Aktualitet
4 vrasjet e 21 janarit/ Vettingu me dorë të hekurt ndaj gjyqtarit Besnik Hoxha, ja pse
Gjyqtari i 21 janarit, Besnik Hoxha është përjashtuar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë. Me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari i Tiranës, Hoxha është përjashtuar nga drejtësia, ndërsa ai kryesoi më 8 shkurt 2013 trupën gjykuese shpalli të pafajshëm ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe gardistin Agim Llupo për 4 vrasjet e 21 janarit.
21 janari për herë të parë po hetohet nga SPAK si krim i pazabrdhur shtetëror ashtu siç Strasburgu e vlerësoi, por Gjykata e Tiranës në 2013-ën e shpalli Ndrean dhe Prendin të pafajshëm, të cilët më pas u dënuan në Apel.
Përpos Hoxhës, më 24 janar 2024 vettingu ka shkarkuar edhe gjyqtaren Arjana Caco, e cila ishte po ashty pjesë e trupës gjykuese të 21 janarit, ndërsa gjytarja Ardiana Bera është ende në proces vlerësimi.
Probleme me pasurinë
Gjyqtari Hoxha në maj të vitit 2023 u la në detyrë nga KPK me shumicë votash, por ky vendim u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik. Përfundimit KPA e largon Hoxhën nga drejtësia për problemet me pasurinë, pasi sipas Komisionerit Publik Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm.
Sipas Komisionerit Publik, lidhur me një godinë banimi në Shkodër me 3 kate të gjyqtarit Hoxha, ka mospërputhje për kohën e ndërtimit dhe se subjekti rezulton me bilanc negativ në shumën 3.2 milionë lekë për mbulimin e kostove të ndërtimit.
Sa i takon një apartamenti në Tiranë të deklaruar si adresë vendbanimi nga Hoxha, Komisioneri Publik ka argumentuar se ka dyshime se gjytari ka dashur ta fshehë këtë pasuri, pasi disa herë janë ndryshuar porositësit. Po ashtu, u konstatua se nuk është provuar mundësia e një huadhënësi për t’i dhënë subjektit vlerën 107 mijë euro në vitin 2011. Komisioneri pretendoi se për këtë pasuri, Hoxha më së paku, është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë.
Komisioneri Publik vlerësoi se Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për shpenzimet e udhëtimeve, si edhe mosdeklarimin e një mjeti në përdorim.
Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm Ndrean e Llupin
Në 7 shkurt të vitit 2013, trupi gjykues i shkallës së parë, i kryesuar nga Besnik Hoxha, me anëtarë Ariana Cacon dhe Ardiana Bera, shpalli të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon, për të cilët prokuroria kërkonte 23 vite burg për Prendin dhe 25 për Llupon, për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ambasada Amerikane reagoi atëherë e tronditur nga ky vendim. Një një reagim të pazakontë mbi vendimet e gjyqësorit, diplomatët amerikanë po atë ditë u shprehën se ndihen të tronditur nga vendimi për t’i shpallur të pafajshëm dy të pandehurit të akuzuar për vdekjen e tre protestuesve më 21 janar 2011.
Apeli konsideroi vrasjet e 21 janarit ‘vrasje pa dashje’
Në shtator 2013, treshja e gjyqtarëve të Apelit Agim Bendo, Ervin Metalla dhe Evjeni Sinojmeri, dënuan me vetëm vit burg ish-kreun e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen Faik Myrtajt si dhe me 3 vjet burg Agim Llupon i akuzuar për vrasjen e Ziver Veizit në protestën e 21 Janarit 2011. Ata i shpallën ‘vrasje pa dashje’ ekzekutimin e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit nga Ndrea Prendi dhe Agim Llupo në protestën e 21 Janarit 2011.