informacione mbi bandat e kontrabandës