Connect with us

Politike

“Nuk largohem nga politika, shqiptarët më votojnë”

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta hodhi poshtë tezën se po të mos ishte ai dhe Sali Berisha në koalicionin “Bashkë fitojmë”, do të kishte më shumë pjesëmarrës në zgjedhje. Në një intervistë ai tha se edhe kjo është një tezë që ushqehet nga Rama për të fshehur faktet e shkatërrimit të procesit zgjedhor.

“Kjo tezë ushqehet nga Edi Rama për të fshehur faktet publike të shkatërrimit të procesit zgjedhor. Janë votues që mund të votojnë për alternativa të tjera që ekzistojnë. Askush nuk e pengon një iniciativë të re politike, por asgjë nuk ndryshon thelbin asaj që ka ndodhur operacion kriminal shtetëror nga fillimi në fund duke përfshirë gjithçka kundër opozitës dhe votuesve të saj.

I gjithë qëllimi i Ramës ka qenë asgjësimi i opozitës. Përpjekjet për të shmangur përgjegjësitë e tij te tezat; jo ishte ky apo ai, janë përpjekje për të manipuluar një pjesë të opinionit, se dihet që Rama ka tmerr edhe një deputet të vetëm opozitar të vërtetë në parlament dhe mezi pret të ketë vetëm kukulla që i trajton si marioneta”, tha ai. Sipas tij nuk përbën problem koalicioni me Berishën, por bandat e krimit.

“Koalicioni nuk përbën problem, është justifikim i Ramës për të treguar që ka pas probleme brenda koalicionit. Problem janë bandat e Ramës dhe policia që u bë njësh me bandat janë administrata, komisionarët, numëruesit përjashtimi i opozitës nga shumë të drejta. Janë justifikime për rritur përgjegjësinë dhe për të gjetur alibira”, tha Meta.

As shpallja non grata e Berishës, për Ilir Metën nuk ka ndikuar në zgjedhje, nisur nga fakti që edhe PSD e Tom Doshit ( i shpallur non grata) ishte faktor në zgjedhjet e 14 majit.

“Kjo tezë gatuhet në kuzhinat e Ramës për të justifikuar krimin elektoral të përmasave të jashtëzakonshme duke e kaluar përgjegjësinë tek aktorët e tjerë që nuk kanë lidhje me këtë proces dhe dinamikat e fundit tregojnë që nuk ka qenë çështje e rëndësishme apo thelbësore. Berisha nuk pati as emrin në listë. Është një sajesë e kuzhinës propagandistike të Edi Ramës”, u shpreh ai.

Ai shprehet i vendosur për bashkëpunimin “me PD-në dhe çdo forcë politike e qytetar të angazhuar për lirinë, shtetin e së drejtës, interesin publik dhe që është kundër këtij regjimi dhunues”. Ndërsa mbështetjen prej 500 mijë vota të opozitës në këto zgjedhje e konsideron të rëndësishme.

I pyetur nëse do të qëndrojë në politikë edhe pas humbjes në zgjedhje ai i përgjigj:

“Zgjidhja kurrë nuk është asgjësimi i opozitës së vërtetë pavarësisht nga të gjitha kushtet e terrorit shtetëror që ekzistojnë në forma nga më të ndryshmet ndaj të gjithë qytetarëve. Unë jam këtu deri sa të kem besimin e atyre që më kanë zgjedhur dhe mbështesin nuk ndaloj askënd të sjellë iniciatiava e ndryshime të rëndësishme. Për aq kohë sa do të jem në krye të PL do të jetë ajo që qëndron fort për lirinë demokracinë llogaridhënien interesin publik dhe transparencën”.

Advertisement